VLORE- Në fshatin Mërtiraj të komunës Vllahinë në rrethin e Vlorës, punimet e firmës kontraktore naftënxjerrëse “Stream Oil” për zgjerimin e rrugës që të çojnë në puset e naftës kanë bërë që të dëmtohen varret e fshatit. 

Eshtrat e të vdekurve kanë dalë në sipërfaqe duke shkaktuar indinjatë tek banorët e zonës. Ndërsa fëmijët tmerrohen pasi kafka njerëzish duken qartë edhe në sipërfaqe të kodrës, buzë rrugës.
 
Banorët thonë se shkak për këtë janë punimet që kompania Strim Oil kishte bërë për zgjerimin e rrugës drejt puseve të naftës por edhe erozioni
 
“Këtu kanë qenë komplet varreza. Ata kanë gërmuar, disa i kanë shtyrë më poshtë sepse kanë hapur rrugën dhe disa ngelën pa vend varri. Kompania Stream Oil” ka shkatërruar çdo gjë. Eshtrat e të parëve tanë kanë dalë sheshit dhe askush nuk i merr në konsideratë. Kanë shtruar rrugët e tyre dhe kanë kryer punët e tyre pa pyetur për interest e këtij fshati.”- thonë banorët
 
Banorët kërkojnë që eshtrat të grumbullohen edhe të varrosen në një tjetër vend dhe të merren masa pasi edhe fëmijët frikësohen.
 
“Kjo ka ndodhur që kur është hapur rruga por nga shirat kanë dalë kaq hapur. E gjithë kjo ka qënë varreza deri lartë.  Fëmijët sa kur kalojnë këtu tremben.
 
REAGON KOMPANIA
Përfaqësuesit e kompanisë naftënxjerrëse për A1 Report kanë hedhur poshtë pretendimet e banorëve duke deklaruar se ansjë varrezë nuk është dhunuar nga punimet e kësaj kompanie.
 
Ata thonë se zona është e prekshme vazhdimisht nga erozioni dhe për shkak të rrëshqitjes së tokës kanë dalë në sipërfaqe eshtrat e të vdekurve.

BANORET: AUTORITETET TE MARRIN MASA 
Por ky nuk është i vetmi problem me të cilin këta banorë përballen.Ata pohojnë se firma përgjegjëse për nxjerrjen e naftës nuk punëson banorë të fshatit Mërtiraj por i sjell nga zonat e tjera duke bërë që zona e tyre të shfrytezohet për nxjerrjen e naftes e banorët të vuajnë për shkak të papunësisë. Ka dhe nga ata banorë të cilët denoncojnë shpronësimin e tyre në një kohë kur ligjërisht toka në fjalë e cila shfrytëzohet nga firma kontraktore i takon banorëve të fshatit Mërtiraj. Të indinjuar nga situate e nga neglizhenca e autoriteteve vendore ata kërkojnë zgjidhje të problemit pasi në të kundërt kërcënojnë me përshkallzim të protestave të tyre.

Redaksia online 
(sg/shqiptarja.com)