GREQI- Dy të pandehurit e arrestuar për vrasjen e 41 vjeçares shtatzënë në Selanik, kanë dalë para gjykatës në seancën ku u vendos masa ‘arrest me burg’. Gjorgjia Mourati rezultonte e zhdukur që nga nata e ndërrimit të viteve ndërsa trupi i saj u gjet i masakruar me thikë në pyllin e Kalkidikisë i futut në një kuti.
Për ngjarjen makabër, akuzohet i dashuri i saj 39 vjeçar dhe bashkëpunëtori i tij një 34 vjeçar. Ky i fundit në dëshminë e dhënë para gjykatës seancën e sotme, ka deklaruar se kishte qenë partneri i 41 vjeçares ai që ka kryer krimin e rëndë.
I akuzuari si bashkëpunëtor, tha se kishte pranuar ofertën e 39 vjeçarit për ta grabitur viktimën por i kishte kërkuar që të mos e lëndonin. 34 vjeçari pretendoi se e mori vesh për vrasjen e gruas shtatzënë vetëm kur autori i kishte treguar dhe shtoi se kishte pranuar të transportonte trupin e pajetë të saj nga frika se mund t’i ndodhte edhe atij e njëjta gjë.
“Unë isha aty për ta ndaluar sepse pranova ofertën e tij për të bërë një grabitje të rreme pa u lënduar vajza. Kur mori thikën në duar, më kërkoi të largohesha. Dola nga pallati dhe prita në makinë. Pastaj erdhi dhe më tha që e kishte vrarë. Unë pranova ta lëviz trupin sepse kisha frikë se mos e pësoja të njëjtën gjë”, mësohet se ka thënë ndër të tjera në hetuesi.
Dyshohet se i dashuri i viktimës kishte dashur t’i grabiste shumën prej 8 mijë eurosh, për të cilën ajo i kishte thënë se i kishte kursyer dhe i kishte fshehur diku.