Kreu i bashkisë së Tiranës,  Erion Veliaj nëpërmjet një komenti në rrjetet sociale i është përgjigjur kryetares së bashkisë së Shkodrës në detyrë, Voltana Ademi  për sa i përket festimeve për 75 vjetorin e çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashist.

Ademi, e cila në një deklaratë për mediat, u shpreh e shqetësuar për atë që po ndodhte në Tiranë me nderimin e heronjve të luftës duke thënë se nuk mund të qëndrojnë në një vend perskekutorët me të përsekutuarit.

 Nisur pikërisht nga kjo ndërhyrje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nëpërmjet një komenti në rrjetet sociale i ka kujtuar Voltana Ademit që të mos ndërhyjë në punët e qyteteve të tjera por të merret me punët e saj në Shkodër.

“Kanë një shprehje epike tironcit, graj gamorin tat o goce!”, shkroi Veliaj.

Tirana i është bashkuar nismës së qeverisë për të nderuar ashtu siç e meriton 75 vjetorin e çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashist. Për këtë qëllim, krahas ndërhyrjeve në të gjitha objektet që nderojnë rolin dhe luftën e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, dëshmorët si Qemal Stafa, Vojo Kushi, Mujo Ulqinako, Vasil Shanto, e shumë të tjerë që sakrifikuan jetën e tyre për të sjellë çlirimin e atdheut janë ekspozuar në bulevardin që mban emrin “Dëshmorët e Kombit”.

Tirana do jetë kryeqendra e të gjitha festimeve me rastin e 75 vjetorit të çlirimit të vendit që këtë jubile organizohen nën kujdesin e qeverisë.