VLORE- Një bankë e nivelit të dytë përgjatë aksit Vlorë-Skelë ka rënë pre e grabitësve të armatosur, të cilët nuk kanë mundur ta “finalizojnë” misionin e tyre, pasi janë prangosur nga policia.
 
Mësohet se dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë hyrë në filialin e bankës duke kërcënuar punonjësit e bankës për t’ju dhënë paratë, ndërsa në këto momente kanë ndërhyrë forcat e policisë të cilët i survjonin prej kohësh.
 
Dy të arrestuarit janë emra të njohur për policinë e qytetit bregdetar, Irakli Halili 28 vjeç, ish-punonjës i INUK i larguar para 1 viti, dhe Skënder Lamaj, 28 vjeç; teksa arrestimi i tyre në flagrancë erdhi pas një hetimi disamujor.

Autorëve u është sekuestruar një automjet tip “Fiat Brava” ngjyrë vishnje me targa TR 2509U me të cilin do të largoheshin pasi të kryenin grabitjen. Në cilësinë e provës materiale nga policia janë sekuestruar edhe: një armë zjarri tip pistoletë; armë elektrike; paruke; dylbi e sende të tjera maskimi (mustaqe).
 
“A1 Report” sjell pamje nga vendi i ngjarjes ku u dallohen qartë pajisjet që përdorën grabitësit, ku dallohet qartë pistoleta, syzet dhe maskat.
 
Në harkun kohor të dy viteve është hera e tretë të ky filial banke bie pre e grabitjeve të armatosura.

Autorët ndiqeshin prej kohësh nga policia, dhe pas arrestimit të tyre po hetohet në lidhje me implikimin e personave të tjerë të kësaj tentative grabitjeje.

Ndërkaq, materialet i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit për procedim të mëtejshëm penal.