Votimi elektronik, Rusmali kundër
PD: Shqipëria nuk është gati 

Votimi elektronik, Rusmali kundër<br />PD: Shqipëria nuk është gati 
Ish-ministri dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ilir Rusmali, pozicionohet kundër kërkesës themelore të Partisë Demokratike sa i takon ndryshimit të ligjit elektoral, pra votimit dhe numërimit elektronik.

Eksperti i Koalicionit për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme, Ilir Rusmali, mendon se teknologjia nuk mund të shihet si zgjidhja e problemeve zgjedhore. Sipas tij,

Shqipëria nuk është ende gati për votim elektronik. Sipas tij, për të shmangur rreziqet dhe pasigurinë se teknologjia mund të shndërrohet në rrezik për procesin, fillimisht kjo metodë duhet të planifikohet në disa nivele dhe të pilotohet në zona specifike. “Teknologjia konsiderohet mekanizmi që shpëton procesin nga manipulimi.

Thirrja për futjen e teknologjive bëhet nga partitë për oportunitet politik. Dhe teknologjia futet gradualisht, ndërsa ne e duam sot në të gjithë territorin. Teknologjia duhet të na bëjë procesin, por nuk e bën dot sepse procesin e bëjnë njerëzit”, deklaroi Rusmali. Për Rusmalin, ekziston edhe një frikë tjetër, ajo e largimit të zgjedhësit për shkak të votimit elektronik. “Zgjedhësi do entuziazmohet nga mekanizmi i votimit me “touch screen”, apo do trembet?

Zgjedhësi do të jetë i sigurt se vota e tij do të shkojë atje ku ai do që të shkojë, apo do besojë fort se vota e tij do të devijojë rrugës? Ose ajo që do të dëgjojë përreth do të jetë një stimulim i fortë: ‘voto i lirë se teknologjia është e besueshme’, ose do të jetë një paralajmërim i fortë: ‘ti po voton, por unë do të ta kontrolloj votën’”, tha Rusmajli.

Tryeza
Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme parashtroi dje në një Tryezë në Tiranë, rëndësinë e pavarësisë së organeve të administratës zgjedhore në Shqipëri” ku u prezantuan sugjerimet kryesore.

Kryetarja e Bordit të KZLN, Mirela Arqimandriti, theksoi rëndësinë e këtij projekti për të kontribuar në reformën zgjedhore, ndërsa eksperti Ilir Rusmali tha se reforma zgjedhore duhet mbi të gjitha t’i përgjigjet interesit të publikut dhe pavarësia e organeve të administrimit zgjedhor mund të realizohet vetëm përmes bashkëpunimit me partitë politike.

Raporti i KZLN mbi organet e administrimit zgjedhor dhe reformën zgjedhore u fokusua në pesë linja kryesore: pjesëmarrjen e partive politike në administrimin e zgjedhjeve; forcimin e hierarkisë së organeve të administrimit zgjedhor; reduktimin e presionit politik ndaj tyre; forcimin e profesionalizmit të administratës zgjedhore dhe futjen e teknologjive në procesin zgjedhor.

Rekomandimet
Raporti sjell një seri rekomandimesh konkrete në lidhje me qendrën e trajnimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kualifikimet e komisionerëve, afatet ligjore dhe modalitetet e propozimeve të komisionerëve nga partitë politike, reduktimin e numrit të komisionerëve dhe rritjen e peshës administrative të sekretarëve të komisioneve, si dhe në lidhje me maturinë dhe kujdesin që duhet treguar në sugjerimet e deritanishme për përdorimin e teknologjisë në disa etapa të procesit zgjedhor.

Sugjerimet e KZLN do t’i paraqiten edhe Komisionit të Reformës në mënyrë që ato të merren parasysh gjatë draftimit të reformës.
 

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Dhuna dhe kaosi në Kuvend, PS depoziton në Parlament kërkesën për përjashtimin e 24 deputetëve të PD

Dhuna dhe kaosi në Kuvend, PS depoziton në Parlament kërkesën për përjashtimin e 24 deputetëve të PD