Vlorë, 19 Shtator/ATSH-Harilla Koçi/.-Bashkia e Vlorës dhe komuna e Ferizajt (Kosovë), nisën të shtunën rrugën e bashkëpunimit, që synon të shndërrohet në një mundësi zhvillimi në kuadër rajonal.
Këto u diskutuan gjatë një vizite që zhvilloi sot në Bashkinë e Vlorës një grup këshilltarësh komunalë nga Ferizaj, të cilët u pritën nga kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, kryetarja e këshillit të Bashkisë, Vojsava Shkurtaj, si dhe anëtare të këtij këshilli.
Bashkëbisedimi u zhvillua në sallën e mbledhjeve të këshillit bashkiak, ku përfaqësues respektivë, e vunë theksin tek mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, në atë të kulturës, ekonomisë etj.
Sipas tyre, me traditat e veta, me mundësitë dhe me përvojën e krijuar, Vlora mund të shndërrohet në një model orientimi për qytetin e Kosovës, ashtu sikundër, Ferizaj ofron mundësi për shfrytëzimin e resurseve që lidhen me historinë, me kulturën etj.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, e cilësoi vizitën e miqve nga Kosova një ogur të mirë bashkëpunimi. "Kjo vizitë shënon vetëm fillimin. Në të ardhmen do të kemi elementë të tjerë konkretë të këtij bashkëpunimi", theksoi Leli.
Ai tha se, Vlora nuk është vetëm një qytet simbol i historisë për mbarë kombin shqiptar, por edhe një mundësi për të ndërtuar shinat e një bashkëpunimi me interes të ndërsjelltë, në funksion të një zhvillimi të qëndrueshëm.
Ai u dhuroi miqve nga Kosova albumin "Art e trashëgimi" botuar me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. /a.g/








