“Nëse kjo është një nismë, nuk e di si do të trajtohet, dhe do të merret në konsideratë, e quaj një shkelje flagrante të të drejtave të fëmijës. 16 vjeç nuk mund të trajtohet si i rritur.
Nëse do votohet në moshën 16 vjeç na lind e drejta që të mund të votojë edhe në moshën 1 vjeç, e 6 muajsh. Nuk ka ndarje mosha nga 1- 16 vjeç. Janë ca të drejta që nuk mund të shkelen dhe vijnë nga një Konventë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.
Ish presidenti Meidani e cilësoi “tullumbace” dhe shtoi se një vendim i tillë lidhet me legjislacionin e një vendi, zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë.
“Para disa vitesh, ka pasur një rezolutë për tu ulur moshë e votimit të një përfaqësuesi gjerman në KE, që nuk u mirua. Në rezolutën e tij thuhej se edhe atje ku votonin fëmijët prindërit e tyre kishin të drejtën në vitim. Janë ide futuriste, të mishëruara në legjislacione përkatëse si në Austri, Çeki. Kjo Lidhet me legjislacionin e një vendi, dhe zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë. Këtu është një tullumbace për të krijuar një zhurmë por nuk lidhet me procesin aktual zgjedhor”- komentoi Meidani.
Për ambasadorin e OSBE-së Wollfarth nuk ka kohë për zgjedhjet e 23 qershorit, por kjo nismë mund të diskutohet për zgjedhjet e 2017-ës.
Pyetjes A mund të jetë funksional ky opsion për zgjedhjet e qershorit, duke qenë se jemi shumë pranë tyre dhe a mund të jetë një opsion që Shqipëria mund ta përfshijë më vonë në Kodin e saj Zgjedhor? Wollfarth u përgjigj: "Mendoj që mund te jetë një opsion për zgjedhjet e 2017-ë. Duhet të kemi situata të qëndrueshme para zgjedhjeve. Rëndësi tani kanë programet që partitë propozojnë."- tha kreu i OSBE-së
I pyetur nëse kishte ardhur ky propozim si një sugjerim zyrtar i kryeministrit Berisha për t’u konsultuar me OSBE-në Wollfarth u përgjigj: "Për këtë duhet të pyesni kryeministrin. Nuk jam në dijeni që, me përjashtim të ndonjë diskutimi publik, të ketë një propozim zyrtar". Ambasadori i OSBE-së u pyet nga gazetarët pas aktivitetit të zhvilluar nga Forumi Civil 2010 në hotel Tirana.
Mosha minimale e qytetarëve shqiptarë për votim është 18 vjeç, e sanksionuar kjo në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor. Nëse miratohet sipas Berishës përfitohen 100 mijë votues të rinj për zgjedhjet e qershorit. Por për tu miratuar duhen ndryshime kushtetuese të cilat nuk mund të bëhen pa konsensusin e PS.
MOISIU E MEIDANI: KANDIDATËT S'DUHET TE JENE USHTARË BESNIKË POR ME INTEGRITET
Forumi Civil 2010, pjesë e së cilës janë 2 ish presidentë të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani organizuan sot një tryezë ku shprehën shqetësimin për situatën parazgjedhore, dhe përzgjedhjen nga partitë politike të kandidatëve për deputetë. Në takimin ku morri pjesë dhe ambasadori i OSBE Uollfarth u kërkua me insistim që politika të maturohet dhe të mos tensionojë situatën në prag të fushatës elektorale si dhe kandidatët të mos përzgjidhen njerëz me të kaluar të inkriminuar.
Ish presidenti Alfred Moisiu shprehu shqetësimin për politizimin e tejskajshëm si dhe mungesë vullneti për të zhvilluar zgjedhje të lira.
“Shenjat nuk janë inkurajuese. KQZ që në mbledhjen e parë pati përplasje me orientim partiak. ..Politikanët janë larg arritjes së zgjidhjes së problemeve me mirëkuptim.
Veçanërisht mazhoranca e cila mban përgjejgjësi për zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me standardet evropiane. Dëgjojmë sharje e fyerje të cilat nuk i japin asgjë të mirë mjedisit, veçse e polarizojnë.
Një tjetër shqetësim serioz është dhe përzgjedhja e kandidatëve për deputet nga Partitë Politike. Sipas Forumit Civil 2010 Partitë përzgjedhin kandidatë për deputetë ushtarë të tyre dhe jo persona me integritet.
“Boll me njerëz që hyjnë në politikë për t’u pasuruar në kurriz të popullit. Partitë nuk marrin në konsideratë opinionin e qytetarëve. Ata duan që të kenë në radhë ushtarë të bindur se sa njerëz me integritet. S’ka pse në radhët e kuvendit të zgjidhen persona me të kaluar të njollosur, morale ose politike që më vonë t’u keqpërdore
Pastaj në debate politike në kuvend nisin e i nxjerrin të palarat. “
Keqpërdorimi i fëmijëve dhe të miturve është tejet i theksuar, ata mobilizohen që të agjitojnë për parti të caktuara dhe për pjesëmarrjen e tyre në aktivitete partiake. Kjo mënyrë veprimi jo vetëm është antiligjore, por edukon shtrembër brezin e ri.
Forumi Civil doli me një deklaratë të përbashkët ku i bëhet thirrje partive politike të ndalë retorikën dhe të bëjë kujdes në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.
“Forumi Civil i shqetësuar për këtë situatë parazgjedhore i bën thirrje partive të heqin dorë nga retorikat protagoniste dhe jokonstruktive që ndikojnë në polarizimin e shoqërisë. Të bëhet kujdes në përzgjedhjen e kandidatëve, duke përzgjedhur persona me aftësi që përfaqësojnë intersat madhore politike. Të mbajnë përgjegjësi civile e qytetarë për detyrën, dhe të kenë dëshmuar që kanë parë më larg se intersat vetjake. “- thuhej në rezolutën e Forumit Civil të lexuar nga Moisiu, i cili në fund të leximit të saj tha: Shpresojmë dhe presim që politikanët tanë të na mbështesin në këtë nismë pozitive shumë të rëndësishme për të ardhmen e brezit të ri”. Forumi kërkoi dhe që fëmijët dhe shkollat të mos përfshihen në fushatë.
Rexhep Meidani, ish-President tha se " Duhen kandidatë për deputetë me integritet në zgjedhjet e këtij viti. Ky element i rëndësishëm në përfaqësimin parlamentare të jetë pjesë e ndërgjegjësimit publik për të ushtruar presion pozitiv mbi liderët e partive që të bëjnë përzgjedhjen e duhur."
Presidenti Meidani përmendi rëndësinë e integritetit të personaliteteve që kandidojnë në zgjedhje. Është bërë progres në drejtimin që burrat dhe gratë tashmë punojnë më nga afër se në të kaluarën dhe se mund të ketë një përbërje personash me përvojë dhe të rinjsh që do të përfaqësojnë popullin në parlament në të ardhmen, në opozitë dhe në qeveri.
Përveç personaliteteve që përfaqësojnë popullin sovran në parlament, edhe programet, përmbajtja, janë të rëndësishme dhe atyre iu duhet vënë fokusi. Kjo është një thirrje shumë konstruktive që bëhet në kohën e duhur dhe një ftesë për t’u shërbyer mirë qytetarëve.
Eldoraldo Merkoqi, MJAFT u shpreh se " Eshtë shumë i rëndësishëm diskutimi për zgjedhjet e 23 qershorit, por akoma më i rëndësishëm është fakti se në këtë situatë duhet të diskutohet si të ruhet jeta, si të mbrohen qytetarët e të zgjidhen shqetësimet e tyre. Në lidhje me Kuvendin duhen kandidatura dinjitoze që të përfaqësojnë vullnetin dhe nevojat e qytetarëve. Ky është apeli im."
Ilir Dhima(deklarata përfundimtare): Në vendin tonë, fatkeqësisht paraqitet një realitet tjetër, i mbushur me krime të çfarëdoshme dhe të rënda, deri në marrje jetësh jo vetëm të qytetarëve të thjeshtë, por edhe të përfaqësuesve të strukturave shtetërore të ngarkuara me ruajtjen e sigurisë publike.
Në kushte të tilla që karakterizohen, si nevojë urgjente del që partitë politike të pavarura t’u kundërvihen bashkërisht me zë të lartë pushtetarëve të korruptuar dhe klaneve të lidhura ngushtë me këta, që përdorin forma dhe mjete të trashëguara nga regjimet diktatoriale dhe disponojnë të gjitha pasuritë e vendit tonë, duke sunduar tashmë në mënyrë të padurueshme.
(sg/shqiptarja.com)