Partia Demokratike deklaron se do të votojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e diasporës.
“Jemi në negociata, do të votojmë cdo ndryshim që duhet për të bërë të mundur votën e diasporës” tha Berisha në konferencën e sotme për median.
Në një kronikë të pak ditëve më parë Report Tv dhe Shqiptarja.com renditën tre çështjet për të cilat dy partitë më të mëdha duhet të bashkojnë votat për ndryshimin e Kodit Zgjedhor për të lehtësuar votën e emigrantëve.
2 vijnë si thirrje e KQZ-së dhe mbështeten nga Partia Socialiste, dhe e treta i përgjigjet një shqetësimi të demokratëve.
Së pari, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë lekë nga qeveria për të paguar plotësisht postën që do të transportojë votën e emigrantëve, edhe dërgimin edhe kthimin. Por 5 milionë eurot nuk mund të tenderohen, pa u fshirë nga Kodi Zgjedhor një fjali në nenin 25, e cila thotë se kostot për kthimin e votës paguhen nga zgjedhësi.
Së dyti, KQZ ka kërkuar që të përshpejtohen afat e regjistrimit, në mënyrë që fleta e votimit të prodhohet më shpejt dhe tu jepet më shumë kohë emigrantëve për ta marrë e kthyer. Kjo tezë është mbështetur nga PS e cila ka artikuluar gatishmërinë që afatet të afrohen me 10 ditë.
Ndërkohë burime pranë PD-së, tregojnë se kjo parti është kundër afateve të reja, duke përmendur kohën e ngushtë që ju ngel palëve për negociata me aleatët dhe procese të brendshme për zgjedhjen e kandidatëve.
Në këtë pikë, burime pranë mazhorancës, thanë për Report TV, se PS, është e gatshme që po në Kodin Zgjedhor, të bëjë rregullime, që kënaqin demokratët. Në këtë mënyrë, të lejohet që vota e emigrantëve të numërohet nga komisionerët e partive, njëjtë siç ndodh me votat në Shqipëri, ashtu siç PD e kërkon. Kodi aktualisht ka parashikuar që këto vota administrohen dhe vlerësohen nga KQZ, çfarë është kundërshtuar nga opozita.
Në takimin me grupin parlamentar Berisha i bëri thirrje deputetëve të PD-së të organizojnë sa të munden takime me diasporën me shpenzimet e tyre. Kreu i PD-së tha se buxheti është modest dhe nuk del për takime në salla luksoze por në lokale dhe ambiente të shqiptarëve jashtë.
'Grupi parlamentar, çdo deputet është i ftuar të koordinojë me qendrën këtu çdo takim të mundshëm që mund të organizojë me emigracionin. Nuk i bazojmë në salla të mëdha dhe luksoze se janë të kushtueshme. Matemi modestisht dhe nuk duam ti rëndojmë. Ne do të bazojmë fushatën në qindra takime që secili prej jush mund të organizojë aty ku ka lidhjet dhe mundësitë. Ne duhet të qëmtojmë dhe të në mënyrë gjatë kësaj periudhe të përparësojmë këto takime. Së dyti, dhe në Berat e shtrova. Dhe ju duhet ta shtroni me çdo qytetar. Nëse bindim çdo demokrat ta bëjë këtë kjo sjell dy tre fishimin e elektoratit tonë. Ka një urrejtje të madhe ndaj Edi Ramës dhe qeverisë.
Luftë të egër brenda llojit. Të shpëtojë ai që mundet. Janë kthyer në një lukuni ujqërish që duan të shqyejnë njëri-tjetrin për krimet që kanë kryer. Këto janë avantazhet tona. Ne i shpjegojmë dhe paraqesim alternativën për çdo shqiptar të shpëtojë vendin e tij më 11 maj. Do bëni edhe sipas mundësive që keni. Të organizohen grupe deputetësh, 4 5 6 mund të shkojnë në SHBA. Vetëkuptohet me shpenzime personale. Ky është buxheti. Të tjerë mund të shkojnë në Gjermani, Greqi dhe kudo që keni lidhjet më të mira. Përdoren klubet, lokalet e shqiptarëve, sallë shkolle kishin marrë në Britani. Gjëra me çmime të përballueshme.'
Ndërsa sa i përket primareve, Berisha tha më herët në një konferencë për gazetarët se do nisin shumë shpejt, por nuk dha një datë.
'Do të fillojë shumë shpejt, sapo të filloj do të ju njofton. Kjo është përgjigja më e saktë.'