Gjiknuri: 3 kandidatë thyen hersin në 2021, tani janë 40 mandate në lojë! Votimi me postë, hap me rëndësi! Gaboni rëndë se ka pazar Rama-Berisha

Në zgjedhjet e 2021 vetëm 3 kandiatë nga 140 thyen hersin, por me formulën e propozuar janë 40 mandate në lojë të hapuara.   

Këtë e ka bërë me dije sot në seancë e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, deputeti i PS Damian Gjiknuri.

"Komponenti i dytë ka të bëjë me listat dhe shpërndarjen e mandateve nga subjektet zgjedhore, kjo ndërhyrje u diktua nga shfuqëzimi i herësit nga gjykata. Në 2021 vetëm 3 kandiatë nga 140 thyen hersin, por me formulën e propozuar janë 40 mandate në lojë të hapuara", tha ai.

Fjala e plotë e Gjiknurit

Pas dy viteve përpjekje të vazhdueshme për adresimin e rekomandimeve të ODIHR-it dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ne nuk arritëm të realizojmë një reformë të plotë zgjedhore që të ishte e gjithëpranuar dhe të adresonte të gjitha rekomandimet e ODIHR për zgjedhjet.

Por, sot jemi këtu me një copëz të rëndësishme të legjislacionit zgjedhor që adreson dy komponentë të rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme, votën e diasporës dhe qartësinë e mënyrës së kandidimit dhe shpërndarjes së mandateve, bazuar në parimet që ka përcaktuar Kushtetuta.

Kjo nuk është arritje e vogël, po të marrësh parasysh klimën e rënduar politike dhe polarizimin politik të aktorëve politik në Kuvendin e Shqipërisë, vështirësive që ka pasur opozita në artikulimin e qëndrimeve të saj në mënyrë të unifikuar apo pasojave politike që kanë ardhur nga dy humbje dërrmuese të njëpasnjëshme në zgjedhje që nga reforma e fundit zgjedhore e vitit 2020.

Ja ku jemi ketu me një produkt të dakordësuar duke shënuar hapin e parë të rëndësishëm drejt normalizimit të jetës politike në vend.

Paketa ligjore që miratojmë sot zgjidh në mënyrë shteruese të gjitha boshllëqet e konstatuara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sa i përket votës së qytetarëve shqiptar që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Projekti i propozuar përcakton me një qasje liberale që çdo shtetas shqiptar që për një arsye pune, shërbimi apo çdo lloj arsye, jeton për një kohë të gjatë jashtë vendit do të mund të regjistrohet dhe votojë në zgjedhjet e vitit 2025. Zgjedhesi do të regjistrohet në listën e veçantë të zgjedhësve që organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjëndjes

Civile.

Dokumentacioni i regjistrimit do të përmbajë çdo informacion të nevojshëm që vërteton identitetin e zgjedhësit dhe adresën e qëndrimit në vendin ku jeton.

Gjithçka do të realizohet në një platformë elektronike që do të ndërtohet nga KQZ-ja dhe që mundëson ndërveprimin me sistemin aktual të DPGJC-së dhe evidenton çdo veprim të kryer. Ky proces mundëson integritetin e të dhënave por dhe auditimin e tyre në çdo kohë para dhe pas zgjedhjeve.

Zgjedhësit nga jashtë i jepet kohë e mjaftueshme për tu regjistruar si zgjedhës dhe njëkohesisht fshihet nga lista e votuesve në qarkun ku ka pasur vendbanimin e fundit, duke shmangur dublikimin në listat zgjedhore. Listat do të jenë gjithmonë publike dhe çdo palë e interesuar mund ti shikojë ato.

KQZ do të përgatisë të gjitha materialet zgjedhore dhe me shpenzimet e saj do të dërgojë tek zgjedhësi me postë, materialet, udhëzuesit dhe fletët e votimit. Nga ky moment votimi nga jashtë do të quhet i hapur dhe zarfat me fletët e votimit dërgohen në KQZ pasi të kenë hyrë në territorin Shqipërisë, jo më vonë se orari zyrtar i mbylljes së votimit në ditën e votimit.

Vota e tij do të llogaritet në qarkun ku ka pasur vendbanimin e fundit dhe do të numërohet në KQZ njëkohësisht me numërimin në qarqet respektive.

I gjithë ky proces do të organizohet nga KQZ-ja e cila duhet të miratojë aktet nënligjore në kohë dhe të ndërtojë infrastrukturën e nevojshme që mundëson këtë proces.

Përfitoj nga rasti dhe u bëj thirje të gjithë aktorëve politik ose jo politik, që të mbështesin KQZ-në në këtë proces sa delikat aq edhe të rendësishëm, për të bërë të mundur realizimin me sukses të këtij procesi duke u mundësuar bashkëatdhetarëve tanë jashtë vendit pjesëmarrje në zgjedhjet e radhës.

Komponenti i dytë po aq i rëndësishëm dhe që natyrshëm ka ngjallur më shumë debat politik ka të bëjë me sistemin e paraqitjes së listave dhe shpërndarjes së mandateve mes subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve.

Kjo ndërhyrje u diktua nga shfuqizimi që i bëri Gjykata Kushtetuese masës së herësit apo pragut elektoral që parashikonte Kodi Zgjedhor, për ndryshimin e renditjes së kandidatëve bazuar në votën preferenciale, duke mos shfuqizuar konceptin juridik të herësit, por duke kërkuar rishikimin e formulës për caktimin e masës numerike më propocionale. Pra, e theksoj dhe njëherë këtë, jo shfuqizim të parimit po rishikim të masës numerike.

Në pamundësi të gjetjes së një konsensusi për masën e re numerike për herësin sipas formulës së re që u propozua nga ne dhe që e çonte masën e herësit në një nivel jo më të lartë se 7 mijë vota dhe në nivel real mesatar 6 mijë vota në bazë të rezultateve të vitit 2021, palët u detyruan të eksplorojnë një formulë tjetër duke u frymëzuar nga parimi kushtetues i shtrirjes së votës parapëlqyese.

Propozimi që kemi dakordësuar politikisht është ai i sistemit miks të paraqitjes së listës së kandidimit bazuar në parimin që jo më pak se 2/3 e listës i nënshtrohen votimit preferencial.

Natyrshëm ky propozim ka ngjallur debat politik nga shumë aktor këtu në këtë sallë dhe jashtë saj, pasi çdo propozim i kësaj natyre prek interesa politike apo gjykohet me subjektivizëm nga palët konkuruese në zgjedhje. Kjo nuk përbën ndonjë risi, madje është e vjetër sa vet bota qëkurse janë shpikur sistemet zgjedhore.

Por le ti marrin pretendimet e artikuluara një e nga një në dobi të debatit publik.

-    Hipoteza e parë që shtrohet, a është kjo formulë në përputhje me masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes që parashikon Kushtetuta ?

Lista e kandidatëve përbëhet nga lista e fiksuar jo më shumë se një e treta dhe lista e hapur e kandidatëve që përbën më shumë se ⅔ e listës shumëemërore.

Po ta aplikojmë këtë formulë në qarqet respektive do të shikojmë që lista e fiksuar nuk është më shumë se 25% e listës së kandidimit, pasi lista e plotë e hapur është sa numri total i mandateve në qark. Psh, nësë qarku i Tiranës ka 36 mandate, subjekti politik ka 12 kandidatë me listë të fiksuar dhe 36 kandidatë me listë të hapur. Pra, një mumër total prej 46 kandidatësh. Formula e paraqitjes është në përputhje me Kushtetutën pasi lejon votimin parapëlqyes në më shumë se ⅔ e listës së kandidatëve;

-  A siguron kjo formulë garancitë e kuotave gjinore siç parashikon Kushtetuta?

Projekti parashikon që një në çdo tre emra në listën e fiksuar të kandidatëve do ti përkasë secilës gjini. Ndërkohë, me ndërhyrjen e deputeteve zonja në këte sallë nga të dyja krahët e politikës, do të përfshijmë një amendament që garanton një në çdo tre emra fitues që dalin nga votimi preferencial, do të jetë nga secila gjini. Psh. nesë në qarkun e Tiranës një parti fiton 3 mandate më shumë se lista e fiksuar dhe në baza të renditjes ka fitues vetëm nga e njëjta gjini, mandati i tretë do ti jepet gjinisë më pak të përfaqësuar, me kandidatin që ka marrë më shumë vota. Kjo formulë megjithëse është një diskriminim pozitiv do të konsolidojë më shumë arritjet e Shqipërisë në përfaqësimin e kuotave gjinore.

-    A e bën kjo garën praktikisht të mbyllur duke sjellë një përkeqësim në konkurueshmërinë e kandidatëve?

Pretendimi më lart ka dalë nga kakofonia e paraqitur këtu apo në çdo banak televiziv, që kjo formulë na e mbyllka garën dhe është më keq sesa formula e vitit 2021. Po si qëndron e vërteta në realitet? Në vitin 2021 vetëm 3 kandidatë nga 140 thyen herësin, duke ndryshuar listën e paracaktuar të partive, pra vetëm 2%. Ndërkohë, me formulën e propozuar janë të paktën 40 mandate në lojë të hapura për kandidatët e votimit parapëlqyes ose e thënë ndryshe jo më pak 29% e mandateve. Por edhe sikur të përdorim një krahasim të tërthortë me skenarin që listat janë 100% të hapura, duke ju referuar rezultateve të 2021 a e dini sa mandate do të ndryshonin në shpërndarje ? Vetëm 34 mandate, duke mos llogaritur garancitë e kuotës gjinore që po ta përfshinim në llogaritje do ta çonin në 22 mandate. Pra, formula sot mundëson mbi 40 mandate krahasuar me 22 me kuotë gjinore apo dhe 34 pa kuotë gjinore. Pra, miti i mbylljes së konkurencës rrëzohet nga krahasimi i shifrave.

-      Pretendimi tjetër që hidhet rëmdom është pse nuk i lejoni partitë ta zgjedhin vet masën e votimit parapëlqyes?

Çdo të thotë kjo, parti të ndryshme, rregulla të ndryshme! Por organizimi i zgjedhjeve ka disa parime që duhet të ndiqen nga çdo vend demokratik dhe një nga këto parime bazë i përcaktuar dhe në Kodin e Praktikave të Mira për Zgjedhje apo vet Karta e Kopenhagenit, është zbatimi uniform i ligjit për çdo subjekt zgjedhor.

Bazuar në këto parime ODIHR-i rekomandoi që praktika e marrëveshjeve që bënin kandidatët në vitin 2005 që kush merrte më shumë vota merrte mandatin, pavarësisht renditjes, ta konsideronte një shkelje serioze të këtij parimi pasi konfuzon zgjedhësit dhe krijon pabarazi në garë dhe respektivisht rekomandoi ndalimin e kësaj praktike. Kjo praktikë ishte një variant surrogato e listave të hapura me marrëveshje.

E njëjta gjë u konsiderua nga Komisioni Venecias dhe praktika e kandidimit të kryetarëve të partive në më shumë se një qark me ndryshimet e vitit 2020 duke e konsideruar diskrecionin e partive në kundërshtim me këtë parim. Këto janë vetëm dy shembuj të freskët, vetëm nga vendi ynë. Prandaj ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe jo si i intereson taktikës elektorale të subjektit politik.

Kushtetuta jonë parashikon që zgjedhësi ka dy vota, një për partinë dhe një për kandidatët me sistem preferencial. Pra, sistemi ka parashikuar konkurimin me parti politike që përfaqësohet nga një listë e paracaktuar dhe mundësia e zgjedhëst për ta ndryshurar këtë renditje siç ishte në variantin e parë në 2021; apo për të bërë një zgjedhje të tij në një listë të hapur siç është në variantin e sotëm.

Sepse në çdo sistem bashkëkohor politik konkurojnë partitë politke që janë organizata të rëndësishme që manifestojnë vullnetin politik të qytetarëve dhe jo thjesht grupime njerëzish që rreshtohen në zgjedhje për të dalë deputet, një lloj “bashibozukerie” moderne për të ndarë mandate deputetësh. Këto janë forma parapolitike që nuk e shëndoshin demokracinë. Sistemi që kemi ndërtuar por dhe Kushtetuta jonë e ka balancuar qartë nevojën për stabilitet të institucionit parti politike dhe mundësisë së zgjedhësit për korrigjim nëpërmjet listës preferenciale.

Të mos harrojmë sot po bëjmë një hap më shumë siç edhe demostrova me shembujt më lart, për një rol më të madh të zgjedhësve në këtë drejtim, duke rritur masën e ndikimit në përzgjedhjen e deputetëve.

A është ky qëllimi final, vështirë ta them këtë por është hapi i duhur në një proces që besoj sa do të vijë e do të përmirësohet zgjedhje pas zgjedhjesh, gjithmonë në një përfaqësim më të mirë që siguron cilësi përfaqësimi, stabilitetet politik por dhe dinamikë ndryshimi që do e sjellë koha.

Dhe së fundi një përgjigje për të gjithë ata që thonë ky është pazar politik me Berishen njësoj si në vitin 2008. Gaboheni rëndë të nderuar kolegë! Pasi u munduam dy vite bashkë për të realizuar një reformë gjithëprfshirese ku shumë ju, syresh këtu, ishit pjesë, mandje me të drejta të plota në tryezë por nuk sollët asgjë konkrete se si të përmirësojmë procesin por vetëm propozime që forconin pozitën tuaj politike, ose për mbijetesë ose në kurriz të grupimeve të ndryshme politike që përfaqësonit në opozitë.

Kjo është puna juaj e ne nuk bëhemi palë në të. Ajo çka ofrojmë si mazhorancë është gadishmëri për kompromis politik në të mirë të Shqipërisë dhe mbështetje me çdo mjet që zgjedhjet e radhës të jenë edhe më të mira se të kaluarat.

Falë këtij vullneti politik asnjë nuk ankohet më për administrim të zgjedhjeve pasi çdo votë numërohet siç është hedhur, çdo kuti hapet sa herë kërkohet, çdo votë skanohet e ruhet, çdo qendër votimi filmohet dhe analizohet, çdo zgjedhës identifikohet me teknologji dhe mundësia është që në 5 qarqet më të mëdha të vendit dhe çdo votë të realizohet dhe numërohet elekronikisht.

E di që këto gjëra tani merren “for granted” por një dekadë më parë deputetët futeshin në grevë urie për një kërkesë fare të thjeshtë të shihnin votën e tyre.

Kohët ndryshojnë dhe me të dhe njerëzit, por një gjë që fatkeqëisht nuk po ndryshon në vendin tonë është kultura e pranimit të humbjes, e cila mban peng jetën politike në vend dhe na bën ne t’i kthehemi herë pas here kësaj teme me reforma apo “quasi reforma” të ashtuquajtura elektorale.

A do të jetë kjo e fundit nuk di të them; është si ti besoj më shumë shpresës sesa arsyes, por le të jetë ky votim i sotëm një hap drejt shpresës!

Teksa foli për Kodin Zgjedhor, ai u shpreh se tashmë është arritur një zgjidhje për votën e Diasporës dhe se votimi do të bëhet me postë.

Gjiknuri bëri thirrje për mbështetje të KQZ në këtë proces të rëndësishëm.

“Vështirësitë që ka pasur opozita në artikulimin e qëndrimeve të saj në mënyrë të artikuluara, por jemi me një produkt të dakortësuar duke shënuar një hap të rëndësishëm. Paketa ligjore që miratojmë sot zgjidh të gjitha boshllëqet. Projekti përcakton që çdo shtetas shqiptar jeton për një kohë të gjatë jashtë vendin do të mund të regjistrohet dhe të votojë në zgjedhjet e 2025. Dokumentacioni i regjistrimit do të përmbajë çdo informacion të nevojshëm dhe gjithçka do të ndërtohet nëpërmjet një platforme elektronike. Ky proces mundëson integritetin e të dhënave”, tha ai.

Gjiknuri tha se ata që hedhin akuza se ka një pazar mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD Sali Berisha, sipas tij gabojnë rëndë.

“Ata që thonë është pazar Rama- Berisha gabohen rëndë. U munduam dy vite që të bëjmë një reformë gjithëpërfshirëse, ku shumë prej jush ishitë pjesë dhe nuk sollët asgjë konkrete”, tha ai.

Në përfundim të fjalës së Gjiknurit, deputeti i PS Dashnor Sula nga karrigia e Kuvendit hodhi akzua se ky vend është shkatërruar nga PS.

"Turp, turp, turp. Shkatërruat këtë vend, vrafshi veten", tha ai.


Lajmi kryesor:

106 vota pro, PS-PD miratojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor: Lista të hapura në 2/3 dhe votë të diasporës! ‘Përplasen’ demokratët, akuza për pazar Berisha-Rama


S.B/M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Policia e Durrësit ekzekuton vendimin për konfiskimin e 4 pasurive të 'Zotit të drogës' Alket Hatija! Dy apartamente, një truall e një garazh, Italia e dënoi me 20 vjet burg për drogë

Policia e Durrësit ekzekuton vendimin për konfiskimin e 4 pasurive të 'Zotit të drogës' Alket Hatija! Dy apartamente, një truall e një garazh, Italia e dënoi me 20 vjet burg për drogë