Një ditë pas vrasjes së 21-vjeçarit Endri Kosteja, i cili punonte si çoban në Vranisht të Vlorës, është zbardhur dëshmia e të zotit të stanit, Sheref Lelaj, 74 vjeç. Ai u shoqërua si i dyshuar për ngjarjen, ndërsa përpara hetuesve ka mohuar ta ketë qëlluar të riun. Ai ka deklaruar se në vendngjarje ka gjetur trupin e pajetë të të riut dhe e ka çuar në spital. Në vendngjarje është gjetur dhe një gëzhojë 6.2 milimetra. Lelaj ka deklaruar gjithashtu se nuk ka lidhje me vrasjen. Endri Kosteja u gjet i pajetë një ditë më parë, ndërsa ishte qëlluar me një plumb në kokë. Plumbi ka qënë tejshkuese pasi goditja e viktimës është kryer nga një distancë e afërt. Përveç plagës nga pjesa ballore, 21-vjeçari ka pasur dhe një plagë në pjesën e prapme të kokës. Krahas arrestimit të 74-vjeçarit, Sheref Lelaj, policia ka shpallur në kërkim edhe dy djemtë e tij, V. L., 34 vjeç dhe L.L., 46 vjeç.

Dyshime mbi djemtë
Megjithëse uniformat blu nuk dinë motivin kryesor të vrasjes së 21-vjeçarit nga Librazhdi, dyshime të forta janë ngritur se krimi i rëndë është kryer nga anëtarët e familjes Lelaj në Vlorë. Kjo familje kishte punësuar të riun Endri Kosteja si çoban në fshatin Vranisht të Vlorës dhe mund të ketë pasur probleme me pagesën e të riut, ose konflikte që lidhen me punën e tij si çoban. Sipas tyre djemtë e familjes Lelaj, që tashmë janë shpallur në kërkim policor mund të jenë autorë të këtij krimi të rëndë. Lidhur me këtë ngjarje janë administruar dëshmitë e disa personave të tjerë, që shoqërohej në zonë viktima. Ata kanë treguar se kanë pasur marrëdhënie shumë të mira me 21-vjeçarin dhe se ai nuk i është ankuar asnjëherë, por ndonjë konflikt apo debat me anëtarët e familjes Lelaj në Vlorë, të cilët e kishin punësuar si Çoban. Lidhur me këtë çështje materialet hetimore i kanë kaluar  prokurorisë së Vlorës për hetime të mëtejshme, ndërkohë që në ditët në vijim kjo e fundit do kërkojë masën e sigurisë në gjykatë për të arrestuarin Sheref Lelaj dhe dy djemtë e tij të shpallur në kërkim.

Varrimi në Librazhd
21-vjeçari nga Librazhdi kishte disa muaj që ishte punësuar nga familja Lelaj si Çoban. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike Lelaj kishte udhëtuar nga Librazhdi në Vlorë me qëllimin e vetëm sigurimin e një vendi pune. Por pikërisht në vendin e punës ai ka gjetur dhe vdekjen, pasi është qëlluar me armë zjari në pjesën e kokës, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com