Bashkia Vlorë është bërë bashkia e parë në Shqipëri që nënshkruan Paktin Ndërbashkiak për Punësimin, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet bashkive, institucioneve kombëtare dhe sektorit privat për promovimin e punësimit, lehtësimin e lëvizshmërisë së brendshme të fuqisë punëtore dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik vendor.
Nënshkrimi u zhvillua në kuadër të Forumit të tretë të Komunitetit dhe Biznesit për Migracionin dhe Diasporën, organizuar nga IOM në Shqipëri me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Forumi mblodhi përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, bashkive, bizneseve, shoqërisë civile dhe komuniteteve lokale për të diskutuar zgjidhje konkrete për adresimin e nevojave të tregut të punës përmes partneriteteve më të forta në nivel vendor.
Pakti Ndërbashkiak për Punësimin krijon një mekanizëm të strukturuar bashkëpunimi ndërmjet bashkive, Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), institucioneve të arsimit dhe formimit profesional, si dhe përfaqësuesve të sektorit privat. Nëpërmjet këtij mekanizmi, bashkitë angazhohen të bashkëpunojnë për të përputhur më mirë punëkërkuesit me mundësitë e punësimit, për të lehtësuar lëvizshmërinë e brendshme të fuqisë punëtore, për të forcuar koordinimin mbi informacionin e tregut të punës dhe për të përmirësuar aksesin në shërbimet e punësimit – veçanërisht për gratë, të rinjtë, migrantët e rikthyer dhe grupet e tjera në nevojë.
Vlora është bashkia e parë pritëse që nënshkruan zyrtarisht këtë Pakt, duke nisur një proces që synon të zgjerohet gradualisht në të gjithë vendin. Në kuadër të projektit, Pakti do të nënshkruhet fillimisht nga shtatë bashkitë pilote – Vlora, Kamza, Tirana, Saranda, Kukësi, Dibra dhe Shkodra, me synimin afatgjatë për ta shtrirë këtë model bashkëpunimi në të gjitha bashkitë e Shqipërisë.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Drejtoresha e IOM në Shqipëri, Alma Jani, theksoi rëndësinë e krijimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet bashkive që ofrojnë mundësi punësimi dhe atyre që përballen me nivele më të larta papunësie.
"Qarku i Vlorës po përjeton një rritje të ndjeshme të kërkesës për fuqi punëtore, veçanërisht në sektorët e hotelerisë, turizmit dhe bujqësisë, ndërsa shumë bashki të tjera në Shqipëri kanë qytetarë që janë në kërkim të mundësive të punësimit. Afrimi i këtyre dy realiteteve është pikërisht thelbi i këtij projekti. Pakti Ndërbashkiak për Punësimin është shumë më tepër sesa një marrëveshje formale; ai është një mekanizëm praktik që forcon koordinimin ndërmjet bashkive, institucioneve kombëtare dhe sektorit privat për të krijuar më shumë mundësi punësimi dhe për të lehtësuar lëvizshmërinë e brendshme të fuqisë punëtore", tha Jani.
Nënkryetarja e Bashkisë Vlorë, Irena Toshkallari, e cilësoi Paktin si formalizimin e një bashkëpunimi që tashmë ka nisur të japë rezultate konkrete.
"Ky Pakt formalizon bashkëpunimin ndërmjet bashkive dhe institucioneve përgjegjëse për të menaxhuar më mirë lëvizshmërinë e brendshme të fuqisë punëtore. Nëse një biznes në Vlorë ka nevojë për punonjës, falë këtij bashkëpunimi ne mund të lidhemi me bashki të tjera nëpërmjet një mekanizmi të standardizuar referimi. Kjo krijon mundësi të reja punësimi për qytetarët, ndërkohë që ndihmon bizneset të plotësojnë nevojat e tyre për fuqi punëtore", tha ajo.
Pakti parashikon gjithashtu forcimin e strukturave të dedikuara në bashki për migracionin dhe disaporën, përmirësimin e koordinimit me AKPA-n dhe aktorë të tjerë vendorë, zhvillimin e analizave të rregullta të tregut të punës, organizimin e panaireve të përbashkëta të punës dhe zbatimin e mekanizmave të standardizuar të referimit për të mbështetur qytetarët gjatë gjithë procesit të punësimit.
Nënshkrimi i Paktit ndërtohet mbi dy vite bashkëpunimi ndërmjet IOM, bashkive dhe institucioneve kombëtare në kuadër të projektit "Forcimi i Kapaciteteve Institucionale Vendore për Migracionin në Shqipëri". Përmes angazhimit të komuniteteve, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe ndërtimit të partneriteteve vendore, projekti synon të forcojë qeverisjen e migracionit duke promovuar njëkohësisht mundësi punësimi dhe zhvillim të qëndrueshëm në nivel lokal.
Projekti zbatohet nga IOM në Shqipëri, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Komente










