Votimi elektronik, kushti i ri i
Bashës që hodhi në erë negociatat

Votimi elektronik, kushti i ri i<br />Bashës që hodhi në erë negociatat
Makthi i Sali Berishës dhe Lulzim Bashës nga pasojat e zbatimit të Vetingut po provokon përjashtimin e Partisë Demokratike nga skena politike dhe jeta institucionale e vendit.

Për bllokimin dhe zhbërjen e Vetingut dhe të institucioneve të reja hetimore të drejtësisë, krerët e opozitës duket se janë të gatshëm të paguajnë çdo çmim, që nga bojkoti i zgjedhjeve, rreziku i humbjes së statusit të opozitës, shtyrja e PD drejt fundit të ciklit politik deri tek destabilimi i vendit etj.

Paniku nga Vetingu ka karakterizuar frymën e negociatave për zgjidhjen e krizës me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të së djathtës dhe të majtës evropiane.

Një ditë pas përfundimit të misionit të negociatorëve të Brukselit, Shqiptarja.com ka mësuar të tjera detaje rreth prapaskenave që çuan në minimin e bisedimeve. Dhe në pah del sërish fika e madhe nga Vetingu.

Asi nën mëngë i Bashës
I zënë në befasi nga tërheqja radikale e kryeministrit Edi Rama, i cili ka pranuar pothuajse të gjitha kushtet e opozitës për të hyrë në zgjedhje, Lulzim Basha ka ndryshuar në minutat e fundit paktën e kushteve.

Gjatë negociatave, Basha befas ka rritur numrin e kërkesave, për të pamundësuar zgjidhjen e krizës, e cila do ta detyronte opozitën të votonte Vetingun. Asi nën mëngë i Lulzim Bashës ka qenë rikthimi i kushtit të votimit elektronik, duke hedhur kësisoj në erë përpjekjet e të dërguarave të PE për zgjidhjen e krizës.

Në të njëjtën kohë, në kushte kur kryeministri Edi Rama ka pranuar krijimin e një kabineti, ku ministrat kyç do të ishin teknikë, Basha ka modifikuar me shpejtësi edhe kërkesën për qeveri teknike, duke kërkuar kryeministër teknik.

Kur ndërmjetësuesit prisnin nga të dy palët të lëshonin pe nga pozicionet e tyre, befas me PD ka ndodhur e kundërta, e cila ka rritur pretendimet dhe modifikuar kushtet. Megjithatë, kushti i votimit elektronik mësohet se ka qenë vendimtar për dështimin e negociatave, pasi për të aplikuar një sistem të tillë, duhet të paktën një vit kohë. Për rrjedhojë, pranimi i këtij kushti, parashikonte shtyrjen e zgjedhjeve deri në verën e vitit 2018.

Shqiptarja.com ka mësuar se deri në kohën kur Lulzim Basha është informuar për lëshimet e mazhorancës, votimi elektronike nuk ka qenë në paktën e kushteve të PD.

Vettingu
Kryeministri Edi Rama ka bërë 11 lëshime, duke ezauruar pothuajse të gjitha kërkesat e Partisë Demokratike. Sipas burimeve, shefi i qeverisë ka vendosur vetëm një kusht: Votimin e institucioneve të Vetingut në Parlament.

Ky kusht ka nervozuar kryetarin e opozitës, i cili pas takimit e konsideroi kërkesën e kryeministrit të turpshme. “Dua po kështu të denoncoj dhe të dënoj aktin e turpshëm të kondicionimit të luftës kundër drogës dhe kriminalizimit me gjoja votën për Vetingun”, tha Basha pas negociatave. Demokratët kanë kërkuar përjashtimin e çështjes së Vetingut nga negociatat për zgjidhjen e krizës.

Dy lëshimet kryesore
Kryeministri Edi Rama, gjatë negociatave, është tërhequr nga pozicioni i tij, duke pranuar të gjitha propozimet e hedhur në tryezë. Dy lëshimet më të rëndësishme të kryeministrit kanë të bëjnë me qeverinë teknike dhe shtyrjen e zgjedhjeve.

Rama ka pranuar ndryshimin e kabinetit qeveritar, për të vendosur disa ministra teknikë në pozicionet kyçe, me qëllim rritjen e besimit të opozitës tek qeveria. Gjatë bisedimeve është rënë dakord që ministrat e rinj të emërohen me aprovimin e Partisë Demokratike.

Po ashtu, kryeministri ka leshur pe edhe sa i takon datës së zgjedhjeve. Fillimisht Rama ka pranuar që zgjedhjet të shtyhen brenda kufirit të lejuar nga Kodi Zgjedhor, por ka qenë i hapur për t’i shtyrë edhe deri në mesin e muajit korrik.

Lëshimet e tjera
Mazhoranca i ka ofruar gjithashtu Partisë Demokratike garanci për zgjedhjen e një Presidenti konsensual. Gjatë negociatave, shumica ka rënë dakord që emri i presidentit të ri të ketë aprovimin e opozitës.

Në kuadër të adresimit të shqetësimeve të PD për zgjedhjet, shumica i ka ofruar opozitës drejtimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërkaq, nëse Partia Demokratike do të humbiste zgjedhjet parlamentare, ajo do të drejtonte edhe dy institucionet të rëndësishme; Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Avokatin e Popullit. Të gjitha propozimet janë hedhur poshtë nga Lulzim Basha, për shkak të çështjes së Vetingut, e kamufluar me votimin elektronik dhe kryeministrin teknik.

Për zgjedhjet
Partisë Demokratike i është ofruar edhe një paketë me propozime për garantimin e zgjedhjeve të lira të ndershme. Përpos drejtimit të KQZ, PD i është afruar mundësia e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, për ashpërsimin e dënimeve të krimeve zgjedhore, pra të shitblerjes së votës. Në kuadër të intensifikimit të luftës kundër drogës, mazhoranca ka pranuar ndryshimin e krerëve të policisë.

Po ashtu, ka qenë e hapur për të ndryshuar edhe drejtorë në sektorë të tjerë, të cilët nuk gëzojnë besimin e opozitës. Gjithashtu, shumica ka rënë dakord për kushtin e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, edhe pse zbatimi i këtij ligji i takon KQZ dhe prokurorisë.
 
11 lëshimet e mazhorancës
Qeveri me ministra teknikë
Shtyrja e zgjedhjeve brenda një kufiri të lejuar 
President konsensual
Drejtimi i Komisionit të Qendror të Zgjedhjeve.
Ndryshimi i krerëve të policisë
Ndryshimi i drejtorëve në sektorë të tjerë
Zbatimi i dekriminalizimit
Intensifikimin e luftës kundër drogës
Ndryshimi i Kodit Penal për rritjen e dënimit për krimet zgjedhore
Drejtimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (nëse PD humbet zgjedhjet)
Drejtimi i Avokatit të Popullit (nëse PD humbet zgjedhjet)


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg