Vrasësi në një makinë me çekët
plumba pas koke gjatë udhëtimit

SHKODËR - A1 REPORT zbardh skemën se si ndodhi ekzekutimi tragjik i çiftit të turistëve çek mbrëmjen e së premtes në fshatin Prekal të Dukagjinit. 27-vjeçari Michael Svatos dhe e dashura e tij Anna Kosinova janë qëlluar për vdekje me kallashnikov nga një person i tretë i cili ndodhej në makinë me ta ndërsa ktheheshin nga Thethi ku kishin eksploruar natyrën drejt Shkodrës.
 
Policia dyshon për një person që ka shërbyer për çekët në rolin e udhërrëfyesit ose që mund t’i jetë bashkuar çiftit në makinë duke bërë “autostop”. Po sipas të njëjtave burime, për motive ende të pazbardhura nga policia, autori i cili ndodhej pasagjer në sediljen e pasme të Nissanit të turistëve me targa çeke 4P8 9798, ka qëlluar nga pas me automatik çiftin e të rinjve duke i sjellë vdekjen e menjëhershme nga plumbat në kokë. Ky fakt u konfirmua edhe nga zëvendës drejtori i Policise se Shtetit per Krimet e Renda Ardian Çipa ne nje deklarate per mediat nga Shkodra. 

Plumbat e parë janë drejtuar ndaj Michael Svatos ndërsa më tej autori ka qëlluar ndaj Anna Kosinova.  

E gjithë skena ka ndodhur ndërsa makina ishte në lëvizje dhe po drejtohej nga turisti çek ndërsa e dashura e tij ndodhej pasagjere në sediljen e parë. Nga ky moment makina ka humbur kontrollin dhe është përmbysur pas përplasjes me bordurën anë rrugës. Burimet sqaruan se autori shqiptar dyshohet se ka mbetur i plagosur edhe vetë nga aksidentimi i makinës, por ka mundur të dalë përmes xhamit të fuoristradës dhe të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
 
Kur është futur në makinë me shumë mundësi autori kishte fshehur kallashnikovin brenda një çante e cila është gjetur në makinë. Kështu bie hipoteza e parë që autori mund të ishte futur në makinë nën kërcënimin e armës.
 
Ajo që e vesh historinë me mister, është fakti se pse gjatë udhëtimit ai ka vendosur të nxjerrë kallashnikovin nga çanta dhe të hapë zjarr ndaj dy turistëve.
 
Pas krimit makabër autori ka lënë në makinë gjithçka që policisë mund t’i shërbejë kundër tij; armën e krimit kallashnikov, çantën dhe gjurmët e gishtërinjve të tij.  Në xhamat e pasim ka shenja gjaku që tregojnë se edhe vetë vrasësi është lënduar gjatë aksidentit. Duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes autori nuk ka marrë asgjë nga sendet e tyre që ndodheshin në automjet.
 
Policia nuk përjashton mundësinë që autorin e kanë ndihmuar bashkëpunëtorë të tjerë për tu larguar nga vendi i ngjarjes.

Burime nga Prokuroria thanë për A1 Report se organi i akuzës së Shkodrës ka regjistruar aktualisht procedimin penal për “vrasje në rrethana cilësuese nga dy ose më shumë persona”. Rreth 30 persona të tjerë janë shoqëruar nga policia për të hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë e cila vijon të jetë e veshur me hije dyshimi për atë se çfarë ka ndodhur vërtetë.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Parashikimi i motit/ Reshje shiu e shtrëngata, ulen temperaturat këtë fundjavë

Parashikimi i motit/ Reshje shiu e shtrëngata, ulen temperaturat këtë fundjavë