Kërcënimi i erdhi nëpërmjet një SMS-je, ku pas denoncimit në polici brenda një jave është bërë identifikimi dhe arrestimi i Mustafaraj, i cili njihet në Vlorë si person me precedentë penalë.
Mentor Mustafaraj akuzohet për “Kanosje të Gjyqtarit” parashikuar nga neni 317 i Kodit Penal. Ndërsa në lidhje me cështjen u shoqëruan dhjetra persona.
Policia ndoqi cështjen me seriozitet duke pasur parasysh se vetëm në shtator të vitit të kjaluar një gjyqtar i kësaj gjykate u ekzekutua me tritol në mënyrë mafioze mu në mes të qytetit. Gjyqtari Skerdilajd Konomi u ekzekutua më 9 shtator 2011, dhe deri tani ende nuk ka ndonjë të arrestuar në lidhje me këtë vrasje.
Zoti Malaj, si është e vërteta e kërcënimit tuaj nga shtetasi i arrestuar nga policia e Vlorës Mentor Mustafaraj?
E vërteta qëndron se unë jam kërcënuar para një jave dhe jo sot. Fillimisht një person më ka marrë në telefon, duke më ofenduar dhe më pas në celularin tim ka mbëritur një mesazh në të cilin më shkruante se "Kam për tju vrarë vajzën dhe gruan nëse nuk i jepni zgjidhje siç duhet çështjes". Pasi e kam lexuar kam vendosur që të mos ja them asnjë personi, por vetëm drejtuesve të policisë së Vlorës, për hetimin e personit që më kishte dërguar mesazhin.
Mesazhin nuk ja treguat as dhe familjarëve tuaj, gruas ose nënës?
Jo, jo nuk ia kam treguar për shkak se nuk doja që t'i shqetësoja. Çështja kishte të bënte me punën time si gjyqtar dhe mendova që familjarët e mi nuk duhet të futeshin në panik për këto kërcënime. Unë kam vendosur të ndjek vetëm rrugën ligjore. Për këtë çështje falenderoj strukturat e policisë së Vlorës, të cilat brenda një kohe shumë të shkurtër kanë kryer një hetim tepër të shpejtë dhe profesional për identifikimin dhe arrestimin e kërcënuesit.
Nga informacionet që kemi thuhet se Mentor Mustafaraj ka qenë më parë i dënuar për akuzën e "Kallëzimit të rremë"?
Po është dënuar nga Gjykata e Fierit për këtë akuzë. Në mos gaboj dënimi është dhënë në vitin kaluar. Mustafaraj në atë periudhë denoncoi për korrupsion një gjyqtari të Vlorës, por më pas u mësua se kallëzimi ishte i remë dhe për këtë arsye u ndalua së bashku me disa të afërm të tij. Kjo nuk është e vetmja çështje, pasi Mustafaraj njihet dhe si i dënuar në vitin 1993 për akuzën e drogës. Ky person njihet për të tilla skema.
Po çfarë e shtyu të arrestuarin t'ju kërcënonte juve me jetë?
Nuk e di çfarë arsye ka ai me mua, por kohët e fundit është parë të rrijë me shtetasin Astrit Alushi. Ky i fundit ka një proces gjyqësor për prona që po gjykohet në gjykatën e Vlorës. Kjo mund të jetë bërë shkak. Aktualisht gjykimi vazhdon dhe ende nuk është marrë një vendim.