Tre ditë më parë dy hajdutë u futën në një dyqan rrobash në Kavajë ku morën një kasafortë me 600 mijë lekë brenda dhe 6 aparate celularë. Vjedhja u denoncua nga menaxherja e biznesit, ndërsa hetimet nisën menjëherë pas kallëzimit. Sot policia njoftoi se për vjedhjen arrestoi një 46 vjeçar në Kavajë, në shtëpinë e të cilit u gjet edhe kasaforta e vjedhur bashkë me një sasi parash. 

Policia ka shpallur në kërkim edhe një 30 vjeçar, i  dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhje.

Njoftimi i plotë i Policisë së Kavajës 

Kavajë/Vodhi kasafortën me rreth 600 000 lekë në një dyqan rrobash, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori.

Shpallet në kërkim bashkëpunëtori. Sekuestrohet kasaforta e vjedhur, me një sasi vlere monetare brenda saj.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve, pas njoftimit të marrë më datë 08.10.2026 nga menaxherja e një dyqani rrobash në lagjen nr. 3, Kavajë, se gjatë natës i kishin vjedhur kasafortën me rreth 600 000 lekë dhe 6 aparate celulare, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, u identifikuan autorët e dyshuar të vjedhjes.

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga shtetasin M. L., 46 vjeç, banues në Kavajë.

Gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale kasaforta e vjedhur, së bashku me një sasi vlere monetare.

Gjithashtu, u identifikua bashkëpunëtori i dyshuar, shtetasi A. S., 30 vjeç, banues në Kavajë, i cili u shpall në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.