Vonesa në dixhitalizim rrezikon
bllokimin e TV nga vendet fqinje

Vonesa në dixhitalizim rrezikon<br />bllokimin e TV nga vendet fqinje
TIRANE- Autoriteti i Medias Audiovizive ka njoftuar dje i alarmuar operatorët kryesorë televizivë në vend se pret prej tyre “angazhimin maksimal për një bashkëpunim serioz dhe intensiv, si dhe mirëkuptimin për zgjidhjen e problematikave, që mund të shkaktohen nga mosrespektimi i afatit të kalimit në transmetimet digjitale”.
 
Çfarë ka ndodhur?
 
Ajo që pritej të ndodhte, ndodhi. Sikurse e kishte denoncuar dhe parashikuar Shqiptarja.com në një seri artikujsh në mars të këtij viti, nga dikasteri i Inovacionit dhe Teknologjisë pati një vonesë të pashpjegueshme dhe mëdyshje të pajistifikueshme, të cilat kanë bërë që procesi i digjitalizimit të transmetimeve televizive në vend të mos arrihet të bëhet në kohën e duhur.
 
Është pranuar nga dikush dështimi në kapjen e afatit?
 
AMA pranon pikërisht këtë. Citojmë: “Implementimi i plotë i strategjisë së kalimit në transmetimet numerike dhe afati përfundimtar i mbylljes së transmetimeve analoge është i pamundur të realizohet brenda afatit të përcaktuar në legjislacionin në fuqi, datës 17 qershor 2015”. Afati për mbylljen e gjithë procesit ishte dita e nesërme, ndërkohë që puna ende nuk ka filluar.
 
Çfarë pasojash do të ketë një situatë e tillë e krijuar?
 
Mosrespektimi i afatit ligjor për mbylljen e transmetimeve analoge ka si rrjedhojë mospërmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare të vetë shtetit shqiptar. Edhe pse marrëveshja GE-06, ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, nuk parashikon ndonjë penalitet, është e qartë që do të jemi në kushtet që, në rast interferencash të valëve të transmetimeve me fqinjët, do të privohemi nga e drejta e një mbrojtjeje juridike, të mbështetur në akte normative. Shtetet fqinjë, në rast se do të ketë interferenca të dëmshme, të shkaktuara nga pala jonë, do të kenë të drejtë të kërkojnë ndërprerjen e transmetimeve.Po ashtu, vonesat në procesin e digjitalizimit shoqërohen edhe me kosto financiare, si për operatorët audiovizivë ashtu edhe per ato të komunikimeve mobile, pasi brezi i frekuencave të Digjital Dividendit I (790 – 862 MHz), pas lirimit, do të duhet të përdoret nga operatorët e telefonisë celulare, të cilët do të aplikojnë teknologji të reja në telekomunikim.
 
Pra, jo vetëm kemi vonesa, por vetë vonesa shkakton një zinxhir problematikash. Kush është fajtor?
 
Nuk mund të thuhet që kanë qenë ndërkombëtarët që kanë penguar. Më 20 mars, kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, deklaroi se nevojitet angazhimi i fortë politik i drejtuesve të vendit në mënyrë që Shqipëria të bëjë digjitalizimin e transmetimeve audiovizive brenda afatit ndërkombëtar.

Por, pas tij, ka qenë kryeministri Edi Rama që pohoi se digjitalizimi i Radio Televizionit Shqiptar dhe kalimi i transmetimeve nga analoge në dixhitale do të përfundojë brenda 6 muajve dhe jo në qershor, siç ishte parashikuar të kryhej. Duke folur një ditë pas firmosjes së kontratës me kompaninë gjermane Rohde&Schwartz, Rama theksoi se kjo marrëveshje u arrit në një kohë kur qeveria shqiptare ishte e imponuar për të gjetur një zgjidhje.

Në fakt, problematika ka nisur që në kohën kur qeveria Berisha, nëpërmjet ministrit Genc Pollo, u përpoq të ndërhynte pë procesin e prokurimit, për të ndikuar në përzgjedhjen e operatorit që do të kryente procesin teknikisht.
 
Kjo u cilësua si një praktikë korruptive nga ish-opozita. Por, kur erdhi në pushtet, qeveria e re pse nuk korrigjoi gabimet e paraardhësve?
 
Pas një seri shtyrjesh, ministrja e Inovacionit nënshkroi me shoqërinë gjermane Rohde&Schwartz  kontratën për digjitalizimin e RTVSH. Çmimi ishte ai që ishte fiksuar në garën e drejtuar në qershor të vitit 2013 nga ministri Genc Pollo i Partisë Demokratike, pra 21.56 milionë euro. Pyetja e parë, që shtruam edhe ne tek Shqiptarja.com, ishte se ç’kuptim pati vonesa për dy vjet, kur nuk iu kursyen qeverisë dhe vendit as edhe një qindarkë dhe kur nga subjekti fitues nuk u arrit të merrej asnjë lëshim tjetër çfarëdo.

Pyetja e dytë lidhej me procedurat e garës. Vetë Pollo e konsideroi tenderin aq pak transparent, saqë, ndoshta për të shmangur pasoja gjyqësore, vendosi ta anulojë. Shoqëria gjermane Rohde&Schwartz paraqiti rekurs në Gjykatë dhe ministrja Milena Harito u paraqit si palë kundërshtare.

Ministria e Inovacionit e pranoi humbjen në shkallë të parë dhe nuk paraqiti apel “për të mos humbur më kohë”.
Problemi i tretë kishte të bënte me afatet. Ministrja Harito deklaroi se “nënshkrimi i kontratës për kalimin e RTSH në transmetime digjitale mundëson respektimin e afatit botëror për transmetimet audiovizive”. Afati për kalimin përfundimtar në digjital të transmetimeve të televizioneve shqiptare ishte 17 qershori. Rezultati? Shqipëria, për fat të keq, mbeti i vetmi vend në rajon dhe në Evropën perëndimore që të mos ketë nisur ende procesin e digjitalizimit, të cilin të tjerët, në të kundërt, e kanë përfunduar prej kohësh.
 
Nuk ka ende kohë të mjaftueshme që të përfundojë procesi?
 
Së pari, afati përfundon nesër. Në një ditë nuk mund të ndodhë as edhe një mrekulli.
Së dyti, po të ndjekim projektin se në ç’fazë ndodhet, shohim se ende në Kuvend po diskutohet në grupe një projektligj për financimin, me paratë e shtetit, që ka kërkuar një hua prej 20 milionë eurosh nga Deutsche Bank, për të financuar aparatet dekodues. Jemi shumë muaj larg realizimit, ndërkohë që ende nuk kanë ardhur paratë e duhura, nuk janë marrë masat për realizimin e kushteve që kërkon kompania fituese e tenderit, që kanë të bëjnë me shmangien nga taksa doganore dhe TVSH e këtyre aparateve, etj.
 
Çfarë kërkon AMA me thirrjen që u bën operatorëve?
 
Është qesharake që Autoriteti i Mediave Audiovizive paralajmëron operatorët televizive që të marrin masa, pasi, nëse shkaktojmë interferenca te fqinjët, mund të jemi të detyruar të mbyllim fare transmetimet. Operatorët kanë faj për një gjë të tillë? Kush e vonoi procesin? Le të paguajë ministria që e shkaktoi këtë situatë!


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin