VLORË - Në mjediset e Qendrës së Informimit të Bashkimit Evropian EUIC, në Vlorë, u zhvillua një sesion informimi mbi kulturën në përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte prezantimi i çertifikimeve EIPASS (European Informatics PASSport) të cilat aplikohen prej 2 vjetësh në Shqipëri, si edhe në qytetin e Vlorës.
EIPASS e njohur në Shqipëri si Pasaporta Evropiane e Informatikës, distribuohet nga CERTIPASS DIGITAL SKILLS për çertifikimet në fushën e TIK të njohura në Evropë dhe në botë në nivelin IIPASS (International Informatics PASSport).
Në këtë sesion u prezantua DIGITAL SKILLS, si enti distributor i këtyre çertifikimeve, prej përfaqësueses për Shqipërinë,Anila Busho.
Po ashtu, pjesë e programit ishte një prezantim i qendrës së akredituar nga DIGITAL SKILLS për qytetin e Vlorës për çertifikimet EIPASS.
Pjesa e tretë dhe më e rëndësishmja e këtij sesioni informues u zhvillua dhe u konkretizua nëpërmjet përdorimit të platformës DIDASKO.
Prezantimi u fokusua në demostrimin praktik të përdorimit të platformës DIDASKO nga faqja zyrtare e internetit e EIPASS në pozicionin e një kandidati EIPASS dhe në pozicionin e një Ei-Center të akredituar. U prezantua mënyra e marrjes së mësimeve në mënyrë elektronike on-line dhe e realizimit të testimeve përgatitore për provimet përfundimtare në mënyrë elektronike gjithashtu on-line.
U prezantuan të gjithë llojet e çertifikimeve EIPASS që ofrohen për të gjitha grup moshat dhe për të gjithë profesionet. U theksuan kriteret që një kandidat EIPASS duhet të plotësojë për të përfunduar me sukses një çertifikim EIPASS, kohëzgjatja e tyre si dhe u evidentuan përfitimet e një kandidati EIPASS në CV e tij dhe në karrierën e tij profesionale.
U fol gjithashtu për mënyrën e komunikimit virtual ndërmjet trajnuesit, ekzaminuesit, Ei-Center-it dhe kandidatit EIPASS, si dhe elementët e sigurisë së çertifikatave EIPASS, duke përfshirë autenticitetin e tyre dhe verifikimin lehtësisht on-line të origjinalitetit të tyre, përmes aksesit në bazën e të dhënave të përdoruesve EIPASS në të gjithë botën.
Gjithashtu u prezantuan kreditet që mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme përfitojnë nga çertifikimet EIPASS në përputhje me akreditimin e këtyre çertifikimeve nga Ministria e Arsimit. Një vend të veçantë zunë edhe njohja e krediteve të këtij çertifikimi si provim informatike nga universitetet italiane për ata të rinj e të reja që studiojnë në Itali, si edhe përfitimi i Administratës Publike nga çertifikimi EIPASS për institucionet shtetërore dhe private. /ATSH/