Vogëlsirat
e partive të vogla

Vogëlsirat<br />e partive të vogla
Stina e verës, po nxehet, e bashkë me të po nxehet dhe marrëdhënia e partive të vogla me kodin e ri zgjedhor. Në mënyrë të përditshme, kryetarët e partive të vogla, zënë ekranet e televizioneve duke deklaruar mbi padrejtësitë e panumërta që i bëhen, nga PS, PD, OSBE. Por sigurisht më e sulmuara është PS, kjo dhe për faktin që përgjithësisht në ambjentet e politikës ballkanike, të sulmosh partinë opozitare, është më e lehtë se atë që është në pushtet. Paradoksalisht dhe partitë që janë në koalicion me PD ja hedhin fajin PS, për mungesën e shanseve të barabarta! Edhe pse do e kishin më të lehtë, sikur ta kishin seriozisht, që të dilnin nga koalicioni nëse kushtet e tyre nuk pranoheshin.
Mendoj që demokracia përfaqësuese është e tillë kur si aktorë politikë ka më shumë se dy, besoj që ndarja e pushtetit është pikënisja e pikëmbërritja e demokracisë. Por ajo që më shqetëson është mënyra se si e shohin partite e vogla pozicionin e tyre.
Në Europën Perëndimore aty ku aspirojmë të shkojmë jo vetëm si integrim institucional, por mbi të gjitha si pjesë përbërëse kulturore dhe politike, roili i partive të vogla është mbi të gjitha besnikëria ndaj asaj që përfaqësojnë dhe lobimi në qeveritë ku bëjnë pjesë të ideve që i kanë ndërtuar. Rastet janë të pafundme, mund të flasim këtu për partinë e Gjelbër në Gjermani, për të majtën e të djathtën radikale në Francë, për të mos folur për rastin e Greqisë kur një parti e vogël si Syriza u bë domethënëse në skenën politike, pikërisht prej besnikërisë që tregoj në idetë e veta. Po a mund të themi të njëjtën gjë për partitë e vogla në Shqipëri?
Të nisim me të parën, a janë partitë tona besnike ndaj ideve dhe elektoratit të tyre? Ose më mirë të themi, a kanë partitë e skenës tonë politike sot një program besnik ndaj asaj që pretendojnë se përfaqësojnë? Rasti më skandaloz padyshim është ai i LSI, e cila pasi trumbetoj “të majtën e vërtetë”, shkoi dhe bëri një martesë të lumtur me të djathtën, duke qeverisur tanimë dhe jo me pak probleme për tre vjet me rradhë. Republikanët, të cilët pronën e kanë në qëndër të programit të tyre, nuk e thanë asnjë gjysëm fjale, kur partia me të cilin qeverisin tani e 7 vjet, e ka dërrmuar pikërisht pronën kudo e kurdoherë gjatë qeverisjes së tyre, para ‘97 e pas 2005. Madje dhe partitë të ndërtuara me një sfond identitar si PDIU, të cilët trumbetojnë ekzistencën e tyre si mbrojtëse të një komuniteti specifik, janë transformuar në dallaveraxhinj të pushtetit. Deklaratat e tyre janë shumë problematike, si psh “ne do jemi gjithmonë në qeveri për të mbrojtur komunitetin e të drejtat tona”!! Pra dhe me ato parti të cilat cështjen kombëtare nuk e kanë fare në program?! Pyetja që mbeti pa përgjigje e gazetares Ilva Tare, se si e ndihmon komunitetin çam drejtoria e patentave, është logoja e një politike e bazuar vetëm mbi interesa momentale e jo largpamësi. Deklarata të ngjashme këto ditë kanë ardhur dhe nga Milo, i cili pasi ia ka vënë emrin partisë “demokracia sociale”, deklaron që do jetë me çdo kusht në qeverinë e ardhshme, duke supozuar kësisoj që do ishte i gatshëm që të bëhej pjesë dhe e një qeverie të formuar nga PD. E cila në programin e saj nuk ka asgjë sociale, e aq më pak demokratike.
Skena politike shqiptare ka nevojë jo vetëm për parti të vogla, por dhe për grupe presioni, për një rilindje të shoqërisë civile, të sindikatave e këshillave studentore. Por sigurisht duke plotësuar së pari kushtin e besnikërisë ndaj idesë që i krijoi. Kjo i bën sot partitë e vogla të dobëta në negociata dhe të pafuqishme në terren, e është pikërisht kjo sjellje meskine, që e krijon amullinë në mendjen e qytetarit, i cili e mbyt kështu pasivitetin e tij, nën sloganin qeveritar të gjithë janë njëlloj se të gjithë luftojnë për pushtet personal.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia