'Vorio Epiri' Zhvendosja e shtetit grek drejt tezave të qarqeve nacionaliste

'Vorio Epiri'  Zhvendosja e shtetit grek drejt tezave të qarqeve nacionaliste

Shqiptarja.com boton pjesa e përfundimeve të studimit, të studiuesit Ardit Bido, ku ai analizon një zhvendosje të pretendimeve të shtetit grek nga popullsia që Shqipëria njihte për minoritare drejt pretendimeve të nacionalistëve grekë, që pretendojnë edhe “Vorio Epirin”.

Po ashtu, paraqiten tabelat e plota të të dhënave demografike nga regjistri i gjendjes civile, të fshatrave ortodokse shqiptare të zonës që Greqia i njeh si minoritare, si dhe tabelat e pretendimeve të palëve dhe diapazonit real të minoritetit dhe fluiditetit. Përfundimet e studimit janë pjesë e librit “Beteja për 20 përqindshin: Fluiditeti etnik, statistikat demografike dhe implikimet politike në Himarë dhe Konispol” që do të botohet ditët në vijim.

Në këtë studim, Bido paraqet arsyet pse në Himarë dhe Konispol ka individë që vetëidentifikohen grekë dhe analizon të dhënat demografike për të prodhuar statistikat se sa ata janë. Për herë të parë, paraqiten të dhënat e kombësisë nga regjistri i gjendjes civile, si dhe numri minimal dhe maksimal i atyre që kanë kombësi shqiptare në regjistër por vetëidentifikohen grekë që nuk i kalojnë 15% në asnjë prej dy bashkive. Bido paralajmëron për një plan grek për greqizimin e bashkive Himarë dhe Konispol, përmes vetëdeklarimit të rremë të mbi 20% të banorëve si grekë.

Kjo do të bënte që nga Qafë Bota në Llogara të duhet të ngrihej flamuri grek krah atij shqiptar në institucionet shtetërore dhe greqishtja të bëhej gjuhë e dytë zyrtare me tabela e shkolla dygjuhëshe duke prodhuar një varësi afatgjatë të Shqipërisë nga Athina zyrtare. Ai analizon se si shteti grek ka një zhvendosje graduale nga viti 1991 në vitin 2012 me kahun e tezave të qarqeve nacionaliste që pretetendojnë “Vorio Epirin”, përmes mekanizmave si shtetësitë, pensionet dhe personazheve influentë si Fredi Beleri dhe kryepeshkopi Anastas Janullatos, e ka zhvilluar këtë strategji për censusin 2023.

Përfundime

Siç u pa më sipër në këtë punim, fluiditeti i identitetit etnik dhe kombëtar është një proces gradual i negocimit në një proces politik mes elementeve përbërëse të nëngrupit të popullsisë dhe kritereve që përcakton shumica. Shteti shqiptar ka përfunduar në dobinë e vet kombëtare, duke stabilizuar fluiditetin për shumicën e grupimeve me identitet fluid që ka pasur në territorin e vet, si shumica e vllehve (shqiptaro-vllehtë myzeqarotë, frashërotë dhe moskopolitë), boshnjakët, gollobordasit, goranët. Ndërkaq, ka marrë fund fluiditeti i identitetit në fshatrat me prejardhje shqiptare të Bashkisë së Dropullit, përmes greqizimit të tyre. Grupet që kanë ende identitet fluid në Shqipëri, janë një pakicë e vllehve të Korçës dhe Xarrës (kuçovllehtë pindjanë dhe gramozjanë) dhe fshatrat me prejardhje greqishtfolëse të bregut: Himarë, Dhërmi dhe Palasë.

Vetëdeklarimi i identitetit nuk është sinonim i vetidentifikimit. Vetidentifikimi, si një nocion i mirëtrajtuar në shkencat politike mbi pakicat, është e vetmja formë e ekzistencës së identifikimit kombëtar. Ky koncept parasheh se, në hapësirat e identitetit të stabilizuar, ndryshimet janë graduale përgjatë brezave, me përjashtim të rastit të ndryshimeve rrënjësore të identitetit dhe politikave kombëtare të shumicës. Ndërkohë që vetidentifikimi ka një parashikueshmëri brezash, vetëdeklarimi është momental, i cenueshëm nga shtrembërimi prej interesave të çastit të individit që vetëdeklarohet. Rrjedhimisht, edhe pse vetëdeklarimi është forma e vetme e vetidentifikimit, ekziston risku i vetëdeklarimit të rremë, që në rastin e trajtuar të Konispolit dhe Himarës është i lartë.

Shteti grek, struktura të tij dhe/ose grupe interesi, përmes mekanizmave dhe politikave shtetërore greke, kanë tentuar vazhdimisht prej vitit 1991, të ndikojnë në rritjen e numrit të grekëve në Shqipëri, përmes përpjekjeve për të greqizuar këto grupime me fluiditet të identitetit etnik, por edhe grupime pa identitet fluid si shqiptarët e fshatrave ortodokse në zonat e përqendrimit të minoritetit grek. Ekspansioni i pretendimit grek për sa grekë ka ajo zonë, ka ardhur gradualisht. Fillimisht ajo quante minoritarë ata që njihte shteti shqiptar, më pas fshatrat me origjinë greqishtfolëse të Himarës dhe vllahishtfolësit e Konispolit, dhe që nga viti 2011 të gjithë ortodoksët shqipfolës e shqiptarë pa fluiditet të identitetit të Konispolit dhe Finiqit dhe një pjesë të Himarës. Kjo tentativë nuk është rastësore, pasi elementi ortodoks është shumicë në Bashkinë Himarë dhe shumicë e kombinuar, nëse marrim të gjithë zonën e bashkive Himarë, Delvinë, Finiq dhe Konispol. Kjo tregon që politika e shtetit grek, gradualisht, ka zhvendosje nga ajo e viteve ’90 në kahun e pretendimit të qarqeve nacionaliste greke. Këto të fundit kanë edhe rivendikime territoriale ndaj zonës nga kufiri në Llogara, bazuar në faktin që shumica e banorëve jashtë qytetit të Sarandës janë ortodoksë.

Ky nuk është pretendim zyrtar i shtetit grek nga viti 1946 e deri më sot, mirëpo tendenca drejt emërtimit si grekë përtej popullsive me identitet fluidit, edhe të ortodoksëve shqiptarë, që ka nisur me akte ligjore të shtetit grek në vitin 2012, tregon përafrim të qartë me qarqet nacionaliste. Kështu, në territorin e pesë bashkive, shteti shqiptar evidenton 69 vendbanime me shumicë shqiptare, 53 me shumicë greke, 1 me shumicë vllahe dhe 1 me shumicë të paqartë. Prej vitit 1991, në korpusin e vet ligjor, Greqia ka pretenduar se janë 63 vendbanime me shumicë shqiptare dhe 61 me shumicë greke. Prej vitit 2012, korpusi ligjor grek përcakton se kjo zonë ka 70 vendbanime me shumicë greke dhe 54 vendbanime me shumicë shqiptare. Pra, gradualisht shteti grek i përafrohet pretendimit të qarqeve nacionaliste që pretendojnë “Vorio Epirin” përmes argumentit se ajo zonë ka 82 vendbanime me shumicë greke dhe vetëm 42 me shumicë shqiptare, duke pretenduar se çdo ortodoks është grek. Nga ky studim, rezulton se bazuar mbi vetidentifikimin, në këtë zonë ka 63 vendbanime me shumicë shqiptare pa fluiditet të identitetit, 53 vendbanime me shumicë greke pa fluiditet të identitetit dhe 1 fshat me shumicë të paqartë. Në 2 fshatrat vllehe me fluiditet të identitetit, një është dygjuhësh vllahishtfolës dhe shqipfolës dhe një trigjuhësh vllahishtfolës, shqipfolës dhe greqishtfolës. Ndërkaq, në 5 vendbanimet e tjera me fluiditet të identitetit, është e paqartë se kush përbën shumicën e vetidentifikimit në tri prej tyre, ndërsa dy të tjerat janë të ndara 1 me shumicë me vetidentifikim shqiptar dhe një me shumicë me vetidentifikim grek. Pra, në bazë të vetidentifikimit, vendbanime me shumicë shqiptare janë 64 deri në 70, vendbanime me shumicë greke janë 54 deri në 61 dhe vendbanime me shumicë vllahe 0 deri në 2.

Duke përdorur mekanizmat e diplomacisë “feta-feta”, Greqia i ka imponuar Shqipërisë të mos u heqë shtetësinë shqiptare personave që veprojnë kundër interesit kombëtar shqiptar, të heqë kombësinë nga Regjistri i Gjendjes Civile, të heqë përcaktimet e zonave të pakicave dhe të njohë censusin me përkatësi etnike, pavarësisht se nuk plotësohen kushtet sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe të vendosë përqindje vetëdeklarimi për arritjen e të drejtave kolektive. Ndërkaq, vetë shteti grek ka mbajtur “shpërblimin” e dhënies, por edhe mundësinë e “ndëshkimit” përmes heqjes së shtetësisë greke kujtdo që nuk vepron sipas interesave të veta në Shqipëri, e njohjen së kombësisë greke kujtdo që ajo gjykon dhe caktimin me akte të vetat nënligjore të zonave të pakicave në Shqipëri, duke e përdorur fuqinë ekonomike dhe politike që të ushtrojë në një shtet të huaj kompetenca që ai shtet nuk lejohet t’i ketë për veten e vet, me qëllim krijimin e një zone pakice në të gjithë pellgun e Sarandës dhe Delvinës.

Nga ana tjetër, shteti shqiptar ka dështuar në zhvillimin e politikave të mirëfillta pas vitit 1991, në katër drejtime kryesore. Së pari, nuk ka pasur politika të mirëfillta në fushën e forcimit të identitetit etnik apo të çështjes së feve. Kështu, Shqipëria mbetet i vetmi vend në Evropë pa një ligj që do të caktonte liritë fetare, por edhe rregullat e bashkekzistencës me bashkësitë fetare, sikurse nuk zhvillon politika për zonat e fluiditetit të identitetit etnik për të garantuar lirinë e tyre dhe interesin kombëtar shqiptar njëherazi. Së dyti, ka treguar mungesë konsistence në çështjen e politikave në Himarë dhe Konispol. Kështu, nga njëra anë ka lejuar çeljen e shkollave të shtetit grek dhe ka lejuar që shqiptarët të jenë vulnerabël në ofertat e negocimit etnik përmes pensioneve dhe kartave të homogjenëve. Nga ana tjetër, ka refuzuar të njohë specifikën e dy grupimeve me identitet fluid të tri fshatrave dhe vllehve, ose ka shkuar në ekstremin tjetër, duke e përgjithësuar këtë specifikë si të ishte e popullsisë së mbarë njësisë administrative përkatëse. Së treti, ka pranuar kërkesat e shtetit grek në çështje si shtetësia apo censusi me pyetje mbi etninë, në kushte të papërshtatshme sipas udhërrëfyesve ndërkombëtarë dhe nuk ka protestuar për aktet e brendshme ligjore të shtetit grek që ushtrojnë veprimtarinë brenda Shqipërisë. Së fundmi, nuk ka zhvilluar mekanizma apo institucione për çështjet e mësipërme, duke rrëfyer mungesë koordinimi, deri në padijeni të plotë, siç është rasti i trajtuar i tabelave automobilistike, duke krijuar vetë situata në dobi të interesit grek në terren.

Për sa i përket censusit 2023, rezulton një përpjekje e koordinuar për të nisur një debat të ri shqiptaro-grek, tanimë mbi kthimin e dy bashkive të Himarës dhe Konispolit, si bashki minoritare. Pavarësisht nga pretendimet e shqiptarëve për më pak se 2,6% e 7,5% grekë dhe pretendimit të palës greke për mbi 30% grekë në këto bashki, është statistikisht e pamundur që të vetidentifikuarit si grekë në Himarë të jenë mbi 14,5% dhe në Konispol mbi 13%. Çdo shifër mbi këto dy shifra do të ishte produkt i vetëdeklarimit të rremë për një ditë, si pasojë e influencës ekonomike dhe politike të Greqisë. Ky rezulton të jetë një plan i shtetit grek, i përvijuar 32 vitet e fundit dhe veçanërisht 12 vitet e fundit përmes mekanizmave të saj, personave me ndikim, si Fredi Beleri, kryepeshkopi Anastas Janullatos, por edhe duke shfrytëzuar dinamikat politike shqiptare. Nga ana tjetër, edhe pretendimi shqiptar për më pak se 11,6% grekë në Himarë apo më pak se 6,8% grekë në Konispol, është statistikisht i pamundur, duke marrë për bazë paradigmat e vetidentifikimit të pakicave në census, kur asnjëherë nuk ka nënnumërim të identitetit, pra rënie drastike të vetëdeklarimit nga më shumë se 20% e të vetidentifikuarve.

SA GREKË KA HIMARA DHE KONISPOLI

SA ËSHTË DIAPAZONI I MINORITETIT GREK NË HIMARË DHE KONISPOL

 

 

Të dhënat e kombësisë sipas regjistrit të gjendjes civile për Bashkinë Himarë të detajuara sipas vendbanimeve për njësitë administrative Himarë dhe Lukovë dhe në rang njësie për Horë Vranishtin

Të dhënat e kombësisë sipas regjistrit të gjendjes civile për Bashkinë Konispol të detajuara sipas vendbanimeve për njësinë administrative Xarrë dhe Konispol dhe në rang njësie për Markatin

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arber: 04/09/2024 01:38

    Eshte absurde vetdeklarimi i kombesis apo fluiditeti. Kjo eshte nje absurditet i tranzicionit shqiptar i prodhuar nga politikan tradhetare te shitur tek greket. Une qe kam prinderit shqiptaret, gjysgerit shqiptare, nuk mund te deklarohem grek vetem pse jam ortodoks, pse Greqia me jep € apo pse flas dy fjal greqisht.

    Përgjigju
  • Iris: 22/09/2023 01:33

    Ne rradhe te pare rezistenca e shtetit shqiptar duhet te filloje me emertimin e tabelave rrugore qe ndryshe nga kishat,ne keto zona duhet te jene vetem ne shqip e anglisht dhe ne asnje menyre ne greqisht.Jane apo jo greke banoret e atyre zonave,ky eshte territor shqiptar brenda nje shteti te pavarur,pra s'ka vend per emertime ne greqisht.Nje emertim dallohet qe eshte grek edhe i shkrojtur ne anglisht e shqip.Se dyti,perdorimi i flamurit grek duhet te kete kushte shume te forta qe te mbahet i ngritur brenda kufijve tane.Se treti,greket mund te kene enderra e plane,por askush nuk fiton kunder natyres.Gjithe ato zona //greke// jane drejt zbrazjes,braktisjes,ose plakjes te plote.Vetem pleq te vetmuar kane mbetur aty dhe shume shpejt vendin e tyre kane per t'a zene popullsi te ardhura,pa kurfare lidhje apo prove trashegimie me kushtet qe kerkon Greqia qe keta te njihen si greke.Ju kujtohet nena e P.Dhimes qe u gjet e vdekur e krejt e vetmuar? I njejti fat i pret te gjithe keta /greke/ ne keto zona,nje vdekje/shuarje e ngadalte,graduale dhe e vetmuar si numerike,ashtu dhe etnike.

    Përgjigju
  • Kazani: 21/09/2023 17:34

    Fshatrat që njeh Shqipëria na trego. Mos na trego ëndërat me sy hapur të grekoqirve

    Përgjigju
  • Mergimtari: 21/09/2023 16:22

    Qeverite Shqiptare duhet te ishin treguar vigjlente kundrejt pabesise Greke.Ne janar te 1998-es u be rregjistrmi i refugjateve ne Greqi dhe aty filloi percarja midi shqiptareve.Kush ishte nga zona e bregut u quajten Vorioepirote e sebashku me ta edhe "Cobanet"(vllehet).Aty u arrit qe dy vellezer qe i kishin bashkeshortet njeri shqiptar e tjetri"vorioepirote" te ishin njeri grek e tjetri Shqiptar.Rruga ,perca sundo e grabit u shtrua.Ndihmese dhane edhe qeverite e kohes,qe jo vetem nuk e kundershtuan por, bene leshime per varezat e ushtareve te "vrare"greke.U bene leshime per emerimin dy gjuhesh Shqip e greqisht.Me "deshiren" e pranimit ne BE qeverit tona rane nenarrogacen e nacionalisteve greke.Mbyllen syte para keqtrajtimit te shqiptareve dhe asnjehere nuk e ka ngritur zerin per emigrantet e jo me per camet apo arvanitasit.E liga eshte mes nesh,perpara se ta kerkojme tek te tjeret.Po te shohesh edhe "ceshtja Bej leri" nuk artikulohet vetem nga greket por nga antishqiptaret tane,Berisha,Meta,Manjani e kompani.

    Përgjigju
  • Mario: 21/09/2023 14:58

    per mendimin tim as duhet te ekzistoje fare koncepti i 20% ne percaktimin e nje etnie po vetem ne saje te te drejtave komunitare brenda ligjit te gjendjes civile. Etnia eshte gje krejt tjeter dhe ka karta ne Okb qe trajtojne ceshtje te tilla themeltare ne kushtetuten e nje vendi si ajo qe pretendon sot Bullgaria ne Maqedonine e Veriut

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja kremtohet edhe në Lezhë, qindra besimtarë i bashkohen ritualit fetar në katedralen e ‘Shën Nikollit’

Krishtlindja kremtohet edhe në Lezhë, qindra besimtarë i bashkohen ritualit fetar në katedralen e ‘Shën Nikollit’