Tashmë është hyrë në një fazë të rrezikshme kur mund të ndodhë dështimi në jetësimin e Marrëveshjes së 19 prillit.

Me 10 maj janë bërë tri javë që prej se në Bruksel u arrit Marrëveshja e Parë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Me 10 maj janë bërë dy javë prej datës (26 prill), kur është dashtë të hartohet Plani për zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit.

Dy takimet e Delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë nuk dhanë rezultatet e pritura në arritjet e këtij synimi nga Marrëveshja e parafuar fillimisht nga Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, dhe të votuar me shumicë absolute në Kuvendet e këtyre dy shteteve.

Me 28 qershor Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian do ta vendosë fatin e rezultatit të këtij procesi për Kosovën dhe Serbinë, ashtuqë Kosovës do të duhej t’i ofrohej fillimi i procesit të MSA-së (Marrëveshjes së Stabilizimi-Asociimit), ndërsa Serbisë data për nisjen e bisedimeve për hyrjen e Beogradit në BE.

Është rrëfim në vete që fati i MSA-së për Kosovën në asnjë mënyrë nuk është dashtë të lidhet me rrjedhën e këtyre bisedimeve, por jemi ku jemi, dhe ky qëndrim i Brukselit vështirë që do të ndryshojë.

Që prej janarit të këtij viti është përsëritur qindra herë prej vetë autoriteteve të BE-së në Bruksel, dhe prej kryeqendrave evropiane, që Marrëveshja si e tillë, nuk është vlerë në vete që automatikisht hapë pak më shumë dyertë e BE-së për Kosovën dhe Serbinë, apo që në këtë aspekt, gjithçka do të varet prej implementimit të saj. Poashtu, është shtuar gjithnjë që zbatimi i saj, në masën më të madhe, në atë kryesoren (në segmentin e sigurisë), duhet të ndodhë jo më vonë se deri kah mesi i qershorit.

Takimi i radhës në nivelin më të lartë, atë të Kryeministrave, pritet të ndodhë me 21 maj, pak më shumë se një muaj pas bërjes së Marrëveshjes, dhe diku pesë javë para se të mirret vendimi i instancave më të larta të BE-së.

Nga ky rekapitulim i thjeshtë dhe i bazuar fund e krye në të dhënat që nuk kontesohet prej askujt, në Kosovë, në Serbi dhe në Perëndim, del që tashmë është hyrë në një fazë të rrezikshme kur mund të ndodhë dështimi, i cili kërcënohet në disa forma: Ose si një Marrëveshje e vonuar për zbatimin e dakordimit të 19 prillit, ose si dështim bazik në vetë arritjen tek Plani për jetësimin e Marrëveshjes, ose si vonesë e madhe gjatë vetë sendërtimit të saj në terren, në Veriun e Kosovës.

Kah te kqyrësh, si thuhet, dalin telashe të shumta dhe parashikime aspak optimiste që një proces që objektivisht është i pakthyeshëm, do të hasë në pengesa të shumta adresimi dhe tejkalimi i të të cilave kërkon një qasje urgjente, e cila, në anën tjetër është në shpërputhje me përpjekjet e autoriteteve të Serbisë për t’i bindur prijësit e serbëve të veriut, për pranimin e Marrëveshjes së prillit.

Edhe para se të viheshin nistoret në Dokumentin e Catherine Ashton-it, nga Ashton, Kryeministri Thaçi dhe Kryeministri Daçiq, është ditë që ky dialog, do të kalojë nëpër së paku pesë faza, ku secila prej tyre ka rëndësinë dhe peshën e vet, për të mbërri tek krijimi i rrethanave më të volitshme në relacionet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Faza e parë ka marrë fund me 19 prill, me pranimin e Marrëveshjes së Parë.

Faza e dytë ka nisë menjëherë atë ditë, dhe ka nënkuptuar periudhën kalimtare, në mes të vetë parafimit të Marrëveshjes, pranimit të saj në Kuvendet e dy shteteve, dhe arritjes së dakordimit për Planin për zbatimin e saj. Aktualisht, dialogu gjindet në këtë fazë, pa atë qartësinë e duhur e cila do të paralajmëronte hyrjen në fazën e tretë, mbase më të rëndësishmen.

Faza e tretë ndërlidhet me fillimin e jetësimit të Marrëveshjes në fushën më të rëndësishme të sigurisë, kur do të pushonin së ekzistuari, do të zhbëheshin pra, strukturat serbe të sigurisë dhe do të rekrutoshin, me procedurat e rregullta, pjestarët e ri të Policisë së Kosovës, të FSK-së, të AKI-së.

Faza e katërt na çon në vjeshtën e këtij viti, kur do të duhej të mbaheshin zgjedhjet lokale në Kosovë, dhe tok me to, do të ndodhte legjitimimi i udhëheqësisë së re lokale në gjithë vendin, duke përfshirë këtu edhe dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe.

Faza e pestë do të kishte domethënien, nëse kalohen si duhet këto të mëparmet, që Kosova ka nisë të funksionojë si duhet si shtet në gjithë territorin e vet, ndërsa Kosova dhe Serbia kanë hyrë në kaptinën e paparë në historinë e tyre – e cila do të mund të quhej, nëse gjithçka do të ecën ashtu si duhet, si periudha e normalizimit të marrëdhënieve.

Normalizimin e raporteve do të shfaqej pastaj edhe në trajtë të dialogut të hapur për çështje të mbetura nga e kaluara e hidhur, dhe për mënyrën e bashkëpunimit të këtyre dy shteteve në të ardhmen e afërt dhe më vonë.

Dhe gjithçka në këtë kontekst do të mund të kryhej deri në vjeshtën e vonë të këtij viti, ashtuqë me 1 janar të vitit 2014, Kosova do të kishte një pamje dhe një organizim ndryshe, shumë më të mirë se sa që e kishte me 1 janar të vitit 2013.

Fjala është pra për gjashtë-shtatë muajtë më të rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Poqëse humbet ky rast, e lajme të tilla paralajmëruse ke ditëve të mbrama, atëherë, këta muaj do të shfaqen në trajtën më të rrezikshme të mundshme për sigurinë dhe stabilitetin në Veri të Kosovës dhe më gjërë.

Nga Blerim Shala