Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe kanë lobuar pranë Komisionit Evropian për të lejuar hapësira që i mundësuan Volkswagenit (VW) dhe me shumë mundësi edhe prodhuesve të tjerë të makinave, të regjistrojnë vlera të ulta në testet për ndotje, sipas një raporti të publikuar sot.
 
“Këto tre vende ‘kanë dhënë një shtysë që të mbeten hapësirat’ në sistemin aktual të testimit, i shpikur në vitin 1970 dhe i përmirësuar në vitin 1990, ndërsa një procedurë e re e mbështetur nga OKB-ja, ‘World Light Vehicles Test’, do ta zëvendësojë në vitin 2017”, shprehet “the Guardian” duke cituar dokumente konfidenciale që kanë rrjedhur.
 
“Është e papranueshme që qeveritë, që me të drejtë kërkojnë një hetim të BE-së ndaj Volkswagenit për manipulim të testeve kundër ndotjes së ajrit, njëkohësisht të lobojnë mbrapa dyerve për të vazhduar manipulimin e testeve për prodhim të gazit CO2”, tha Greg Archer, ekspert për pastërtinë e automjeteve në thinktankun “Transport and Environment”, për “the Guardian”.
 
“Regullatorët e CO2-shit nuk duhet të dobësohen nëpërmjet mbështetjes së manipulimit të testeve në mbrapaskenë”, u shpreh Archer.
 
Drejtori i përgjithshëm i grupit Volkswagen dha dorëheqjen dje pasi kompania pranoi përdorimin e pajisjeve për manipulimin e testeve për ndotje për automjetet me motor diesel në SHBA.
Archer paralajmëroi se “skandali në SHBA është vetëm maja e ajsbergut dhe me shumë mundësi do të prekë edhe prodhues të tjerë ose tregje të tjera”.
“Skandali i VW-it në SHBA, dhe me shumë gjasa do të vazhdojë edhe në Evropë, tregon se krejtësisht sistemi i testimit të automjeteve nuk është me qëllim i përshtatshëm”, kishte deklaruar Archer këtë javë./ATSH/


Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com)