KORÇË - Gjuajnë kafshë të egra në mënyrë të paligjshme dhe publikojnë në rrjetet sociale fotot e rënda të sorkadheve të vrara, shoqërohen nga policia gjashtë gjuetarë në Kolonjë. Masat e policisë erdhën pas fotove të publikuara në Facebook pak ditë më parë, ku në një zonë pyjore të Kolonjës shfaqen 6 persona me një automjet tip fuoristradë, me dy armë gjahu dhe kafshë të egra sorkadhe të vrara. Fotot tronditëse shkaktuan edhe një reagim të fortë nga ana e opinionit publik, ndërsa u kërkua marrja e masave ligjore ndaj gjuetarëve të cilët kanë thyer edhe moratoriumin për gjuetinë.

Në një njoftim për mediat, Policia sqaron se shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë dhe Kolonjë, kanë kryer verifikimet përkatëse, identifikimin dhe shoqërimin E.L, L.Ç, S.G, banues në Korçë, L.M, banues në fshatin Polenë, A.D dhe D.D, banues në fshatin Leshnjë, Kolonjë. Policia ka bllokuar armët e gjahut, së bashku me lejet përkatëse dhe vërtetimet mbi regjistrimin e armëve.

Armët e gjahut që iu sekuestruan gjuetarëve

Gjuetarët me dy sorkadhe të vrara në Kolonjë

Inspektoriati i Pyjeve dhe Mjedisit ka ndëshkuar me masë administrative dy prej gjuetarëve. Policia e Korçës vijon më tej në njoftimin e shpërndarë për mediat se falenderon qytetarët për denoncimin e rastit dhe i fton ata të denoncojnë falas në numrin 112 çdo rast të gjuetisë së paligjshme, duke garantuar reagim të shpejtë dhe vënien përpara përgjegjësisë të çdo shkelësi.