VLORE- Policia e Vlorës ka sekuestruar sot 15 kabina të ndodhura në plazhin e Radhimës, si dhe një lokal me sipërfaqe 600 metër katrorë.
 
Sipas policisë, sot u bë ekzekutimi i Vendimit të Gjykatës së Vlorës, i datës 27 shtator, për kabinat dhe lokalin, pronë e 55-vjeçarit O.Zh.
 
Sekuestro preventive për objektet në zonën e quajtur “Plazhi i Bardhë” u bënë pasi policia e Vlorës ia kishte referuar ato prokurorisë rreth një muaj më parë, si ndërtim i paligjshëm.
 
Ndërsa sot është kryer operacioni për sekuestrimin e tyre.
 
Prej disa javësh, policia ka ndërmarrë një operacion në të gjithë vendin, për bllokimin dhe sekuestrimin e të gjitha ndërtimeve pa leje.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)