Vlorë- Krijohet rrjeti Partneritete Lokale për Shëndetin Publik dhe Shërbimet Sociale


VLORE, 24 nëntor/ATSH-Harilla Koçi/.- Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të medias, të institucioneve zyrtare vendore në Vlorë, krijuan rrjetin "Partneritete Lokale për Shëndetin publik dhe Shërbimet Sociale", si një mundësi për të ndikuar në përmirësimin e fushatave sensibilizuese në qytet, menaxhimin e përbashkët të rasteve sociale dhe promovimin e mirëqenies sociale.
 Ky rrjet, sipas themeluesve, konsiderohet edhe si një mënyrë për angazhuar specialistë të institucioneve publike përkatëse, shoqërinë civile aktive dhe median, si pjesë e rëndësishme e edukimit të opinionit publik në dy drejtimet ku do të fokusohet ky aktivitet. Nga ana tjetër, ai është konceptuar si një mënyrë ndryshe organizimi e menaxhimi, mes institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile në Vlorë.
Ines Stasa, drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror të Vlorës, një nga themelueset e rrjetit, duke e konsideruar të rëndësishëm bashkëpunimin me shoqërinë civile në ofrimin e shërbimeve, sipas specifikës dhe profilit të institucioneve respektive, shtron nevojën e bashkimit të forcave dhe koordinimit të veprimeve mes institucioneve publike dhe organizatave jofitimprurëse, për një përgjigje më të mirë dhe efektive në mbështetje të shërbimeve ndaj komunitetit.
Pjesë e fokusit të aktivitetit të këtij rrjeti, do të jetë menaxhimi i rasteve apo diskutimi i prioriteteve të komunitetit dhe adresimi i tyre pranë institucioneve përkatëse. Në tërësi, objektivi përfundimtar i këtij rrjeti është nxitja e institucioneve lokale për krijimin e partneritetit mes shoqërisë civile dhe pushtetit vendor e atij qendror, me synim lehtësimin dhe adresimin e problematikave të grupeve te margjinalizuara dhe ato në risk, si dhe ofrimin e shërbimeve sa më afër ketyre komuniteteve.
Kjo nismë, është nga ana tjetër produkt i një projekti që zbatohet nga YWCA dhe UNAIDS në disa qarqe, mes të cilave përfshihet edhe Vlora me pikë koordinuese Qendrën Psiko-Sociale "Vatra". Në tryezën e rrumbullakët që u organizua me këtë rast, të pranishmit evidentuan raste konkrete të realitetit të përditshëm, duke ofruar edhe mënyrat e trajtimit dhe zgjidhjes së tyre, ku rrjeti mund të luajë një rol të rëndësishëm. /a.ke/
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai