Vonesa në kërkimin dhe gjetjen e të pushkatuarve gjatë regjimit komunist

Vonesa në kërkimin dhe gjetjen e të pushkatuarve gjatë regjimit komunist

Ish- të përndjekurit Shkodër

Në takimin e zhvilluar në prani të përfaqësuesve të Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish- Sigurimit të Shtetit, kryetari i shoqatës se ish të burgosurve politikë të Shkodrës, Zenel Drangu, tha se, megjithë premtimet, ende nuk kanë nisur në terren gërmimet për gjetjen e trupave të kundërshtarëve politikë të pushkatuar gjatë regjimit komunist.

“Ka mbetur në kuadër të fjalëve dhe se bëhet pengesë një vendim i Këshillit të Ministrave. Tek varrezat e Rrmajit dihet se gjenden 10 të ekzekutuar dhe Autoriteti i Dosjeve ka thënë se po fillojmë sot, po fillojmë nesër, por deri tani nuk është bërë asgjë. Ka qenë fjala për të filluar gërmimet tani, në muajin shtator, por nuk u bë e mundur. Të paktën të nisë puna për t’u gjetur ata që mund të gjenden, me qëllim që familjarët e tyre te kenë një vend varrimi ku të çojnë një tubë me lule”, thotë ai.

Anëtari i bordit drejtues të Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit, Gjergj Marku, tha gjatë takimit se pritet një vendim i qeverisë, i cili do të mundësojë nisjen e gërmimeve për gjetjen e eshtrave të ekzekutuarve gjatë komunizmit.

“Ne aktualisht presim edhe një VKM që shpresojmë të bëhet nga qeveria për të filluar me gjetjen e tyre. Në këtë moment jemi në kuadrin e kërkimit dhe gjetjes së dëshmive. Kemi caktuar vendet e ngjarjeve në të gjithë territorin e Shqipërisë ku ne mendojmë dhe shpresojmë të gjejmë këto persona të zhdukur në regjimin komunist”, thotë ai.

Prej të paktën 5 vitesh Autoriteti, në bashkëpunim me familjarët dhe institucionet, po punon për evidentimin e vendit te pushkatimit të kundërshtarëve politikë të regjimit.

Në vitin 2018 qeveria e Shqipërisë nënshkroi një marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, por deri tani puna eshtë në fazën përgatitore dhe gërmimet në terren për gjetjen e eshtrave ende nuk ka filluar. Ndërkohë, familjarët e të zhdukurve vazhdojnë ende të kërkojnë mes malesh, por edhe tek institucionet, me shpresën se në arkivat e kohës së diktaturës do të kenë mbetur gjurmë të krimit.

Kolë Vladaj, nga Shala e Dukagjinit, thotë se prej 33 vitesh vazhdojnë të kërkojnë eshtrat e gjyshit të tyre, të ekzekutuar pa gjyq në vitin 1945, dhe ende nuk i kanë gjetur. Ai thotë se kanë kërkuar ndihmë edhe tek autoriteti i dosjeve për të gjetur gjurmë të vendit të ekzekutimit, por kjo ka qenë e pamundur.

Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të ish të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, Et’hem Fezollari, thotë se ende në institucione ka persona të së kaluarës që pengojnë procesin e gjetjes së të zhdukurve në komunizëm.

“Mjaft me mashtrime. Populli është i ngopur. Ne i kemi vënë detyrë vetes që kjo punë të shkojë deri në fund. Të mos ngelin në harresë”, thotë ai.

Gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri mendohet se u ekzekutuan, me gjyq dhe pa gjyq, rreth 6 mijë kundërshtarë politikë. Pas rrëzimit të komunizmit, familjarët nisën me nxitim kërkimet dhe rreth 2 prej tyre u gjetën dhe u rivarrosën me nderime./VOA

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?