Vrasja 28-vjeçares në bllok, Alibia
e nënoficerit: Isha me gruan

Vrasja 28-vjeçares në bllok, Alibia<br />e nënoficerit: Isha me gruan
TIRANË - Gjykata e Tiranës ka vendosur dje “arrest me burg” ndaj Ndriçim Ballës, nënoficerit të akuzuar për vrasjen e 9 shtatorit në Bllok, ku mbeti e vrarë aksidentalisht Majlinda Hoxha dhe u plagos Elton Fusha.  Vrasja ndodhi në lokalin në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, i cili ishte në pronësi të bashkëshortit të Hoxhës dhe Fusha e kishte marrë me qera. Në seancë  i akuzuari ka mohuar të jetë autori i vrasjes, duke thënë se hetimet janë të njëanshme. “Nuk është e vërtetë, nuk kam kryer asnjë vrasje. Hetimet janë të njëanshme”, tha Balla.  Ai ka pranuar më herët se ka alibi gruan gjatë kohës që ka ndodhur krimi, ndërkohë që bashkëshortja e tij ka deklaruar gjithashtu se ka qenë me të gjatë kësaj kohe, e për pasojë ai nuk mund të jetë autori.  Ndërsa prokurori i çështjes tha se "Ndriçim Balla ka qëlluar 6 herë me pistoletë. Vrau Majlinda Hoxhën. Masa e arrestit u dha nga gjyqtarja Anila Kristo. Ndërkohë, bashkëshortja e nënoficerit ka reaguar publikisht duke kërkuar drejtësi për bashkëshortin e saj. Në një letër për mediet, Vaje Balla tregon se një njeri akademik si burri i saj nuk bie pre e aktit të vrasjes ku motiv qenkan 25 mijë lekë të papaguara nga një prej personave të plagosur nga ngjarja në ish-Bllok.

LETRA 
Si bashkëshortja e oficerit të ndaluar, z. Ndriçim Balla, e ndiej të moralshme për familjen e së ndjerës, Majlinda Hoxha, familjes së të cilës i shprehim ngushëllimet më të sinqerta, si dhe për opinionin e gjerë publik, të deklaroj se: Kjo ngjarje e rëndë na ka shqetësuar pa masë, si familjen tonë, ashtu edhe çdo qytetar të thjeshtë që e ka dëgjuar në media. Mendojmë se organet policore janë nxituar duke bërë presion të jashtëzakonshëm mbi bashkëshortin tim dhe vëllezërit e tij në mënyrë të padrejtë. Bashkëshorti im është familjar shembullor, ushtarak me nivel të lartë akademik, i arsimuar dhe i specializuar me vite në Turqi, me punë të kryer në disa institucione të lartë të Ushtrisë Shqiptare, oficer me gradën Kapiten e duke ndjekur kursin për gradën Major. Jemi të dy familjare dhe të arsimuar (ndjekim universitet të dytë), që synojmë të ecim në karrierë, punojmë në punë shtetërore, me paga të kënaqshme dhe është absurde të ndërmerret një veprim i tillë nga Ndriçimi. Edhe familja e Ndriçimit është një familje e respektuar, e qetë dhe me nivel të lartë arsimor.
Personi që akuzon tim shoq për këtë ngjarje, sipas informacioneve që qarkullojnë në shtyp, është me precedentë dhe ka konflikte të ndryshme, por (ama) vetëm me burrin tim dhe familjen e tij nuk ka. Theksoj se bashkëshorti im nuk ka asnjë konflikt me personin që e akuzon dhe është e palogjikshme të mendosh që një akademik me nivel kulturor të përfshihet në një konflikt për një shumë prej 25 mijë lekësh të reja, që i dëmtuari i kishte borxh të vëllait të tij.

faksmile ndricim balla
Ne, si familje dhe rreth shoqëror, jemi të tronditur nga arrestimi i Ndriçimit, pasi padrejtësisht na është vënë një njollë e pamerituar, por kemi besim se drejtësia do e nxjerrë të vërtetën dhe fajtorët e saj, që aktualisht janë të lirë, do të vihen para drejtësisë. Vetëm një punë serioze dhe objektive e organeve policore dhe prokurorisë do e zbardhë ngjarjen dhe të nxjerrë fajtorët e vërtetë. Shumë shpejt, dinjiteti dhe imazhi ynë do të shkojë në vendin e vet.

ARRESTIMI DHE VRASJA
Më 18 shtator u bë arrestimi i Ndriçim Ballës, 33 vjeç, nënoficer pranë “Shkollës së Bashkuar” si personi i dyshuar për vrasjen e 9 shtatorit. Nga të dhënat e policisë u mësua se, Balla ka dashur që të vrasë Elton Fushën pasi ky i fundit kishte pasur një sherr me vëllanë e të ndaluarit. Sherri duket se ka nisur për shkak të një borxhi prej 25 mijë lekësh që Fusha i kishte vëllait të Ndriçim Ballës. Policia ka arritur të zbardhë detajet e kësaj ngjarjeje pasi objektivi kryesor i të arrestuarit nuk ka qenë vajza e vrarë në këtë ngjarje, por Elton Fusha. Pas marrjes në pyetje, nënoficeri deklaroi se Fusha i ka një borxh të konsiderueshëm në të holla vëllait të tij dhe nuk ia kthente. 28-vjeçarja Majlinda Hoxha u vra gabimisht gjatë atentatit, pasi ajo ndodhej e ulur në lokal bashkë me Fushën dhe një Bashkim Hoxhën, bashkëshortin e saj.

majlida hoxha
(Në foto: Viktima Majlinda Hoxha, nënoficeri Ndriçim Balla i dyshuar për vrasjen dhe vendi i vrasjes)

Shkrimi u publikua sot (21.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania