Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë “Innovation4Albania”, një institucion publik buxhetor në varësi të ministrit përgjegjës për inovacionin, me seli në Tiranë.
Agjencia ka si mision të promovojë inovacionin dhe zhvillimin e ekosistemit të startup-eve në Shqipëri, duke bashkëpunuar me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, institucionet publike, sektorin privat dhe akademik, si dhe duke koordinuar iniciativat në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Për realizimin e misionit, agjencia do të ofrojë mbështetje për startup-et përmes programesh financiare, mentorimi, rrjetëzimi dhe hapësirave për zhvillim, si dhe do të administrojë Regjistrin e startup-eve dhe lehtësuesve dhe portalin elektronik zyrtar Start Up Albania.
Pranë Agjencisë do të funksionojë Këshilli i Inovacionit, si forum këshillimor dhe bashkërendues për aktorët e ekosistemit të inovacionit, ndërsa Agjencia do të shërbejë si sekretariat teknik i Këshillit.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet nga ministri përgjegjës për inovacionin dhe duhet të ketë përvojë jo më pak se 5 vjet në pozicione drejtuese.
Agjencia do të marrë në përgjegjësi punonjësit, asetet dhe fondet nga Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës dhe Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve, të cilat shfuqizohen me këtë vendim.
Vendimi i plotë:
V E N D I M PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË “INNOVATION4ALBANIA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 9/1, të ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim përcakton organizimin dhe funksionimin e agjencisë “Innovation4Albania”, në vijim Agjencia, si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për inovacionin, me seli në Tiranë.
2. Agjencia financohet nga buxheti i shtetit, donacione dhe burime të tjera të ligjshme. Buxheti i Agjencisë përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për inovacionin.
3. Agjencia ka si mision të kontribuojë, të nxisë dhe të promovojë inovacionin dhe angazhimin në administratën publike të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë në implementimin e teknologjive të përparuara, përmes hartimit dhe zbatimit të politikave në bashkëpunim me ministritë e linjës në fushat dhe sektorët përkatës lidhur me inovacionin, si dhe të sigurojë mirëfunksionimin e ekosistemit të startup-eve në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet mbështetjes dhe zhvillimit të tij.
4. Agjencia për realizimin e misionit të saj bashkëpunon me organizma vendas dhe ndërkombëtarë me fushë të ngjashme veprimtarie me qëllim përthithjen e praktikave më të mira ndërkombëtare në fushën e zhvillimit të inovacionit dhe startup-eve.
5. Agjencia organizon dhe koordinon iniciativa, programe dhe aktivitete në nivel sektorial, kombëtar apo rajonal, që mundësojnë realizimin e misionit të saj, si dhe nxit bashkëpunimin midis të gjithë aktorëve të ekosistemit për zhvillimin e aktiviteteve të inovacionit dhe përdorimin e teknologjisë.
II. FUNKSIONIMI I AGJENCISË
1. Agjencia ka këto përgjegjësi funksionale:
a) Në bashkëpunim me ministritë e linjës, agjenci apo ente publike, zhvillon dhe implementon iniciativa, programe, projekte dhe politika në fushën e inovacionit;
b) Identifikon koncepte novatore, procese dhe teknika të reja për inovimin e shërbimeve publike dhe të administratës publike;
c) Asiston ministritë, agjencitë apo entet publike me njohuri të veçanta dhe ekspertizë për identifikimin e problematikave komplekse dhe propozimin e zgjidhjeve sistematike e inovatore;
ç) Merr pjesë në përgatitjen e akteve rregullatore, ligjore e nënligjore, për zhvillimin e fushave të inovacionit, si dhe jep mendim të detyrueshëm për institucionet publike për hapjen dhe funksionimin e entiteteve që operojnë në fushën e inovacionit, me qëllim zbatimin efektiv të politikave, projekteve dhe iniciativave në këto fusha;
d) Përmes iniciativave të ndryshme nxit dhe u propozon ministrive të linjës, agjencive apo enteve publike modernizimin e shërbimeve të administratës publike dhe përfshirjen e ekspertëve më të mirë në administratën publike;
dh) Menaxhon dhe monitoron realizimin e masave mbështetëse financiare nëpërmjet fondeve publike ose të tretëve për nismat në ekosistemin e startup-eve në Republikën e Shqipërisë;
e) Vetë, ose, kur është rasti, në bashkëpunim me institucione të tjera publike ofron shërbimin startup one stop-shop për mbështetjen e startup-eve dhe lehtësuesve;
ë) Organizon punën për promovimin në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar të nismave në ekosistemin e startup-eve të Republikës së Shqipërisë;
f) Organizon punën në cilësinë e organit mbështetës për startup-et dhe lehtësuesit, duke bashkëpunuar me palët e treta, me synim tërheqjen dhe mbështetjen e financimeve nga donatorë të huaj për ekosistemin e startup-eve në Shqipëri.
2. Agjencia, në përputhje me përgjegjësitë e veta, kryen këto detyra:
a) Promovon inovacionin, proceset dhe teknikat e reja për inovimin e shërbimeve publike dhe të administratës publike;
b) Harton plane veprimi për zbatimin e politikave në fushën e inovacionit dhe mbështetjes së ekosistemit të startup-eve;
c) Mbështet dhe bashkërendon punën për projektet dhe iniciativat e institucioneve në nivel kombëtar në fushën e inovacionit dhe startup-eve;
ç) Lidh marrëveshje dhe bashkëpunon me institucione, organizata dhe organizma të tjerë, brenda dhe jashtë vendit, me qëllim realizimin e misionit të saj;
d) Administron “Regjistrin e startup-eve dhe lehtësuesve” dhe në bashkëpunim me AKSHI-n;
dh) Ndjek mirëfunksionimin e aplikimeve për pasaportat e startup-eve dhe lehtësuesve;
e) Asiston subjektet e interesuara përgjatë procesit të aplikimit për pasaportën e startup-it;
ë) Informon subjektet për mundësitë e mbështetjes qeveritare apo për skemat e mbështetjes në ekosistemin e startup-eve;
f) Administron dhe përditëson portalin elektronik zyrtar startupalbania.gov.al;
g) Si sekretariat teknik asiston dhe informon Këshillin e Startup-eve me kërkesë të kryetarit të Këshillit për tematika të nevojshme dhe në kuadër të hartimit të dokumenteve strategjike;
gj) Shërben si sekretariat teknik për komisionet që ngrihen në funksion të vlerësimit të kërkesave dhe ankesave për masat mbështetëse për nismat në ekosistemin e startup-eve;
h) Lidh marrëveshje dhe monitoron zbatimin e tyre me përfituesit e granteve financiare, programeve dhe masave mbështetëse sipas legjislacionit në fuqi;
i) Shqyrton dhe vlerëson dokumentacionin justifikues dhe financiar, në funksion të ecurisë së zbatimit të masave mbështetëse;
j) Kryen disbursimin e fondit për realizimin e projekteve sipas legjislacionit përkatës;
k) Në raste abuzimi ose mospërmbushjeje detyrimesh të parashikuara në marrëveshje, ndërmerr veprimet ligjore për rikthimin e fondit të disbursuar;
l) Angazhohet në hartimin dhe përgatitjen e aplikimeve, si dhe përthithjen e fondeve me qëllim zhvillimin e inovacionit dhe ekosistemit vendas të startup-eve;
ll) Organizon dhe promovon evente ose forume specifike, të fokusuara te shkëmbimi i eksperiencave, këshillimi, mentorimi dhe rrjetëzimi për zhvillimin e inovacionit dhe ekosistemit të startup-eve;
m) Favorizon bashkëpunimin e aktorëve të ekosistemit të inovacionit dhe të startup-eve me organet publike, përfaqësuesit e biznesit dhe botën akademike, si dhe palë të treta të tjera, me qëllim krijimin e një kuadri rregullator dhe institucional të favorshëm për zhvillimin e inovacionit dhe krijimin e një tregu funksional për startup-et;
n) Mbledh, përpunon dhe analizon informacionin për kushtet, nevojat, kapacitetet e startup- eve dhe lehtësuesve, si dhe dinamikat e tendencat e tregut e të ekosistemit të startup-eve;
nj) I propozon ministrit përgjegjës për inovacionin nevojat për masat mbështetëse për ekosistemin e startup-eve, në kuadër të planifikimit për vitin pasardhës;
o) Përgatit dhe publikon raportin vjetor për ecurinë e funksionimit të “Regjistrit të startup-eve dhe lehtësuesve”;
p) Përgatit dhe publikon raportin vjetor mbi gjendjen dhe ecurinë e ekosistemit shqiptar të startup-eve, si në nivel kombëtar ashtu edhe në krahasim me tregjet dhe ekosistemet ndërkombëtare;
q) Përgatit raporte dhe informacion përmbledhës mbi çështjet e inovacionit, në varësi të problematikave të evidentuara, si dhe raporte të tjera periodike, sipas kërkesës, mbi ecurinë e ekosistemit vendas të startup-eve;
r) Raporton çdo 6 muaj para Këshillit të Ministrave mbi ecurinë e punës dhe rezultatet e ciklit të inovacionit të hapur, të parashikuar në pikën 4, të këtij kreu, duke paraqitur problematikat e evidentuara, zgjidhjet e mundshme dhe rekomandimet për vendimmarrjen e mëtejshme;
rr) Kryen çdo detyrë tjetër në fushën e inovacionit apo startup-eve, të caktuar nga ministri përgjegjës për inovacionin, Këshilli i Ministrave apo legjislacioni në fuqi.
3. Pjesë e Agjencisë janë edhe “Njësitë e inovacionit”, në funksion të ministrive të linjës dhe institucioneve qendrore, të cilat kanë objekt kryesor të veprimtarisë së tyre:
a) identifikimin e koncepteve, proceseve novatore dhe teknikave të reja, në përputhje me politikat e ministrisë apo institucionit qendror;
b) kryerjen e studimeve dhe analizave krahasuese mbi politikat në nivel rajonal e ndërkombëtar;
c) analizimin e të dhënave në kuadër të hartimit apo zbatimit të politikave të ndërmarra nga ministria apo institucioni qendror, me qëllim zhvillimin e analizave strategjike për të zbuluar mundësi të reja inovacioni;
ç) propozimin dhe menaxhimin e projekteve apo iniciativave zhvillimore në fushat përkatëse;
d) kontribuimin me njohuri dhe ekspertizë të posaçme të nevojshme për një periudhë të caktuar kohore në fushën që mbulon institucioni dhe për të cilën mungojnë kapacitetet e nevojshme në institucion.
4. Agjencia nëpërmjet “Njësive të inovacionit”, të përcaktuara në pikën 3, të këtij kreu, zbaton ciklin e “Inovacionit të hapur”, i cili përfshin:
a) identifikimin dhe përcaktimin e problemeve e të sfidave të propozuara nga ministritë e linjës dhe institucionet qendrore, si dhe përcaktimin e zgjidhjeve të mundshme;
b) hartimin, zhvillimin dhe administrimin e sfidave të tipit GovTech, ekspozimin e tyre ndaj aktorëve të ndryshëm publikë dhe privatë, si dhe konsolidimin e koncepteve të testuara në dokumente zyrtare, të shoqëruara me treguesit përkatës të performancës (KPI);
c) organizimin dhe zbatimin e projekteve pilot ose të aktiviteteve testuese, përmes mekanizmave si akseleratorë, sandbox-e apo forma të tjera të ngjashme të bashkëpunimit me aktorët e ekosistemit, me qëllim verifikimin dhe testimin e zgjidhjeve të propozuara;
ç) mbledhjen e të dhënave, analizimin e rezultateve dhe përgatitjen e dokumentit përfundimtar me rekomandimet përkatëse për zgjidhje me karakter inovativ.
5. Pranë Agjencisë ngrihet Këshilli i Inovacionit, si forum këshillimor dhe bashkërendues, me qëllim mbledhjen, dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të ekosistemit të inovacionit, përfshirë institucionet publike, lehtësuesit e ekosistemit, institucionet akademike, sektorin privat, donatorët dhe aktorë të tjerë relevantë. Këshilli ka natyrë këshillimore dhe bashkërenduese, pa të drejtë shpërblimi dhe pa mbështetje buxhetore. Agjencia shërben si sekretariat teknik i Këshillit dhe kujdeset për organizimin e mbledhjeve. Rregullat e hollësishme për përbërjen e Këshillit, kriteret, procedurën e përzgjedhjes, kompetencat dhe organizimin e funksionimin përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për inovacionin.
6. Agjencia ndihmon ministrin përgjegjës për inovacionin në ushtrimin e detyrave.
III. ORGANIZIMI I AGJENCISË
1. Agjencia e ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.
2. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili përgjigjet para ministrit përgjegjës për inovacionin dhe përfaqëson Agjencinë në marrëdhënie me të tretët.
3. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet, lirohet apo shkarkohet nga detyra nga ministri përgjegjës për inovacionin.
4. Drejtori i Përgjithshëm organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e Agjencisë. Ai ngre grupe pune me ekspertë për kryerjen e detyrave specifike, në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Drejtori i Përgjithshëm mbështetet nga një zëvendësdrejtor.
5. Drejtori i Përgjithshëm duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar apo i huaj, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për të huajt;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të ketë diplomë të nivelit “Master shkencor” apo “Master profesional të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike”, ose të barasvlershme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë në shkenca sociale, inxhinierike, juridike, ekonomike apo të tjera, të lidhura me inovacionin dhe ekosistemin e startup-eve;
ç) Të ketë përvojë pune jo më pak se 5 (pesë) vjet në pozicione drejtuese;
d) Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
e) Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës.
6. Drejtori i Përgjithshëm lirohet nga detyra kur:
a) plotëson kushtet për pensionin e plotë të pleqërisë;
b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor apo merr formë të prerë vendimi gjyqësor për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar;
c) ristrukturohet apo mbyllet institucioni;
ç) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi;
d) jep dorëheqjen nga detyra.
7. Drejtori i Përgjithshëm shkarkohet nga detyra kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
b) kryen shkelje të rënda gjatë detyrës;
c) nuk përmbush objektivat strategjikë të institucionit;
ç) ka performancë të dobët në ushtrimin e detyrës.
8. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm dhe punonjësve të Agjencisë rregullohen në bazë të Kodit të Punës.
9. Struktura dhe organika e Agjencisë hartohen në përputhje me përgjegjësitë funksionale të parashikuara në këtë vendim dhe miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
10. Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për punësim në Agjenci realizohet nëpërmjet procedurave konkurruese me shpallje publike, në përputhje me kriteret e përcaktuara në përshkrimet e punës.
11. Agjencitë dhe institucionet kërkimore në varësi të ministrive të linjës, si dhe institucionet e tjera të administratës shtetërore koordinojnë aktivitetin e tyre me Agjencinë sa i përket çështjeve që lidhen me inovacionin.
12. Institucionet e tjera që mbështesin me masa mbështetëse inovacionin, teknologjinë e informacionit dhe digjitalizimin, sipas kërkesës, i përcjellin informacion Agjencisë për subjektet e mbështetura në funksion të koordinimit në tërësi.
13. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema e saj përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, “Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit”, Agjencia “Innovation4Albania”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
14. Vula e Agjencisë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
2. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Agjencisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës dhe Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve vazhdojnë funksionimin e tyre sipas strukturave dhe organikave të miratuara.
3. Numri i punonjësve, asetet dhe fondet e dedikuara për inovacionin dhe monitorimin në Agjencinë e Inovacionit dhe Ekselencës dhe numri i punonjësve, asetet dhe fondet e dedikuara për Agjencinë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve kalojnë pranë agjencisë “Innovation4Albania”, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin buxhetor. Shpenzimet për këto çështje kryhen nga institucionet në të cilat ndodhen aktualisht.
4. Punonjësit aktualë të Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës dhe punonjësit e Agjencisë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve transferohen pranë agjencisë “Innovation4Albania” dhe trajtohen në bazë të legjislacionit në fuqi për ristrukturimin e institucionit.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion dhe fillojnë nga momenti i emërimit të punonjësve në detyrë.
6. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.467, datë 26.7.2023, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve”, dhe nr.620, datë 1.11.2023, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës”, të ndryshuar, shfuqizohen.
7. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave, Agjencia “Innovation4Albania”, Departamenti i Administratës Publike, si dhe institucionet e tjera të përmendura në këtë vendim për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Lajmi kryesor:
Kalojnë mes debatesh ndërhyrjet në ligjet e Drejtësisë: Në Gjykata e Prokurori, zv.kryetarët marrin automatikisht drejtimin, por me kusht
Komente











