Vlahutin:Kemi listë me persona të 
 inkriminuar por nuk e publikojmë

Vlahutin:Kemi listë me persona të <br /> inkriminuar por nuk e publikojmë
SHKODËR  - “Blerja e votës është kriminale”. Me këto fjalë i është drejtuar ambasadorja e BE në Shqipëri, Romana Vlahutin studentëve gjatë një takimi në qytetin e Shkodrës. Ambasadorja tha se ka edhe një listë me persona me të shkuar kriminale por që nuk mund të publikohet sepse ambasadorët nuk janë të zgjedhurit e shqiptarëve dhe kanë një mision tjetër, ndryshe nga pritshmëria e njerëzve nga ambasadat. Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian duke iu përgjigjur pyetjeve ka qenë e drejtpërdrejtë dhe shumë e qartë në deklaratat e saj duke folur thuajse pa doreza përpara studentëve.
 
“Blerja e votës është kriminale. Nuk është një gjë e sofistikuar por është thjeshtë një krim. Natyrisht që kjo duhet vërtetuar. Duhet të dini se nuk ka çmim që mund ta blejë votën, që mund të blejë lirinë e njerëzve sepse liria është gjëja më e çmuar që mund të ketë gjithsecili. Blerja e votës, presioni ndaj njerëzve, vendet e punës që ofrohen në këmbim të votave dhe votimi familjar janë ofenduese ndaj denonconi çdo rast. Flisni hapur për rastet kur keni fakte dhe që cenojnë ndjeshëm demokracinë. Nuk janë vetëm ata që kërkojnë të blejnë votat por edhe vetë disa qytetarë që kanë dëshirë ose mbase edhe ofrohen për ta shitur votën. Në këto dy pjesë duhet të jeni të kujdesshëm dhe të denonconi çdo rast. Ju keni policinë, prokurorinë, gjykatat apo edhe organizata jo-qeveritare ku mund t’i drejtoheni. Duhet të dini se gjithçka ka të bëjë me lirinë dhe është pikërisht liria juaj për të zgjedhur”, - tha Vlahutin.
 
Duke folur për zgjedhjet vendore, ambasadorja e BE sqaroi se padyshim janë të rëndësishme dhe kanë një peshë për integrimin e Shqipërisë në BE.
 
“Ju e dini tashmë se Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat në BE. Kështu është një rrugë e vështirë për t’u bërë dhe Shqipëria duhet që të gjejë instrumentet për ta bërë. Natyrisht që vendi juaj ka një progres vitet e fundit. Megjithatë zgjedhjet vendore janë një pikë e rëndësishme dhe padyshim që kanë një peshë për sa i përket integrimit të Shqipërisë në BE. Shqipëria nuk do ndryshojë kur të futet në BE por gjatë rrugëtimit të saj drejt BE dhe kjo është shumë e rëndësishme për t’u kuptuar. BE do fokusohet me investime madhore për Shqipërinë dhe në sektor të rëndësishëm dhe jo në gjëra të vogla duke humbur para. Janë dhënë 600 milion euro për Shqipërinë nga BE. Natyrisht që nuk mund ta ndryshojnë tërësisht vendin por është një shumë e konsiderueshme. Patjetër që është shumë e vështirë për të marrë fonde nga BE dhe ju siguroj se monitorimi është i rreptë për mënyrën se si harxhohen më pas ato para. Gjithsesi pas zgjedhjeve të 21 qershorit, gjithçka do të paraqitet në progres-raportin që ne bëjmë zakonisht”, u shpreh ambasadorja e BE.
 
Ambasadorja Vlahutin nuk mohoi se nuk ka persona me të shkuar kriminale në listat e kandidatëve në qytete të ndryshme por që edhe nëse ka ambasadat sipas Vlahutin nuk mund t’i bëjnë publike për shkak se kanë një tjetër mision.
 
“Sa i përket kandidatëve me të shkuar kriminale padyshim që kemi disa lista por nuk mund t’i publikojmë sepse ne jemi ambasador dhe jo të votuar nga shqiptarët. Kush kandidon duhet ta dijë se nuk bëhet për të pasuruar veten. Ajo që dua të them është se në të shkuarën sipas informacioneve që kemi ka pasur shumë më shumë të inkriminuar që kanë kandiduar apo edhe që kanë drejtuar qoftë në pushtet vendor por edhe qendror. Edhe tani mund të ketë dhe në një listë në qoftë se ka qoftë edhe një person të vetëm me të shkuar kriminale natyrisht që është problem dhe ju duhet që ta ndëshkoni me votë dhe mos ta lejoni që t’ju drejtojë të ardhmen tuaj”.
 
Ambasadorja e BE në Shqipëri, Romana Vlahutin foli edhe për financimin e fushatave elektorale teksa tha se është një problem sepse paratë mund të vijnë nga korrupsioni.
 
“Financimi i fushatave elektorale është një problem sepse paratë mund të vijnë nga korrupsioni. Çdo parti politike duhet të deklarojë në KQZ të ardhurat. Kur bëhen llogaritë e shpenzimeve nëse ka mospërputhje atëherë lindin dyshime se nga vijnë paratë. Nëse paratë e deklaruara nuk korrespondojnë me shumën e dalë nga posterat e vendosur, flamujt politik që qarkullojnë, spotet elektorale në media dhe shpenzime të tjera atëherë aty ka një ngërç dhe ju bashkë me institucionet përkatëse duhet ta kërkoni dhe ta zbuloni si dhe t’i kërkoni llogari partive”, - tha Vlahutin.
 
Ambasadorja e BE foli edhe për sigurinë duke thënë se do jenë më shumë se 200 vëzhgues ndërkombëtar ndërsa tha se njerëzit duhet të ndjehen të sigurtë dhe të mos ketë incidente dhe se tashmë ka ikur koha e grushteve me njëri-tjetrin.
 
Ambasadorja e BE në Shqipëri Romana Vlahutin gjatë takimit me studentët foli edhe për eksodin e shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian duke thënë se persona të ndryshëm po përpiqen që të abuzojnë me këtë sistem.
 
“Lidhur me eksodin, ka persona që po përpiqen që të abuzojnë me sistemin. Azili politik duhet ta dini që është një instrument i veçantë për ata që vuajnë shumë si shkak i regjimeve të egra apo të përndjekurve. Azili nuk është instrument ekonomik, askujt nuk do i jepet azil për kushte ekonomike. Shtetet anëtare të BE po shqetësohen shumë. Ka aktivitete kriminale siç janë organizatat e ndryshme që çojnë njerëz, u marrin para dhe pastaj i kthejnë sërish në Shqipëri. Po ashtu grupe të ndryshme që gjoja shkojnë për azil ushtrojnë aktivitet kriminal në shtetet europiane duke qenë një tjetër problem i madh”,
 -u shpreh ajo.
 
E pyetur se a rrezikohet heqja e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, ambasadorja Vlahutin nuk e përjashtoi si mundësi por tha se BE nuk dëshiron të arrijë deri në atë pikë ndërkohë që shfaqi qëndrimin e qartë se duhet gjetur medoemos një zgjidhje që të ulet numri i azilkërkuesve shqiptar.
 
“Patjetër që duhet që të gjejmë një zgjidhje urgjente për eksodin dhe ikjen e shqiptarëve drejt vendeve të BE me qëllim kërkesën për azil. Është shumë shqetësuese ndaj nuk mund të qëndrojmë duarkryq. Ne kemi biseduar disa herë me qeverinë dhe kemi shprehur shqetësimet tona. Janë marrë disa masa por sërish duket se nuk janë të mjaftueshme. Ne nuk duam që të arrijmë deri në heqjen e liberalizimit të vizave por para se të shkojmë aty duhet ndërhyrë fuqishëm që të ulet numri i azilantëve shqiptar”.
 
Shqipëria mban vendin e dytë sa i përket azilantëve në vendet e BE duke u renditur pas Sirisë, një vend që është prej kohësh në luftë civile. Në këtë mënyrë BE kërkon që ky fenomen të minimizohet përmes masave konkrete. Ambasadorja e BE Romana Vlahutin pas takimit me studentët bëri një xhiro në qendër të qytetit në pedonalen “Kolë Idromeno” duke kritikuar vendosjen e flamujve politik në një zonë historike dhe që është shpallur e mbrojtur nga Ministria e Kulturës. Vlahutin premtoi se do jetë në Shkodër edhe ditën e zgjedhjeve me 21 qershor për të vëzhguar procesin e zgjedhjeve vendore.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

'Atë që ua merr deti duan ta rimarrin ndryshe' Dredha tregon luftën me bizneset në Vlorë për plazhet publike! Sqaron dhe videon e Ramës

'Atë që ua merr deti duan ta rimarrin ndryshe' Dredha tregon luftën me bizneset në Vlorë për plazhet publike! Sqaron dhe videon e Ramës