TIRANË- Në prag të festave e fundvitit është zgjeruar tregu i gjësë së gjallë në hyrje të qytetit Vlorës. Edhe pse çmimi i gjelave të detit sivjet ka pësuar rënie duket se tregtarët nuk janë të kënaqur me shitjet.

 “As misrin, nuk nxjerrim dot sivjet, kaq. S’ka tërheqje. Malli është i shkëlqyer, po tërheqje nuk ka. Me 5000 mijë është gjeli me 6000 është pula. Me këto ne nuk nxjerrim dot as ushqimet. Sivjet bëhet vetëm për të hequr malli për asgjë tjetër", tha tregtari.

 Ndërsa për blerësit pengesë kryesore është ekonomia e dobët familjare.

 “Ja po i shikojmë njëherë po të shohim. Çmimi është i mirë këtu. S’ka qenë kurrë kaq çmimi, madje po të shikosh andej çmimin është me 6000 mijë  e 7000 mijë”, tha një qytetare.

Edhe pse gjelit të detit vijon të mbetet një traditë për tryezat e familjeve shqiptare këtë vit për shkak të pandemisë fuqia blerëse ka rënë, duke shkaktuar efekte negative për tregtarët e fermeret.

Vështirësi për bizneset ka patur edhe në qytetin e Fierit pasi tregtarët  e fruta –perimeve ankohen se pavarësisht uljes drastike të çmimeve, njerëzit janë të varfër e nuk kanë të blejnë.

“Fuqia blerëse është për t’u habitur që nuk ka më fluks blerjesh. Arsyet janë se pandemia ka bërë punën e saj, emigrantët nuk futen në Shqipëri. Kjo është një humbje e madhe për ata që prodhojnë, por edhe populli s’ka lekë më për të blerë se nuk po punohet dhe normalisht frika është e madhe po vazhdoi kështu do jetë shumë e vështirë”, shprehet një tregtar nga Fieri.

“Mungesa e buxhetit ka bërë , që ka rënë dhe fuqia blerëse”, shprehet një tregtar nga Fieri.

Që nga fillimi i saj, situata e pandemisë dhe kriza ekonomike në të gjithë vendin i ka vendosur në vështirësi prej disa muajsh bizneset për vijimin e aktivitetit të tyre normal tregtar.