Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur në Kryeministri, ku është pritur nga kryeministri Edi Rama. Tirana është ndalesa e parë e turit të saj në katër shtete të Ballkanit. Ecuria e procesit të integrimit pritet të jetë në qendër të bisedimeve, ndërsa gjatë vizitës von der Leyen do të takohet edhe me presidentin Bajram Begaj.

Pak metra më tutje, një grup qytetarësh janë mbledhur në protestë. Policia e Shtetit ka vendosur një kordon sigurie te ura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të mos lejuar kalimin e protestuesve në drejtim të Kryeministrisë.

Presidentja e KE-së vjen në Tiranë edhe me një plan për një udhërrëfyes të posaçëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, që synon t’i ndihmojë këto vende në rrugën drejt anëtarësimit.

Plani parashikon reforma prioritare, afate orientuese dhe objektiva për përfundimin e fazave të negociatave. Në këmbim, edhe vendet anëtare të BE-së do të kenë angazhime për të avancuar procesin. Vendimet kyçe kërkojnë miratimin unanim të vendeve anëtare.

BE-ja po shqyrton gjithashtu një model të integrimit gradual të vendeve kandidate. Vendimtare janë edhe datat 6 tetor, kur pritet të paraqitet rishikimi i politikës së para-anëtarësimit, dhe 15-16 tetor, kur liderët e Unionit do të diskutojnë zgjerimin dhe reformat e brendshme.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:58
Von der Leyen në Tiranë, protestë tek bulevardi pranë Kryeministrisë! Përplasje me policinë

 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ndodhet në Tiranë në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor, me fokus procesin e integrimit evropian të vendeve të rajonit.

Në kuadër të masave të sigurisë për vizitën, bulevardi pranë Kryeministrisë është bllokuar për qarkullimin, teksa në zonë janë vendosur gardhe metalike dhe efektivë të shtuar policie.

Megjithatë pavarësisht kësaj disa qytetarë janë mbledhur në shenjë proteste. Nga videot e siguruara nga Report Tv shihet se ata kanë patur dhe përplasje me policinë.

“Arrestoni Ramën”, dëgjohen të thonë ata.

Ora 16:51
Ursula Von der Leyen mbërrin te Kryeministria, takohet me Ramën

1790780486_ursulavonderleyenedirama.png

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen ka mbërritur te Kryeministria.

Von der Leyen u prit nga kryeministri Edi Rama.

Ora 16:43
Pas pak takimi të Ursula Von der Leyen me Ramën, disa protestues nisen në drejtim të Kryeministrisë! I bllokon policia

 

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen pritet të mbërrijë pas pak në Kryeministri ku do të takojë kreun e qeverisë Edi Rama.

Disa protestues shkuan në drejtim të kryeministrisë në shenjë proteste, por policia ka marrë masa dhe ka vendosur kordon sigurie te ura te bluevdardi “Dëshmorët e Kombit“ për të mos lejuar kalimin e tyre në drejtim të godinës qeveritare.