VLORË- Një sherr mes dy biznesmenëve të njohur, Vasil Bedinaj dhe Luan Muça ka ndodhur paraditen e sotme në zonën e Radhimës në Vlorë. Report Tv siguroi pamjet, ku nga 8 makina luksoze dalin të paktën 15 persona, një pjesë të armatosur, dhe mësyjnë një resort luksoz në mes të sezonit turistik. Pamjet nuk janë të një vendi të Amerikës Latine, por në mes të Rradhimës në Vlorë.

Luan Muça, një prej biznesmenëve më të mëdhenj shqiptarë, pronar i Delta Group dhe dhjetëra biznese të tjera të lidhura më të, bashkë me mbi 15 njerëzi të tij sulet drejt “Regina Palm” të sipërmarrësit të njohur në jug Vasil Bedinaj. Pronarin e resortit e gjejnë të ulur në restorantin e biznesit të tij, ndërsa këto janë pamje kur të armatosurit me pistoleta e rrethojnë Bedinajn.

Edhe Muça, nuk dihet nëse ka qenë i armatosur, i bashkohet në tavolinë Bedinajt, i cili shihet në foto që njeri prej të armatosurve e ka kapur nga mbrapa.

Ka qenë pikërisht Bedinaj që ka njoftuar policinë rreth orës 11:30, një orë pasi kamerat e sigurisë tregojnë mbërritjen e personave të armatosur në hotelin e tij. Biznesmeni i ka thënë bluve për konfliktin, ndërsa Report Tv mësoi më vonë se ai ka pretenduar se ishte shantazhuar të paguante 5 milionë euro ose të zhdukej nga Shqipëria. E konfirmuar edhe nga Policia e cila nw njw deklaratw tha se biznesmenit iu vendos gjobw.

Policia u nis drejt vendngjarjes, ndërkohë që menjëherë ngriti postoblloqe në Fier, Vlorë, Himarë e Tepelenë. 

Teksa shkonin drejt “Regina Palm Resort”, në zonën e quajtur ‘Pusi i Mezinit’ blutë hasin një Range Rover që lëvizte me shpejtësi. I janë venë në ndjekje dhe vetëm pak kilometra më tutje “Range”-i, nw tw cilin ndodhej Luan Muça me Kludio dhe Mandrit Lleshaj, pronar i kompanisë së sigurisë “Swat Security”, punonjës të së cilës dyshohet se janë shumica e personave të armatosur që hynë në resort. Tëtre të arrestuar nga policia.

Nga vëzhgimi i Report Tv duket se ‘Swat security’ mbron sigurinë pothuajse vetëm në bizneset e Muçës “Delta Group dhe i “Deutsch Color”.

Policia e Vlorës tha se në makinën Range gjeti një armë pistoletë, teksa paralajmëroi një sqarim të plotë të ngjarjes, njoftim i cili deri në këto momente nuk është bërë. Pas largimit nga hoteli, grupi i armatosur ka djegur një Audi a8.

Shkaqet e kësaj ngjarje shumë të rëndë, që cenon seriozisht sigurinë e turistëve dhe qytetarëve të tjerë në vend, janë shumë të paqarta. Përveç pretendimit të biznesmenit Vasil Bedinaj për gjobëvënie, në një deklaratë të mbrojtjes së sipërmarrësit tjetër, Luan Muçës, pretendohet se shkaku i konfliktit është një investim i madh turistik në jugun e vendit, ku të dyja palët thonë se kanë dokumente te ligjshme të tokës.

Madje, në deklaratën e shkurtër të publikuar në media, përmes avokatëve, Muça thotë se ka qenë ai i dhunuari me armë.

Përveç bizneseve në Shqipëri dhe jashtë vendit, me kapital vetëm të Delta Group shkojnë rreth 1.2 trilionë lekë, Luan Muça posedon edhe një kompani ndërtimi, Delta Cooperation And Investment. Kjo kompani ka marrë statusin e investitorit strategjik për një resort gjigand në zonën e Palasës, për truallin e të cilit dyshohet se është konflikti.

Të arrestuar
- Luan Muça, 55 vjeç, banues në Tiranë;
- Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, banues në Tiranë;
- Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, banues në Tiranë;
- Blerim Heta, 40 vjeç, shtetas kosovar;
- Angjelo Breshani, 29 vjeç, banues në Vlorë

Lajm në përditësim….

