Shfrytëzimi i pasurive natyrore dhe nëntokësore në territorin e Mirditës po kthehet në një shqetësim serioz për komunitetin.
Sipas tyre, aktivitetet minerare dhe koncesionet e shumta po shkaktojnë dëme të mëdha mjedisore dhe sociale, duke ndikuar drejtpërdrejt në shpopullimin masiv të kësaj bashkie.
Ky shqetësim u ngrit gjatë një takimi të përbashkët me përfaqësues të organizatave mjedisore, ku u theksua se, ndonëse Mirdita është e pasur me burime natyrore, këto pasuri nuk janë përkthyer në përfitime për komunitetin lokal.
“Ka një dyndje e pushtetit qendror dhe lokal për të zhvatur. Ka një shfarosje të popullsisë”, tha Gjon Pjetri, banor.
“Censusi para dy viteve ishte 13 500 banorë. Sot Mirdita është poshtë 13 mijë banorë. Unë di që 10 familje kanë ikur nga Rrësheni, është një ikje dramatike. Por ku duhet të investojmë”, tha Gjergj Marku, gazetar.
Përfaqësuesit e organizatave mjedisore u shprehën se është domosdoshmëri bashkëpunimi i të gjithë aktorëve për të ndikuar në vendimarrje, si një mënyrë për të mbrojtur pasuritë e Mirditës.
“Do të mundoheni që të bëjmë lobimin për të ndryshuar paketën ligjore. Të gjitha problemeve do t’i jepet një zë”, tha Irena Duke.
“Është nevoja për një bashkëpunim për të reaguar si ndaj vendimeve, ligjeve apo apo dëmeve të tjera që bëhen në këto zona të mbrojtura”, tha Mentor Kikia.
Sipas të dhënave të censusit të fundit, Bashkia Mirditë numëron rreth 13 mijë banorë, një shifër që tregon qartë një tendencë shqetësuese të shpopullimit, veçanërisht në fshtrat e kesaj zone.
Komente









