TIRANË- Përfundon numërimi i votave të diasporës për kandidatët për deputetë. Pas gati një jave numërim, procesi mbyllet dhe tashmë zbulohen edhe emrat e 140 deputetëve të rinj që do të formojnë Kuvendin në shtator. Partia Socialiste mori në rang vendi 83 mandate dhe kështu çon në Kuvend 46 deputetë nga lista e mbyllur dhe 37 deputetë nga lista e hapur. Nga 83 ligjvënësit, 34 janë deputete gra dhe 48 deputetë burra. Ndërkohë, PS vjen me një gjeneratë të re në Kuvend, ku 53 prej emrave zgjidhen deputetë për herë të parë, ndërsa 30 prej tyre kanë mbajtur më herët pozicionin e deputetit.
Përveçse fitoi mandatin e katërt, Rama siguroi edhe 16 nga 17 ministrat e kabinetit qeveritar aktual, duke u dhënë një mandat deputeti të gjithë anëtarëve të ekzekutivit që ishin pjesë e listave. 13 prej tyre ishin në zonën e mbrojtur ndërsa vetëm 3 luftuan brenda llojit në betejën e Tiranës, Blendi Gonxhja, Ervin Hoxha dhe Anila Denaj.
Ndërkohë, PD me aleatët që pësoi një humbje të thellë duke u tkurrur në 50 mandate, ku 43 deputetë janë zgjedhur nga lista e mbyllur dhe vetëm 7 nga lista e hapur. Në total, PD-ASHM ka 13 deputete gra dhe 37 deputetë burra. Vetëm 14 deputetë nga opozita futen për herë të parë në Kuvend, ndërsa 36 vendet e tjera i janë rezervuar besnikëve të Sali Berishës dhe aleatëve të tij që për hir të koalicionit, kryedemokrati u la 8 vende të sigurta në lista.
Edhe pse Kodi Zgjedhor parashikonte teorikisht 2/3 e listave të hapura, ashtu siç pritej, më shumë se 2/3 e ligjvënëse kanë hyrë nga listat e fiksuara nga kryetarët. 95 deputetët dalin nga listat e mbyllura dhe vetëm 45 nga vota parapëlqyese. Nga këta 37 janë të Partisë Socialiste, vetëm 7 të Partisë Demokratike dhe 1 mandat i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Socialdemokratët kanë arritur të marrin 3 deputetë, duke rikthyer në parlament kryetarin e tyre, Tom Doshin. 2 mandate i siguroi “Mundësia” e Agron Shehajt i cili u largua nga radhët e PD-së duke krijuar partinë e tij si një demokrat i zhgënjyer. 1 mandat siguroi edhe Koalicioni i të rinjve “Nisma Shqipëria Bëhet”, dhe 1 mandat edhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit e cila garoi e vetme.
QARKU TIRANË
PS mori 19 mandate në qarkun e Tiranës, PD-ASHM 13 mandate, nga një mandat PSD e Tom Doshit, Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt dhe Lëvizja Bëhet e Arlind Qorit. Ndërsa Partia Mundësia e Agron Shehajt mori 2 mandate në kryeqytet. Mandati që fitoi në Tiranë Nisma Shqipëria Bëhet i shkon Ana Dajkos në listë të mbyllur, por me shumë gjasë do të djegë mandatin dhe i shkon më të votuarit në listë të hapur që është Adriatik Lapaj me 6436 vota.
QARKU BERAT
Në Qarkun e Beratit PS mori 5 mandate, ndërsa PD-ASHM vetëm 2 mandate. Kështu, PS nxjerr 2 deputetë nga lista e mbyllur dhe 3 nga lista e hapur, ndërsa koalicioni i Berishës vetëm 2 deputetët e listës së mbyllur.
QARKU DIBËR
Nga Qarku i Dibrës, PS nxjerr dy deputetë nga lista e mbyllur Blendi Klosin dhe Alma Selamin, ndërsa Agron Malaj fitoi në listë të hapur. PD-ASHM në këtë qark merr vetëm 2 deputetë nga lista e mbyllur.
QARKU I DURRËSIT
Qarku u Durrësit u nda 8 mandate për PS dhe 6 për PD-ASHM.
QARKU I ELBASANIT
PS mori 10 mandate në qarkun e Elbasanit dhe nxjerr 5 deputetë nga lista e hapur dhe 5 nga lista e mbyllur. Ndërkohë, për PD-ASHM ngelin 4 deputetë në këtë qark dhe Berishës i digjet një kandidat nga lista e mbyllur Aurel Bylykbashi.
QARKU I FIERIT
Në qarkun e Fierit, PS mori fitore të thellë me 12 mandate, ndërkohë që PDH-ASHM mori vetëm 4 mandate dhe i digjet një prej kandidatëve të listës së mbyllur, Eduart Sharka.
QARKU I GJIROKASTRËS
Gjirokastra u nda 3 me 1 për Partinë Socialiste. PD-ASHM merr vetëm deputetin e listës së mbyllur, Tritan Shehu.
QARKU I KORÇËS
Në Qarkun e Korçës PS mori 6 mandate, ndërsa PD-ASHM 4 mandate.
QARKU I KUKËSIT
Në qarkun e Kukësit PD-ASHM mori 2 mandate dhe PS vetëm 1 mandat.
QARKU I LEZHËS
Në qarkun e Lezhës PS mori 3 mandate, ndërsa PD-ASHM mori 4 mandate.
QARKU I SHKODRËS
Rezultati në Shkodër u nda 5 mandate për PD-ASHM dhe 4 mandate për PS, e cila nxjerr deputetë vetëm nga lista e sigurt.
QARKU I VLORËS
Rezultati në Vlorë u nda 9 me 3 për Partinë Socialiste. Në këtë qark, Berisha humb edhe një deputet nga lista e sigurt, Atird Hoxha.
Partitë e reja përfaqësohen me vetëm 4 mandate, ndërsa mbetet për tu parë nëse mes tyre do të ketë bashkëpunim në parlament.
Komente











Bujar leskaj me bello kellicin hajde opozite hajde
Përgjigju