Katër persona kanë pësuar djegie të shumta në trup, si pasojë e shpërthimit të motorit të një skafi.
Ngjarja ka ndodhur në Porto Palermo të Vlorës, ku dyshohet se shkak i shpërthimit ka qenë benzina që gjendej në skaf.
Të lënduar kanë mbetur 25-vjeçari Mateo Merdanaj, 18-vjeçari Aleks Doda, 40-vjeçari Xhemal Ismailaj dhe 38-vjeçari Ardinant Qaziu.
Sipas informacioneve paraprake, të lënduarit kanë pësuar djegie të shumta në pjesë të ndryshme të trupit. Dy prej të dëmtuarve kanë djegie në mbi 50% të trupit.
Ata janë dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Vlorës, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Më pas, 2 prej të dëmtuarve më rëndë janë transportuar drejt Tiranës.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të shpërthimit.
Njoftimi i Policisë:
Himarë/Informacion paraprak-Rreth orës 19:20, në Qendrën Shëndetësore Himarë janë paraqitur për ndihmë mjekësore 4 shtetas me djegie në pjesë të ndryshme të trupit.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se, gjatë riparimit të motorit të një skafi në Porto Palermo, shtetasit XH.I, 40 vjeç, A.O, 38 vjeç, M.M, 25 vjeç, A.D, 18 vjeç, kanë pësuar djegie, si pasojë e rënies në kontakt me lëndën djegëse benzinë.
Të dëmtuarit janë transportuar në Spitalin Rajonal Vlorë, për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon verifikimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.








Komente
Komento