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:46
Ngjarja te hoteli i Bedinajt në Vlorë, arrestohet biznesmeni Luan Muça dhe 4 të tjerë! Ja për çfarë akuzohen

1788457742_fxzhydftyioi.JPG

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Edvin Ndreu, tha se për ngjarjen e ndodhur ditën e sotme në resortin ‘Regina Palm’ të biznesmenit Vasil Bedinaj, janë arrestuar 5 persona dhe janë shpëllur në kërkim 6 të tjerë.

Të arrestuar janë 55-vjeçari Luan Muça, banues në Tiranë, 29-vjeçari Klaudio Lleshaj, banues në Tiranë, 33-vjeçari Mandrit Lleshaj, banues në Tiranë, 40-vjeçari Blerim Heta, shtetas nga Kosova dhe 29-vjeçari Angjelo Breshani, banues në Vlorë.

Ndreu njoftoi po ashtu se ndaj personave të arrestuar materialet do i referohen Prokurorisë për veprat penale ‘vrasje në tentativë’, ‘shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’.

“Si përfundim u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Luan Muça, 55-vjeç, banues në Tiranë. Klaudiu Lleshaj, 29-vjeç, banues në Tiranë, Mandrit Lleshaj, 33-vjeç, banues në Tiranë, Blerim Heta, 40-vjeç nga Kosova, Angjelo Breshani, 29-vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu janë shpallur në kërkim 6 shtetas dhe 4 automjete të tjera të dyshuara të përfshira në këtë ngjarje.

Materialet do i referohen Prokurorisë për veprat penale ‘vrasje në tentativë’, ‘shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’.

Momentalisht çështja është nën hetim. Nuk janë përdorur armë brenda resortit. Anxhelo Breshani ka qëlluar me armë zjarri drejt personave të tjerë, me një pistoletë që e dispononte Vasil Bedinaj.

Qyteti i Vlorës ka sigurinë maksimale përsa i përket sezonit turistik. Personat vijnë nga rrethe të tjera. Ne po punojmë maksimalisht për të parandaluar ngjarje të tilla. Po verifikojmë një motiv pronësie, që është në verifikim e sipër. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:42 minuta. Rreth 18 minutave pasi është dhënë informacioni paraprak, janë ndaluar shtetasit”, tha mes të tjerash drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Drejtues Edvin Ndreu.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Ora 19:38
Si ndodhi përplasja te hoteli i Bedinajt, Policia: I vendosën gjobë 5 mln euro, i thanë të largohej brenda 48 orëve nëse s’do t’i dorëzonte

 

Policia konfirmon se njerëzit e Luan Muçës i vendosën 5 mln euro gjobë biznesmenit Vasil Bedinaj. Policia thotë se i kërkuan të largohej brenda 48 orëve nga Shqipëria nëse nuk do të jepte pagesën. Po ashtu, policia sqaroi se nuk ka pasur të shtëna me armë brenda në hotel. Por në oborr, policia thotë se njeriu i Bedinajt, Anxhelo Breshani ka shkuar në makinën e biznesmenit dhe ka qëlluar me armë ndaj makinave të njerëzve të Luan Muçës.

Deklarata e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Drejtues Edvin Ndreu

Siç jeni bërë me dije nëpërmjet informacionit paraprak, sot, rreth orës 11:30, jemi njoftuar nga pronari i një hoteli në Radhimë, konkretisht nga shtetasi V. B., se kishte nevojë për ndihmë, pasi disa persona e kishin dhunuar dhe kërcënuar me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë dhe janë nisur në drejtim të adresës së dhënë.

Duke vlerësuar maksimalisht informacionin e marrë, u ngritën pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit të Vlorës dhe në Dhërmi. Gjithashtu, menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë.

Ndërkohë, u bashkëpunua me Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe Fier për ngritjen e pikave të kontrollit edhe në këto territore.

Rreth orës 12:00, në pikën e kontrollit në Rrethin e Alikokës, një automjet fuoristradë, tip “Range Rover”, me ngjyrë të zezë, nuk iu bind shërbimeve të Policisë për të ndaluar, duke vijuar rrugën në drejtim të fshatit Peshkëpi. Gjatë ndjekjes, në vendin e quajtur Ura e Peshkëpisë, ky automjet ka dalë nga rruga, duke goditur barrierat mbrojtëse të saj.

Në këtë automjet ndodheshin tre shtetas, konkretisht shtetasi Luan Muça, drejtues i automjetit, dhe dy pasagjerët, shtetasit Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, vëllezër, punonjës të SH.P.S.F. “Sëat Security”.

Si pasojë e daljes nga rruga, shtetasit Luan Muça dhe Mandrit Lleshaj janë dëmtuar dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri, pistoletë, së bashku me një krehër me 16 fishekë luftarakë.

Rreth orës 13:00, pika e kontrollit e ngritur nga shërbimet e DVP Fier, në vendin e quajtur Mbikalimi i Memorialit, ka ndaluar një nga automjetet e shpallura në kërkim, me drejtues shtetasin kosovar Blerim Heta.

Nga këqyrja dhe kontrolli i automjetit u konstatua se kishte dëmtime në xhamin nga krahu i pasagjerit, të shkaktuara, dyshohet, me armë zjarri. Në brendësi të automjetit u gjetën tre fishekë pistolete.

Rreth orës 16:30, në bypass-in e Vlorës, afër fshatit Kaninë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip “Audi A8”, i dyshuar se është përdorur nga autorët në ngjarje.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi Luan Muça, së bashku me disa shtetas të tjerë, ka shkuar në hotelin në pronësi të shtetasit Vasil Bedinaj, të cilit, nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike, i kanë vendosur një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kanë kërcënuar që, pas 48 orësh, të largohej nga Shqipëria.

Ndërkohë, shtetasi Angjelo Breshani ka shkuar te automjeti i shtetasit Vasil Bedinaj dhe ka marrë armën e zjarrit që ky e posedon me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin aty.

Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

- Luan Muça, 55 vjeç, banues në Tiranë;
- Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, banues në Tiranë;
- Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, banues në Tiranë;
- Blerim Heta, 40 vjeç, shtetas kosovar;
- Angjelo Breshani, 29 vjeç, banues në Vlorë.

Janë shpallur në kërkim 6 shtetas dhe 4 automjete të dyshuara se janë përfshirë në ngjarje dhe vijon puna intensive për kapjen e tyre.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ora 19:30
Mësyu me 15 persona të armatosur te hoteli i Bedinajt, Policia: Luan Muça nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar, Range Rover-i me të cilin udhëtonte u përplas

1788456461_policiaeshtetit.jpg

Policia jep detaje për përplasjen mes dy biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça. KLy i fundit ishte në range reverin që u përplas dhe nuk i ka ndaluar policisë.

“Duke vlerësuar informacionet e marra, janë ngritur pika kontrolli në Vlorë dhe në Dhërmi. Rreth orës 12:00, një automjet tip “Range Rover” nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar, duke vazhduar drejt fshatit Peshkëpi. Gjatë ndjekjes, automjeti është përplasur me barrierat e rrugës. Në makinë ndodheshin Luan Muça, Klajdi dhe Mandrit Lleshaj. Luan Muça është dëmtuar dhe është transportuar në spital, jashtë rrezikut për jetën”, tha drejtori i policisë.

Ora 18:05
Gjobëvënie 5 mln euro Vasil Bedinajt? Mbrojtja e Luan Muçës: Nuk është e vërtetë, ra pre e dhunës! U takuan për pretendimet mbi ligjshmërinë e dokumenteve të një investimi në jug

Mbrojtja e biznesmenit Luan Muça jep një tjetër version të përplasjes me biznesmenin tjetër Vasil Bedinaj në Radhimë të Vlorës. Në një deklaratë të shpërndarë në disa media, e cila i atribuohet mbrojtjes së Luan Muçës, pretendohet se ai nuk i ka kërkuar 5 mln euro Vasil Bedinajt.  

Sipas mbrojtjes, Muça kishte lënë një takim me Bedinajn për të sqaruar një mosmarrëveshje që lidhet me një investim në bregdetin e Jugut (që duket se i referohet konfliktit për pronësinë e një toke në Palasë ku do të ndërtohet resort, që është raportuar në disa media). Madje, mbrojtja pretendon se Muça është dhunuar me armë.

“Klienti im nuk vë gjoba, s’ka kërkuar asnjë para nga askush, por ka rënë pre e dhunës me armë teksa kishte lënë një takim sqarues me z. Bedinaj. Sqarimi lidhet me një investim në bregdetin e Jugut ku palët kanë pretendime për ligjshmërinë e dokumentacionit”, ka deklaruar mbrojtja e Muçës në media. 

Ky është versioni i palës së Luan Muçës për ngjarjen, ndërsa më herët Bedinaj ka deklaruar në polici se ishte kërcënuar nga një grup personash të armatosur, duke pretenduar se i ishin kërkuar 5 milionë euro ose të largohej nga Shqipëria. Policia ende nuk ka dhënë një version zyrtar se cili është shkaku i konfliktit mes dy biznesmenëve të njohur.

