VLORE – Banorë të fshatrave Gorisht dhe Mërtiraj, kanë protestuar sot ndaj një firme që bën nxjerrjen e naftës në këto zona, pasi sipas tyre ka pezulluar në mënyrë abuzive punonjësit dhe ka dëmtuar varrezat e fshatit teksa ka hapur rrugë të reja për në puse.

Banorët janë gjendur në afërsi të vendburimeve të naftës në shenjë proteste ndaj firmës, pasi thonë se urdhëri i pezullimit i ka ardhur pa motivacion, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe përplasjet fizike me shoferë të firmës të ardhur në Tirana.

Sipas banorëve, veç të tjerash, firma nuk ofron kushte themelore në vendin e punës, ndërsa kanë parashtruar kërkesa ndaj firmës edhe presidentit për zgjidhjen e problemeve mes dy palëve.

Ndërkaq, në lidhje me dëmtimin e varreve, banorët shprehen se janë dëmtuar shumë varre aq sa disa skelete kanë dalë në sipërfaqe, si pasojë e rrugëve të reja të hapura në mënyrë të shkujdesur.

Ata janë shprehur se nëse nuk do të zgjidhen kërkesat e tyre protestat do të përshkallëzohen deri në bllokimin e punës në puset e naftës.
(gm/shqiptarja.com)