VLORË - Sinjalistika rrugore vertikale në qytetin e Vlorës, lë për të dëshiruar. Për shumë qytetarë të Vlorës por edhe turistë apo vizitorë nga qytete të tjera, emrat e rrugëve janë një histori pa fund e krye pasi nuk ka një orientim konkret se ku duhet të shkojnë e nga duhet t’i bien.
 
Në shumë rrugë kryesore e dytësore të qytetit tabelat orientuese janë të dublikuara, të ndryshuara apo mungojnë tërësisht.
 
Nuk janë të pakta segmentet rrugore në qytet të cilat edhe pse të ndodhura në zona të ndryshme të qytetit mbajnë të njëjtin emër.
 
Shqetësimi është përcjellë edhe nga kreu i Postës së Vlorës, Kreshnik Ziaj i cili ka kërkuar në mbledhjen e këshillit bashkiak ngritjen e një komisioni për verifikimet dhe zëvendësimin e tabelave .
 
Për turistët e huaj orientimi është i mundimshëm, pasi edhe në hartat e dorës emërtimet e rrugëve janë sipas emërtimeve të dikurshme çka bie ndesh me hartat dixhitale.
 
Edhe pse investimi për emërtimin e rrugëve të qytetit është kryer vetëm tre vite më parë ende qytetarët i referohen orientimit sipas toponimeve te dikurshme.

vlore trafiku
 
 
Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )