Voto, ose bëj Like!

Voto, ose bëj Like!
Pasi tentoi t’u mundësonte votën 16 vjeçarëve, në një tjetër akrobaci para-elektorale Kryeministri hodhi edhe një tjetër shashkë, atë të mundësimit të votës së emigrantëve, duke spekuluar se mazhoranca e dëshiron dhe e do këtë votë, ndërsa opozita ka frikë prej saj dhe po e pengon. Mashtrim! Së pari duhet theksuar që në terma kohorë propozimi i Kryeministrit është tërësisht i vonuar dhe i paaplikueshëm; vetëm dy muaj nga zgjedhjet, me reformën elektorale tanimë të përfunduar, me një KQZ të bllokuar, dhe pa mundësi infrastrukturore e logjistike, të flasësh për mundësimin e votës së gati 1.5 milionë emigrantëve do ishte tërësisht qesharake. Për të dyja opsionet e propozuara nga Kryeministri ekzistojnë një sërë argumentash që vërtetojnë pamundësinë faktike të votimit nga jashtë.

Në versionin e parë, Kryeministri propozon që emigrantët të votojnë nëpër ambasada e konsullata. Qoftë edhe pa marrë të mirëqenë faktin që përfaqësitë tona diplomatike janë kthyer në depo magazinimi për militantë partiakë, dhëndurë e farefis të partisë në pushtet, ka një problem logjik votimi nëpër ambasada e konsullata. Aryseja pas mundësimit të votës për emigrantët është që ata të shprehin vullnetin e tyre politik pikërisht aty ku ndodhen, njësoj si bashkëatdhetarët e tyre në Shqipëri. Shprehja e vullnetit duhet të jetë e lirë, e pacënueshme dhe arsyeshëm e mundshme.

Në këtë logjikë, një shqiptar që voton në një fshat të Vlorës, shkon e voton në një qendër votimi të ngritur posaçërisht për të në fshatin ku ai banon. Në logjikën e propozimit të Kryeministrit, një emigrant shqiptar që banon në Aleksandropouli të Greqisë do duhet të udhëtonte (vetëm ose me familjen) 344 kilometra me makinë për të votuar në konsullatën tonë në Selanik, duke e bërë shprehjen e vullnetit financiarisht dhe praktikisht të pamundur për të e për qindra mijëra emigrantë në Greqinë e veriut. Akoma më i pamundur do ishte votimi për një shqiptar që banon në Oregon të SHBAve, i cili do duhet të udhëtonte 3600 km për në Uashington D.C. ku ndodhet ambasada jonë, e cila, me që ra fjala, nuk ka para për të paguar energjinë elektrike dhe benzinën e makinës, por do kishte aftësinë të mundësonte votimet për rreth 35 mijë shqiptarë në SHBA! Tërësisht qesharake!

Në propozimin e tij të dytë, Kryeministri flet për mundësimin e votës elektronike. Në kontekstin e kohës, hapsirës dhe kostos, ky është një propozim i vlefshëm dhe i efektshëm, ndonëse mbart mbi vete barrën e lënies jashtë nga shprehja e vullnetit e gjithë emigrantëve të cilët nuk janë të familjarizuar me teknologjinë, nuk kanë kompjuter, akses në internet apo kapacitetet dhe trajnimin e duhur për të shprehur vullnetin në mënyrë elektronike. Sidoqoftë, edhe nëse e marrim të mirëqenë që emigrantët, kudo qofshin, e kanë mundësinë të votojnë elektronikisht, problemi shfaqet në anën fundore të menaxhimit të kësaj vote, pra në KQZ apo në KZAZ-të përkatëse ku teknikisht do duhet të përfundonte vota e hedhur elektronikisht.

Kryeministri nuk ka ditur të specifikojë se çfarë protokollesh sigurie do të përdoren për të sekretuar votën, si do të konfirmohet identiteti i emigrantit që do të votojë, kush do ta bëjë këtë konfirmim të identitetit dhe sigurisë, dhe si do të shpërndahen votat e hedhura online nëpër zonat elektorale në Shqipëri. KQZ-ja, në momentin që flasim, nuk e ka bazën ligjore, e veçanërisht kapacitetet teknike e njerëzore, për të menaxhuar një votë elektronike; le të mos harrojmë këtu që ‘eksperimentet’ me numërimin elektronik në Fier apo kontrolli elektronik i kartave të identitetit për qarkun e Tiranës kanë dështuar në muajin e fundit. Të besosh që gjithë sa më lart mund të rregullohen ligjërisht dhe teknologjikisht në hapësirën kohore të dy muajve do ishte po prapë tërësisht qesharake!

Kryeministri gjithashtu harron të përmendë që opozita ka propozuar dy herë një projekt për mundësimin e votës së jashtme përmes postës. Si në vitin 2008 ashtu dhe në vitin 2012, gjatë funksionimit të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, është propozuar që emigrantët të votonin me postë të rregullt, dhe projekt-propozimi përfshinte detaje të mirëspecifikuara të procedurave të regjistrimit, identifikimit, sekretimit dhe numërimit të votës së emigrantëve, praktika të marra nga eksperienca të ngjashme të suksesshme në vende si Kroacia e Sllovenia. Në të dyja rastet, mazhoranca e ka rrëzuar propozimin e opozitës.

Edhe nëse e konsiderojmë që mazhoranca ka pasur arsye të mira (teknike apo financiare) për të mos votuar propozimin për votimin me postë të ardhur nga opozita, ajo ka pasur gjithë kohën dhe mundësitë institucionale dhe teknike për të mundësuar një variant alternativ të votës së jashtme, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Asnjëherë nuk kemi dëgjuar për ndonjë përpjekje të Ministrisë së Jashtme, asaj të Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile apo edhe vetë Kryeministrit, për të nisur një proces që do të mundësonte votën e emigrantëve.

Arsyet për këtë mosveprim janë botërisht të ditura; mazhorancës nuk i ka interesuar dhe vazhdon të mos i interesojë që emigrantët të votojnë. Emigrantët është vështirë të blihen, është vështirë të intimidohen, është vështirë të gënjehen nga pallavra propagandistike, e masin politikën dhe arritjet e mosarritjet e saj me kutin e vendeve ku ata jetojnë, e rrjedhimisht vota e tyre është më e pakontrollueshme, shume herë më e pamanipulueshme, dhe tërësisht e paparashikueshme. Si e tillë, kjo votë është e panevojshme për këtë mazhorancë e për këtë kryeministër!

Prandaj, në vazhdën e propozimeve të paarsyeshme që bëhen thjesht për bombasticitet para-elektoral, propozoj që emigrantët të votojnë me sms njësoj si tek Big Brother, ose, akoma më thjesht, të shprehin vullnetin e tyre politik duke bërë Like në Facebook nëpër faqet e partive politike respektive. Do ishim të parët në botë që do përdornim një mënyrë kaq inovative e moderne të votimit, që sigurisht që i shkon për shtat vendit që ka rritje ekonomike të ngjashme me Gjermaninë e Kinën, është superfuqi energjitike në rajon, është lider rajonal në prodhimin e arrorëve, ullinjve dhe bimëve medicinale, ka rrugë më të mira dhe Norvegjia, e që e ka zili dhe Zvicra. Qesharake!

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ Fiorentina 2-2 Napoli, 'Vjollcët' lënë jashtë Evropës napoletanët! Shënon Rrahmani

GOLAT/ Fiorentina 2-2 Napoli, 'Vjollcët' lënë jashtë Evropës napoletanët! Shënon Rrahmani