Një 30-vjeçar nga Tirana është arrestuar pasi akuzohet si bashkëpunëtor në vjedhjen me armë në vitin 2015 në Tepelenë. Erigers Miahsi, 30 vjeç, dyshohet se ka hyrë në 31 mars të vitit 2015 dhe ka vjedhur banesën e N.Ç, babai i Elton Çiços, që ngeli i vrarë në bllok në 1 maj të vitit 2016. Elton Çiço, u vra në lokalin De Niro në zonën e ish-bllokut. Autori i vrasjes, Jani Aliaj është dënuar në mungesë me burg të përjetshëm, dhe është në kërkim gati 3 vite pas ngjarjes.
Njoftimi i plotë:
Gjirokastër - Operacion i koduar "Yrshek" për zbardhjen e ngjarjeve të vjetra dhe kapjen e autorëve.
Operacioni i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, me qëllim kapjen e një personi të dyshuar si bashkëpunëtor në një vjedhje me armë në vitin 2015 në Tepelenë.
Si rezultat i këtij operacioni, kapet në Yrshek Tiranë, 30 vjeçari E.M, për të cilin Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër kishte urdhëruar ndalimin e tij pasi ka dyshime të arsyeshme se ky shtetas ka marrë pjesë në vjedhjen me armë të banesës së shtetasit N. C. në qytetin e Tepelenës më datë 31.03.2015.
Ndalimi i tij u bë për veprat penale "Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim", "Plagosja e rëndë me dashje" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit".