Shijak - Dy persona në kërkim janë arrestuar pas gjashtë muajsh në kërkim.

Dorian dhe Indrit Ferra dyshohen si autorë të vrasjes të 45-vjeçarit Denis Çumani, në janar të këtij viti.

Konflikti mes tyre erdhi për shkak të një vajze. Viktima i kishte dërguar disa mesazhe vajzës, e cila ishte në një marrëdhënie me Indrit Ferrën.

Ky i fundit së bashku me kushëririn e tij e kanë rrahur dhe më pas e qëlluan me armë zjarri në brinjë. 45-vjeçari ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital.

"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, për shtetasit:

-I. F., 38 vjeç dhe D. F., 36 vjeç (kushërinj), të dy banues në Shijak.  

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim pasi nga hetimet dyshohet se më datë 27.01.2026, në qytetin e Shijakut, janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin D. Ç., 45 vjeç dhe e kanë qëlluar me armë zjarri. Për shkak të dëmtimeve, 45-vjeçari ka humbur jetën pas disa ditësh, në spital", njoftoi sot policia.    

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë