Vlorë, 14 shkurt/ATSH-Harilla Koçi/.- Pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Përmes këtij vendimi, sipas specialistëve, shënohet fillimi i ndërtimit dhe funksionimit të strukturave që do të marrin në mbrojtje këto zona natyrore me një profil të veçantë. Por, jo vetëm kaq, kjo shënon edhe pikënisjen e menaxhimit të zonave të mbrojtura dhe shndërrimin e tyre në resurse efektive në dobi të komunitetit.
-Lagunat e Nartës dhe të Orikumit, të pamenaxhuara-
Për zonat ligatinore në Qarkun e Vlorës, ku përfshihen lagunat e Nartës dhe Orikumit, është hartuar dhe miratuar një plan menaxhimi që parashikon, mes të tjerash, krijimin dhe funksionimin e strukturave përkatëse monitoruese dhe menaxhuese. Për këto dy zona të mbrojtura në bazë të një ligji specifik, është bërë hartëzimi i resurseve për zhvillimin e ekoturizmit, janë marrë në analizë ndotjet, si edhe burimet e ndotjes.
Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, Mirela Koçi, thotë se, "Plani i menaxhimit, parashikon në pikëpamje institucionale krijimin e strukturave menaxhuese, në përbërje të të cilave duhet të përfshihen personel administrativ dhe specialistë për zhvillimin e ekoturizmit". Por, megjithëse plani i menaxhimit ka përfunduar prej vitesh, ende këto struktura nuk janë ngritur, çka do të thotë se këto zona janë të pamenaxhuara dhe plani i menaxhimit ka mbetur në letër.
-Përpjekje për përfshirjen e këtyre lagunave në nisma rajonale-
Megjithatë edhe në këto kushte, ka nisma të shkëputura, të pakoordinuara të organizatave joqeveritare që aplikojnë projekte në fushën mjedisore, siç është Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, Qendra mjedisore "Adriatik", etj, të cilat kanë bërë përpjekje që komponentë të këtij plani menaxhimi, t'i përfshijnë në projektpropozimet e tyre. Një nismë e tillë është nisma e këtyre dy organizatave për të marrë pjesë në rrjetin ADRIAPAN (Rrjeti i Zonave të Mbrojtura Detare dhe Ligatinore në Rajonin e Adriatikut), ku bëjnë pjesë edhe organizata dhe institucione publike nga Italia, Kroacia, Bosnje, Mali i Zi, Slllovenia, Greqia dhe Shqipëria, që koordinohen në aktivitetin e tyre nga një sekretariat teknik në Itali. Qëllimi i këtij rrjeti është adresimi i përbashkët i problemeve, por në të njëjtën kohë edhe ndarja e eksperiencave e modeleve respektive.
Faktikisht në Itali, por edhe në Kroaci, të gjitha zonat e mbrojtura kanë një strukturë menaxhimi që operon mbi bazën e fondeve të marra nga buxheti i shtetit dhe ato të Komunitetit Evropian. Ky model po kërkohet dhe të përqaset edhe në realitetin shqiptar. Në rastin konkret po tentohet të ketë projekte konkrete për një zhvillim të qëndrueshëm të këtyre zonave të mbrojtura, që synojnë t'i ruajnë ato nga ndotjet. I tillë është projekti "NARTA AQUA", që tenton të bllokojë ndotjen e lagunës së Nartës nga shkarkimet e pakontrolluara të 16 kanaleve të ujrave të zeza, si dhe të realizojë njëkohësisht çbllokimin e komunikimit të lagunës me detin, çka përmirëson parametrat e mjedisit ujor lagunor, që shoqërohet me përmirësimin e parametrave të florës dhe faunës. Po ashtu, është edhe projekti "Bycycle", që synon zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, përmes krijimit të hapësirave për lëvizjen me biçikleta në këto zona të mbrojtura. Ndërkohë, një rëndësi të veçantë ka projekti tjetër "SSM Nature" "Monitorim përmes platformës satelitore i mjedisit dhe resurseve natyrore", që financohet nga Bashkimi Evropian dhe që shtrihet në zonat ndërkufitare Shqipëri-Greqi. Për këtë, është ngritur stacioni i monitorimit satelitor, i cili merr të dhëna nga platforma satelitore EUMETSAT dhe i grumbullon në një server. Vizualizimi i të dhënave përkatëse, do të bëhet përmes një softëare dhe GIS Sistem. Ky projekt, që implementohet nga AULEDA, mundëson që, për herë të parë në Shqipëri të realizohet monitorimi i mjedisit përmes platformës satelitore, një metodë bashkëkohore dhe tepër e avancuar që aplikohet edhe nga vendet më të zhvilluara.
-Laguna e Nartës, një nga ligatinat e njohura në Shqipëri-
Laguna e Nartës me një sipërfaqje prej 4100 ha, është një nga lagunat më të rëndësishme të vendit, për nga numri dhe llojshmëria e habitateve dhe vlerave ekonomike të saj. Në të ka rezerva të rëndësishme të peshkut në disa lloje si lavrak, koce, ngjala, qefull etj. Para viteve '90-të në këtë lagunë ziheshin 2500-3000 kv peshk në vit, ndërsa aktualisht kjo sasi ka rënë në 500-600 kv. /a.ke/












