"Jemi nga Kazakistani dhe Ukraina, duam të vijmë në Vlorë..."
Vlorë, 19 Shtator/ATSH-Harilla Koçi/.-"Jemi nga Kazakistani dhe Ukraina, duam të vijmë me pushime në hotelin tuaj". Ky ishte mesazhi që mbërriti në fillim të muajit korrik në adresën e një prej hoteleve më të njohura në bregdetin e Ujit të Ftohtë në Vlorë.
Arbeni, administrator i këtij kompleksi, ku funksionon edhe një plazh mjaft i këndshëm, tregon për ATSH-në se, turistët nga Kazakistani dhe Ukraina, më shumë se 20-të, pushuan këtu gjatë muajit gusht.
"Qëndruan për periudha respektive një javore apo 10 ditore dhe u larguan me mendimin se, do të kthehen sërish vitin tjetër", thotë ai.  Mes faktorëve që patën impakt pozitiv tek turistët nga vendet e largëta, sipas 40 vjeçarit, ishin çmimet e arsyeshme për akomodimin dhe ushqimin, cilësia e produkteve që ofroheshin në menynë e përditshme dhe, sigurisht edhe vlerat natyrore, kthjelltësia e detit etj. Në fakt, është hera e parë që bregdeti i Vlorës dhe, ndoshta edhe pjesë të tjera të bregdetit shqiptar, frekuentohen nga turistë prej këtyre dy vendeve.
Gjeografia e pushuesve të huaj që kanë zgjedhur Vlorën për të kaluar ditë nga sezoni i verës, është zgjeruar mjaft veçanërisht në dy vitet e fundit. Promovimi që u është bërë kapaciteteve turistike të Shqipërisë, vlerësohet si një nga faktorët që kanë stimuluar e nxitur, jo vetëm shtimin e fluksit por edhe zgjerimin e gjeografisë së vendeve prej nga vijnë këta pushues.
"Deri pak vite më parë, as që do ta mendoja që në kompleksin tim do të kisha klientë nga Kazakistani dhe Ukraina, por ja që ky është një fakt", citon Arbeni. Ai, sikurse edhe kolëge të tjerë të tij, operatorë turistikë në bregdetin e Vlorës deri në Himarë e më tëj, shprehen se, në këtë drejtim nuk ka më surpriza.
Mijra turistë të huaj, që mbushën plazhet në Bregdetin e Jugut, krijuan një realitet të këndshëm.
Motoçiklistët nga Polonia e Çekia, automjetet e shumta me targa nga këto dy vende, nga Italia, Gjermania, Franca, Anglia, Danimarka, Zvicra, Bullgaria, Rumania, Kosova, Maqedonia, kamperat me qytetarë nga këto vende e të tjera, përbënin një dukuri të zakonshme në rrugët që përshkojnë bregdetin e Jugut, nga Vlora në Sarandë. Ndesheshim aq shpesh me to, sa do na dukej çudi dukuria e kundërt, qoftë edhe për segmente kohore të rendit të minutave.
Në verën e vitit 2013, për herë të parë në bregdetin e Rradhimës, u shfaqën qytetarët rusë. Grupi i parë i turistëve nga ky vend, që u akomoduan gjithashtu në një nga resortet më të njohura në Rradhimë, përbëhej nga  10-12 vetë, kryesisht të rinj e të reja nga Moska. Por, vetëm dy vjet më pas, pushuesit nga ky vend i largët dhe i afërt njëkohësisht për ne shqiptarët, kanë shënuar një rritje kuptimplotë në numër.
Tashmë, turistët rusë janë të pranishëm dhe klientë në një numër të madh hotelesh e resortesh në Bregdetin e Jugut, me një tendencë rritjeje nga viti në vit. Në këtë mënyrë, gjeografia e vendeve të origjinës së turistëve që zgjedhin Bregdetin e Jugut, është mjaft e shtrirë dhe e pasur , duke përfshirë vendet kryesore të Evropës e më gjerë.
Gjatë kësaj vere, kontaktova me një numër të konsiderueshëm prej tyre. Një pjesë vinin për herë të dytë. Por, kishte edhe nga ata, që vizitonin Shqipërinë për më shumë se dy herë, si bashkëshortët nga Gjermania, Robert e Sabrina Fitstung, të cilët janë frekuentues të përvitshëm të bregdetit të Gjipesë, në Himarë.
U pëlqen Bregdeti i Jugut, prandaj edhe vijnë. Sigurisht që kanë edhe mjaft vërejtje, veçanërisht kur vjen fjala për pastërtinë e plazheve, ashtu si edhe për dëmtimet që i janë bërë apo i bëhen mjedisit nga ndërtimet e forma të tjera.
Nuk u vjen mirë që pushues të ndryshëm i hedhin mbeturinat vend e pa vend dhe nuk kujtohen të pastrojnë.
Gjithsesi, këto dukuri nuk kanë ndikuar në atë masë sa të ndryshonin vendimin e tyre për të ardhur sërish këtu. Ndërsa për të tjerët?!. "Keni mjaft për të ndryshuar e përmirësuar, por e rëndësishme është që gjërat po lëvizin këtu tek ju, për të shfrytëzuar këtë bregdet të bukur", më thoshte Luigi nga Trieste, që pushoi në Himarë një javë në muajin gusht, së bashku me familjen e vet, bashkëshorten dhe vajzën 17 vjeçare. /a.g/