VLORE- Një tjetër efektiv policie është arrestuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për marrje ryshfeti. Pas arrestimit të tre ditëve më parë të një efektivi në Tiranë, SHKB çoi të enjten në pranga në policinë e Vlorës, inspektorin Eduart Mustafa. Burime zyrtare nga ministria e Brendshme thanë se Mustafa, me detyrë efektiv i Komisariatit të Policisë Vlorë, me detyrë “trupë shërbimi” në seksionin e Policisë Rrugore u kap rreth orës 16:00 të së enjtes në një nga kryqëzimet e rrugës Trans–Ballkanike, teksa i merrte një drejtuesi automjeti një shumë parash.

Mësohet se policia kishte siguruar informacione në rrugë operative se efektivi i policisë rrugore merrte rryshfet nga shoferët të cilët konstatonte mungesë dokumentacioni apo shkelje të tjera të kodit rrugor. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të njoftuar për korrupsionin nisi menjëherë hetimet duke mbajtur nën vëzhgim efektivin. Dy ditë më parë Mustafa u kap teksa merrte rryshfet në krye të detyrës.

Policia tha se ndaj tij u mor masa e arresit për veprën penale të “Korrupsionit Pasiv”. Tre ditë më parë SHKB, arrestoi 27-vjeçarin Ariel Rama, 27 vjeç, me detyrë punonjës policie në Komisariatin Nr.2 Tiranë. Ai akuzohet se së bashku me Kristela Rama, 32 vjeç, punonjëse e Postës Shqiptare, kanë marrë një shumë rreth 2000 euro, për favorizim në këmbim të “heshtjes” së policisë, për të mos mbështetur përmbaruesin. Policia tha se arrestimi i dy kushërinjve u krye pas denoncimit të shtetases E.H. Gjatë kontollit efektivit të policisë iu gjet shuma prej 1500 euro, të njëjta në numër serie me ato të dhena nga kallëzuesja.
 
Shkrimi u publikua sot (08.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)