Ora 17:56
Përplasja mes Vasil Bedinajt dhe Luan Muçës, mediat: Sherr për një pronë në Palasë?, ‘Delta’ investitor strategjik për ndërtimin e një resorti

Përplasja në Radhimë mes dy biznesmenëve të njohur, Luan Muça dhe Vasil Bedinaj, dyshohet se e ka zanafillën te një konflikt pronësie në Palasë. Ndërsa Bedinaj ka denoncuar në polici se është kërcënuar nga një grup personash të armatosur, mes të cilëve ndodhej edhe Muça, ende nuk ka një version zyrtar se çfarë e shkaktoi sherrin.

Sipas raportimeve në media, pas përplasjes mes Luan Muçës dhe Vasil Bedinajt dyshohet se qëndron një konflikt pronësie në Palasë, ku parashikohet zhvillimi i një investimi turistik luksoz. Delta Group e Luan Muçës rezulton investitor strategjik për projektin në këtë zonë, ndërsa sipas mediave, pretendime mbi një pjesë të pronës ka edhe Vasil Bedinaj.

Mediat pretendojnë se Muça e ka blerë tokën fillimisht mbi bazën e një AMT-je dhe, pasi për të njëjtën sipërfaqe banorë të zonës kanë shfaqur pretendime pronësie, ka negociuar dhe e ka blerë pronën edhe prej tyre. Më pas, sipas raportimeve, edhe Bedinaj ka blerë një sipërfaqe pranë saj, ku një parcelë dyshohet se mbivendoset me pronën për të cilën pretendon Muça.

Pikërisht kjo mbivendosje pronësie dhe interesi për zhvillimin turistik të zonës pretendohet se ka sjellë përplasjen mes dy biznesmenëve. Megjithatë, shkaku i konfliktit nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Policia apo grupi hetimor dhe këto të dhëna janë raportuar vetëm në media.

 

Ora 17:50
Grupi i armatosur mësyu tek hoteli i Bedinajt, pasi largohen i vënë flakën Audi A8-ës, mjeti shkrumbohet plotësisht (VIDEO)

Grupi i armatosur që mësyu në hotelin e Vasil Bedinajt në Radhimë rezulton të ketë djegur një prej mjeteve me të cilat mbërritën në ambientin e Regina Palm. Report Tv ka siguruar pamjet ku shihet se si një Audi A8 është djegur plotësisht, në rrugën e bypass-it, pranë Radhimës. Mjeti rezulton të jetë djegur pasi grupi i armatosur u largua nga ambientet e hotelit. Ende nuk dihet nëse brenda tij janë gjetur ose jo armë që rojet e sigurisë së “Swat” i kishin me vete.

Ora 17:25
Report Tv siguron fotot, ja momenti kur grupi i armatosur futet brenda hotelit të Bedinajt

1788449825_1788449801perplasjabrendanelokal.jpg

Report Tv ka siguruar foto të momentit kur grupi i armatosur futet brenda hotelit të Vasil Bedinajt. Në njërën prej fotove dallohet një 3 persona të ulur në tavolinë, ndërsa brenda ambienteve të resortit Regina Palm, futen persona të tjerë, ku njëri prej tyre mban edhe armën në dorë dhe dyshohet se rrethojnë Vasil Bedinajn. 

Ora 16:58
Zbarkuan të armatosur te hoteli i Vasil Bedinajt, shoqërohet Luan Muça i Deltës dhe 4 të tjerë! Disa në kërkim

1788447567_luanmuca.jpeg

Policia ka shoqëruar pronarin e Deltës, Luan Muça pasi zbarkoi bashkë me një grup personash të armatosur në resortin e Vasil Beidnajt në Vlorë. Disa persona janë shpallur në kërkim. 

Ora 16:38
Zbarkuan të armatosur në hotelin e Bedinajt, SWAT Security ‘e besuara’ e Luan Muçës për sigurinë e çdo biznesi të tij

Mandrit Lleshaj është pronari i “SWAT Security”, rojet e sigurisë të armatosura të secilës shoqëruan ditën e sotme Luan Muçën, pronarin e ‘Deltës’ në hotelin ‘Regina’ në Vlorë të Vasil Bedinajt.

“SWAT Security” mbulon sigurinë në çdo aktivitet të Luan Muçës.

Në ekstraktin e kompanisë cilësohet se ofron shërbime për "Sigurimin e objekteve publike dhe private, në pronësi ose në përdorim të personave fizikë dhe juridikë, që ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë. Sigurimin dhe mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të personave fizikë, shtetas shqiptarë ose të huaj. Instalimin e mjeteve dhe sistemeve të vëzhgimit audioviziv; instalimin, shitjen dhe përdorimin e mjeteve të mbrojtjes kundër zjarrit; përdorimin e mjeteve dhe sistemeve të radiokomunikimit, pajisjeve dhe mjeteve të mbrojtjes kundër zjarrit; si dhe përdorimin, shitjen dhe instalimin e mjeteve të kontrollit të aksesit. Furnizimin, instalimin, shitjen dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të telekomunikacionit. Import-eksportin, me shumicë dhe pakicë, të mjeteve dhe pajisjeve të vëzhgimit, radiokomunikimit, fikjes së zjarrit, ndërlidhjes, pajisjeve elektrike dhe elektronike, si dhe të pajisjeve të navigacionit."

Ishin mbi 15 roje të armatosura që shoqëronin biznesmenin Muça, ndërsa sipas Bedinajt, i kanë kërkuar 5 milionë euro gjobë.

Lexo këtu ekstraktin e kompanisë

Ora 15:44
Pronari i ‘Delta’ në konflikt me Vasil Bedinajn, i shkoi në hotel bashkë me personat e armatosur! Punonjës të një kompanie private sigurie

1788443216_luanmucavasilbedinaj.jpg

Luan Muça dhe Vasil Bedinaj

Biznesmeni Luan Muça është personi që dyshohet se është përfshirë në një konflikt me biznesmenin tjetër Vasil Bedinaj. Ky i fundit denoncoi sot se u kërcënua nga 10 persona të armatosur. Burime për Report Tv thonë se vetë Muça, pronari i delta Group dhe i “Deutsch Color”, ka qenë në ambientet e hotelit të Bedinajt në momentin kur ka ndodhur përplasja. Ndërkohë, personat e armatosur raportohet se kanë qenë punonjës të “SWAT Security”, një kompani private sigurie në pronësi të Madrit Lleshaj. Rezulton se kjo kompani është e kontraktuar nga Muça për të garantuar sigurinë në bizneset e tij. 

Ora 15:31
Vasil Bedinaj denoncoi se u kërcënua, 8 makina mbërrijnë para hotelit të tij! Momenti kur zbresin mbi 15 persona (VIDEO)

Report Tv ka siguruar pamjet kur 8 automjete të zeza dhe xhama të zinj mbërrijnë në Hotel Regina Palm në Vlorë, ku sipas biznesmenit Vasil Bedinaj e kanë kërcënuar.  

Siç shihet edhe në pamjet që ka sjellë Report Tv, rojet private të ‘Security Swat’ kanë mbërritur në hotelin e Bedinajt me të paktën 8 makina private të zeza. Ato parkojnë një nga një, para hotelit, ku shihet të zbresin disa persona, disa prej tyre me veshje kamuflazhi.

Ka qenë vetë Bedinaj që ka njoftuar policinë për ngjarjen, duke pretenduar se një grup personash të armatosur e kanë kërcënuar që t’i jepte 5 milionë euro ose ndryshe të largohej nga vendi brenda 24 orëve.

Ora 14:40
Pasi kërcënuan me armë Vasil Bedinajn, autorët ndiqen nga policia nëpër rrugët e Vlorës! VIDEO e ‘Range Rover’-it që përfundoi i përmbysur në rrugë (VIDEO)

Të paktën 10 persona të armatosur dyshohet se kërcënuan biznesmenin Vasil Bedinaj në një prej hoteleve të tij në Vlorë. Ai ka lajmëruar policinë duke deklaruar se autorët e armatosur i kanë kërkuar 5 mln euro. Menjëherë ata u larguan nga hoteli, por policia duke shkuar drejt vendit të ngjarjes ka pikasur në rrugë një mjet duke lëvizur me shpejtësi, së cilës iu vunë në ndjekje. 

Në makinë u gjend një armë dhe 3 prej autorëve të dyshuar. Në përpjekje për t’i ikur Policisë, drejtuesi i Range Rover-it ka humbur kontrollin dhe mjeti ka përfunduar i përmbysur në rrugë, siç shihet edhe në pamjet që sjell Report Tv.

Disa persona kanë rrethuar makinën në përpjekje për të nxjerrë nga aty 3 autorët e dyshuar. Dy prej tyre kanë përfunduar në spital, ndërsa njëri është dërguar në komisariat.

"Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli. Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore. Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.

Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje", njoftoi Policia.