Të ftuar ishin anëtarët e Komisionit për Punën , Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë, anëtarët e nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut si dhe anëtarët e Aleancës së Grave Deputete (AGD).
Kryetarja e Nënkomisionit për Çështjet e të Miturve, Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje, Olta Xhaçka tha se sa i takon dhunës me bazë gjinore apo përpjekjeve për përmirësimin e cilësisë së jetës së grave dhe të vajzave, është vendosur që të ketë një bashkëpunim më të mirë, majtas dhe djathtas, ndaj në mbledhjet që do të zhvillohen, do të ketë gjithmonë përfaqësues të komisioneve dhe të nënkomisioneve.
"Si përfaqësuese e mazhorancës, por dhe kryetare e Forumit të Gruas së partisë që unë përfaqësoj, ndihem vërtet mirë që qeverisja sociale ka bërë një hap të domosdoshëm përpara duke u mbështetur në funksione shumë të rëndësishme vendimmarrëse gra dhe vajza , duke sjellë shembull frymëzues, por dhe duke dëshmuar përkushtimin e qeverisë për ta emancipuar mentalitetin mbrapsht që diskriminon gratë dhe vajzat në vendin tonë. Kjo sigurisht është e kënaqshme, por është shumë larg nga të qenurit qoftë edhe afërsisht e mjaftueshme, jo për aq kohë sa foltorja e parlamentit shfrytëzohet akoma për të marrë në gojë, nënat, fëmijët etj, në një përpjekje shumë të shëmtuar për të denigruar dhe për të intimiduar gratë, siç bëhej deri pak dhe vazhdon të bëhet jo më larg se dje kur insinuatat për djemtë nuk lanë për të përfshirë me denigrim dhe nënat", tha znj. Xhaçka duke shtuar se një retorikë e tillë frymëzon dashje apo pa dashje dhunën.
Kryetarja e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut, Vasilika Hysi paraqiti disa prej masave që duhen ndërmarrë. "Në kuadër të planit të veprimit që kemi hartuar, të gjitha propozimet që institucionet e pranishme në këtë dëgjesë, por dhe organizatat e shoqërisë civile kanë në dorë për të bërë ndryshime në ligje të ndryshme, t'i depozitojnë qoftë në institucionet përkatëse për të ardhur si nisma të qeverisë, ose për t'u futur si nisma deputetësh. Kemi marrë si angazhim për të paraqitur si paketë të gjitha ndryshimet e nevojshme për të mbrojtur më mirë gratë, jo kur janë viktimë, por për të parandaluar dhunën në familje ose në shoqëri. Një nismë tjetër është që do të shkojmë në terren aty ku dhuna është shumë e pranishme dhe ku mekanizmat vendorë nuk na kanë funksionuar sa dhe si duhet", tha znj. Hysi.
Kryetarja e Komisionit për Punën , Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë, Albana Vokshi kërkoi që të dëgjohet shoqëria civile me qëllim pasjen e një platforme të përbashkët për të ndihmuar në parandalimin e dhunës.
"Do ishte rasti që ne të dëgjojmë shoqërinë civile. Unë nuk kam dëgjuar reagim të shoqërisë civile deri më sot për nismën që kemi marrë. Le të dëgjojmë shoqërinë civile, cili është mendimi i tyre për t'ia bashkëngjitur apo se cilat janë propozimet konkrete të tyre se si mund të ndihmojmë të gjithë sëbashku për të pasur një platformë të përbashkët për parandalimin e dhunës në familje që ne e kemi quajtur "Aksionin kombëtar kundër dhunës në familje".
Komisioneri në institucionin e Avokatit të Popullit, Arben Shkëmbi tha se një nga shkaqet e dhunës në familje është edhe ai ekonomik.
"Në praktikë shpesh gratë nuk i gëzojnë të drejtat e tyre sikurse burrat. Kjo pabarazi është e prekshme në shumë fusha të jetës. Megjithë punën ndërgjegjësuese që është bërë veçanërisht gjatë viteve të fundit, për të sensibilizuar publikun, qëndrimet ndaj dhunës nuk kanë ndryshuar shumë. Përkundrazi në periudha të ndryshme edhe janë shtuar. Kërkohet zbatimi i masave të parashikuara në strategjinë kombëtare për barazinë gjinore dhe kundër dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje për vitet 2011-2015.
Të pyetur nga deputetja Albana Vokshi se sa ishte numri i denoncimeve për dhunë, përfaqësuesit e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë thanë se për vitin 2013 kanë qenë 341 raste, ndërsa në vitin 2014 kanë qenë 485 raste.
Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku tha se rekomandimi i parë është që komisioni të jetë pjesë e mekanizmit kundër dhunës sepse nuk është aktualisht pjesë e mekanizmit. "Kemi bërë trajnimin e nëpunësve vendorë, në mënyrë që çdo shërbim, të ofrohet në zbatim të ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi. Kemi pasur një sërë trajnimesh me gjyqtarët dhe e kemi vendosur fokusin edhe të çështjet që kanë të bëjnë me vendosjen e urdhrave të mbrojtjes dhe të urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes", tha znj. Baraku duke shtuar se ka edhe mjaft dispozita ligjore të cilat bëhen shkak për diskriminimin mbi bazë gjinore./ATSH/