VLORE- Në përpjekje për të rritur klientelën dhe përballuar konkurrencën në këto ditë vere, krahas formave të tjera, mjaft administratorë lokalesh në bregdetin e Radhimës kanë nisur të aplikojnë edhe forma origjinale të traditës.

Përpara lokaleve që ofrojnë gatime të traditës si, mishin e pjekur, në Radhimë, 15 km në jug të Vlorës, kanë nisur të dalin burra me veshje të zonës apo të Lumit të Vlorës. Uniforma e traditës labe është ajo që bie më tepër në sy në këto lokale. Personat me këtë veshje, që qëndrojnë përpara lokaleve, nxitojnë t’u dalin përpara automjeteve me targa të ndryshme të vendit dhe t’i ftojnë udhëtarët për një drekë. Ata tregohen të gatshëm të orientojnë automjetet për të parkuar, në një vend të përshtatshëm, ndërkohë që pas kësaj i udhëheqin të sapoardhurit në mjediset e brendshme të lokaleve, ku kundërmon aroma e mishit të sapopjekur në hell, apo në zgarë.

E gjithë kjo përbën një realitet të këndshëm, që ka nisur të shpeshtohet gjithnjë e më tepër në lokalet përgjatë bregdetit të Radhimës.

Shahini, pronari i një lokali në këtë pjesë të bregdetit, thotë se kjo është një mënyrë që ka dhënë rezultat në shtimin e klientelës. "Në fakt, kjo është një përshtatje e traditës së mirëseardhjes, që ka spikatur në familjet tona, në Labëri e gjetkë", thotë ai. Pikërisht ky element i traditës është përshtatur, pavarësisht se "miqtë" tashmë nuk vijnë në shtëpi, por në lokal, ku gjejnë dhe mund të shijojnë si dikur, mishin e sapopjekur, që të ngacmon me aromën dhe pamjen e tij, teksa rrotullohet në hell.
(atsh/shqiptarja.com)