Prefektja Evis Allushi vlerëson me certifikatë mirënjohjeje për kontributin e vyer në situatat emergjente dhe në shërbim të qytetarëve zjarrfikësin Luan Kapaj dhe specialistin e zonave të mbrojtura Nexhip Hysolakoj, në një ceremoni të zhvilluar në Prefekturën e Qarkut Vlorë.

Në fjalën e saj, Allushi i përshkruan Kapajn dhe Hysolakojn si dy njerëz të punës, të përkushtuar, që asnjëherë nuk kërkojnë reklamë, por janë aty në vijën e parë të luftës për të përballuar situatat.

Për zjarrfikësin hero Luan Kapaj dhe specialistin e mjedisit Nexhip Hysolakoj janë dhënë edhe certifikatat e mirënjohjes, me motivacionin: “Për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar në kryerjen e detyrave”.

Në fjalën e tyre, Hysolakoj dhe Kapaj e shohin këtë vlerësim si një nderim për punën e tyre. Këtë vlerësim ata ia dedikojnë të gjithë kolegëve me të cilët punojnë dhe familjes, pa mbështetjen e së cilës nuk do të kishin arritur asgjë.

Përgjatë ceremonisë ata kanë përshëndetur edhe përfaqësues institucionesh dhe kolegë të tyre.

Në këtë periudhë, në luftë me zjarret, zjarrfikësi Luan Kapaj dhe specialisti i zonave të mbrojtura Nexhip Hysolakoj janë aty në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar për të kryer me përkushtim detyrën.