Vlerësimet e godinave/ Oketa te '5 Pyetjet': Ekspertët s'kanë lënë shenja të sakta, qytetarët të paqartë

TIRANE-Ish-zv/kryeministri Gazment Oketa në qeverinë Berisha, aktualisht anëtar i Këshillit Kombëtar të kësaj partie ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në studion e emisionit '5 Pyetjet nga Babaramo' në Report Tv. Oketa tha se ekspertët që kanë qenë në terren nuk kanë lënë gjurmë dhe shenja të sakta për banorët që të kuptojnë nëse godina e banimit të tyre duhet prishur apo restauruar.

"Nga sa unë kam prekur në terren grupet e inspektimit nuk kanë lënë gjurmë apo shenja të sakta për banorët, që ata të kuptojnë nëse janë për t'u prishur, restauruar apo kanë dëmtime serioze. Nuk dua të abuzoj se nuk kam informacion zyrtar, por ajo që kam konstatuar, psh; ekspertët francezë dhe ato izraelitë përdorin të njëjtët shenjat për ato godina që markojnë? Nëse do të shikoni godinat ka shenja me ngjyrë portokalli, diku blu, diku e gjelbër, diku ku është një tabelë që mban logon e bashkisë IKMT me shënimin që kjo është e banueshme.

Por ka banesa të tjera ku qytetarët janë të paqartë dhe të pa informuar. Kam vizituar sot dy banesa dhe në gjykimin tim nuk kishte arsye se përse banorët të mos riktheheshin. Ndoshta për inerci të inspektimit të parë ekspertët morën masën më ekstreme duke vendosur shiritin dhe ato shenja kanë mbetur. Duhet ecur më shpejt me kategorizimin e objekteve dhe të jetë më e qartë si do të operohet me rikonstruksionin e godinave. 

Një koordinim që do të lehtësonte punën, do të ishte ai me OSHEE dhe ujësjellësin që kanë të gjitha të dhënat në databaze dhe ku del cdo banesë me numrat dhe kështu krijon një bazë dhënash, kjo do të shmangte kaosin duke i thënë qytetarit që shko në komunë merr një letër, më pas te komiteti i emergjencës që të strehojë. Pse nuk është bërë nuk e di, por kjo do të kishte reduktuar me një javë reagimin e parë të institucioneve" tha ai.

Oketa është kundër vendimit të qeverisë që të jenë vetë ndërtuesit që të riparojnë pallatet që janë dëmtuar nga tërmeti. "Jam shprehur disa herë duke e cilësuar si transferim përgjegjësie, duhet të jetë shteti që duhet të marrë përgjegjësinë, aq më tepër ku banorët mbajnë në dorë hipotekën. Përballë qytetarëve duhet të dalë shteti, dhe shteti të merret me ndërtuesit, jo vetëgjyqësi që të përplasë qytetarët me ndërtuesin. Kur ti ke hipotekën do të thotë se ke kaluar të gjitha standardet dhe rregullat. Ka një akt mbikëqyrje dhe kolaudimi dhe shteti ka hyrë garant se kjo është e banueshme. Kjo nuk i përjashton ata që kanë ndërtuar keq, por përballë qytetarëve të dalë qeveria".

Ish-zv/kryeministri ka edhe një propozim si mund të ishte bërë më shpejt procesi i vlerësimit të banesave. "Do të kisha bërë një ftesë zyrtare përmes pushteti lokal të gjithë ekspertëve më të mirë të Durrësit, Tiranës, e të gjitha qyteteve për ekspertizë teknike dhe brenda një afati të shkurtër do të ishte bërë e mundur të përcaktoj se cilat objekte kanë dëmtime serioze dhe cilat më të lehta. Unë do të ndaja në dy kategori, e para bizneset e dëmtuara dhe në të tilla momente qeveria ka nevojë për aleatin e parë, median. Por nuk kuptoj si sulmon median kryeministri. Kategorinë e biznesit do e ndaja duke krijuar raport besimi, që biznesi e di cilët janë inxhinierët më të mirë, dhe ju biznesmenë që jeni dëmtuar mund të operoni me ekspertizë private të riparoni dëmtimet dhe sillni faturat. Duke e lënë biznesin të vetëveprojë, të gjithë energjinë e shtetit do e përqendroja te qytetarët për t'u thënë se cfarë do të ndodhë me banesat e tyre. Por edhe objektet e rëndësisë së veçantë nga shkollat, te stadiumet, etj. Kjo do të ndikonte në një administrim më të shpejtë të krizës".

Ndërkohë që hedh dyshime edhe te shembja e banesave. "Nuk kuptoj ngutjen në shembjen e disa objekteve. Disa nuk kanë pasur rrezikshmëri për objektet rreth. Ndoshta fshehja e dickaje...me sy eksperti për aq sa mund të dallosh problematikat janë të ndryshme. Gjurmët e atyre objekteve janë aty, ekspertiza pret".

Por cfarë mendon Oketa për ftesën që kryeministri Rama i drejtoi Bashës. "Na ka ftuar, për cfarë që të bëjë 10 minuta ERTV dhe të bëjë një foto me kryetarin e opozitës. Opozita i hodhi tre propozime, reagimi i parë duhet të ishte që të mos i ironizonte, sado të papëlqyeshme që të ishin. Opozita kërkon pezullimin e koncesionit të sterilizimit, jo të dializës. Unë nuk gjej asnjë lloj arsye që opozita të ulet përballë një kryeministri që reagon në mënyrë të tillë. E kuptoj politikisht se cfarë do të arrijë të ulet në tryezë me kryetarin e opozitës. I ka të gjitha pushtetet, urojmë që ky që u zgjodh prokuror i përgjithshëm, ti japim besimin që të jetë i pari të fillojë të ndryshojë për mirë kursin për të vendosur drejtësi. E papranueshme të shikosh shkollat që kanë ato dëmtime. Objektet e sigurisë së vecantë kanë koeficent tjetër sigurie, pasi ka përqendrime masive. Aty kërkohet një investigim i vecantë".

Oketa është banor i Durrësit, i pyetur si është jeta në këtë qytet krahasuar me një javë më parë, ai tha "Jeta po i rikthehet gradualisht normalitetit, është një zhvillim pozitiv që sot rifilluan shkollat. Sigurisht pas dy javësh gjykoj se mund ta themi që është shumë mirë qyteti ka marrë atmosferë festive dhe për këtë shpreh vlerësimin tim pasi te fëmijët nuk duhet të dominojë psikoza e tërmetit, që mos e kenë këtë shqetësim. Do të jepja një rekomandim, të çinstaloni nga celularët të atij aplikacioni që njofton edhe për tërmetin më të lehtë, jeta duhet të vijojë normalisht. Godina ku banoj në katin e fundit, jam përpjekur të jem prezent, pasi jam edhe inxhinieri që ka ndjekur punimet e atij objekti. Unë kam inspektuar objektin kanë dhënë të njëjtin konkluzion" përfundoi ai.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen