700 lekë për një çadër në plazh publik! Ky është vendimi i fundit i Këshillit Bashkiak të Vlorës që ka ngjallur reagime mes qytetarëve në qytetin bregdetar, të cilët e konsiderojnë çmimin të papërballueshëm.
“Është çmim skandaloz ndërkohë që njerëzit nuk kanë të hanë, nuk kanë gjënë e parë që duan. Sidomos pensionistët nuk e përballojnë dot.”
“Është e padrejtë, sepse me pensionet që marrin është e pamundur të vijnë të kalojnë një pushim të këndshëm.”
“Ne e marrim çadrën nga shtëpia, nuk dalim dot pa të. Na duket më mirë kështu.”
“Është shumë i lartë çmimi, nuk mund ta përballojmë.”
Tarifa godet më së shumti pensionistët dhe familjet me të ardhura të pakta. Për mikrofonin e Report TV shprehen se mungojnë edhe kushtet bazë në plazhet publike si tualetet dhe dushet.
“Tualete s’bëhet fjalë fare, pale deti njëherë që s’na lënë të marrim frymë. Nuk bëjmë dot xhiro.”
“Pensionist që merr 130-150 mijë lekë, po të bësh llogari, 10 ditë i thonë 70 mijë lekë dhe nuk janë pak për një pensionist.
Vendimi u miratua nga Këshilli Bashkiak pasditen e së premtes, vetëm me votat e socialistëve, ndërsa demokratët votuan kundër.
Ata propozuan një çmim prej 500 lekësh, por nuk u pranua nga shumica.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shumicës argumentuan se çadrat do të bëhen me pagesë për të përballuar koston e menaxhimit të plazheve publike.
Plazhet publike menaxhohen nga ‘Vlora Invest SHA’, kompani e bashkisë e cila pritet që së shpejti të vendosë çadrat në hapësirat e dedikuara për plazhe publike si Lungomare dhe Plazhi i Vjetër.
Komente









