Vrasja e Behar Sofisë, GJKKO dënon me 35 vite burg organizatorin! ‘Bajlozi’ Jemin Shera ende në kërkim

TIRANË- Gjykata e Posaçme dënoi me 35 vite burg Jemin Sherën, të akuzuar si organizator i vrasjes së Behar Sofisë pranë Piramidës në Tiranë, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit 2021.

Vendimi u mor në mungesë të tij, pasi Shera vijon të jetë në kërkim, ndërsa procesi për të u zhvillua i ndarë nga grupi i 5 pjesëmarrësve të tjerë në ekzekutimin e Behar Sofisë, të dënuar 1 vit më parë, me 127 vite burg në total.

Jemin Shera, i njohur ndryshe edhe si “Bajlozi” në qarqet e krimit në vend u dënua për veprat panele Vrasje me paramendim”, e kryer për interes, në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “grup i strukturuar kriminal”. 

Pavarësisht dënimit të organizatorit, SPAK ende nuk ka zbuluar personat nga të cilat Shera ka marrë porosinë për të ekzekutuar Behar Sofinë, biznesmenin e njohur si ‘padron droge’.  Pasi mori porosinë ai vuri në zbatim planin, duke krijuar një grup të posaçëm kriminal.

Trupa gjykuese e përbërë nga Rudina Palloj, Elsa Ulliri dhe Etleva Deda, e deklaroi të pafajshëm Jemin Sherën për akuzën e armëmbajtjes pa leje pasi nuk provohet që e ka kryer ai vrasjen. Sipas vendimit të Gjykatës, dënimin Jemin Shera do ta vuajë në burgun 313.

Për vrasjen e Behar Sofisë, janë dënuar më herët nga 30 vite burg Bujar Leza, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Xhuljano Visha, ndërsa ekzekutuesi Ernejt Shyti u dënua me vetëm 7 vite burgim për shkak se u bë bashkëpunëtori i drejtësisë dhe zbardhi të gjithë ngjarjen e tregoi se  u pagua 5 milionë lekë.

Vendimi i GJKKO

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale ndaj të pandehurit Jemin Shera, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendimin”, e kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe i municionit” kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2, 278/1, 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Elsa Ulliri dhe Etleva Deda, me vendimin Nr. 24, datë 12.03.2025 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Jemin Ali Shera, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer për interes, në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës B.S, parashikuar nga nenet 78, pg 2 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 35 (tridhjetë e pesë) vite burgim.

2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Jemin Ali Shera, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i ameve, armeve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278, pg 1 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Jemin Ali Shera, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 4 (katër) vite burgim.

4. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Jemin Ali Shera dënohet me një dënim të vetëm prej 35 (tridhjetë e pesë) vite burgim.

5. Llogaritja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të vendimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Jemin Ali Shera do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

6. Në bazë të nenit 190, pika 1 të K.Pr.Penale, sendet e sekuestruara provë materiale, te bashkohen me fashikullin e gjykimit.

7. Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake, sipas procesverbalit përkatës, si dhe shpenzimet gjyqësore, sipas procesverbalit përkatës, i ngarkohen të pandehurit të deklaruar fajtor me këtë vendim.

8. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • iliri: 12/03/2025 17:29

    Ata duheshin denuar me burgim te perjetshem.....jo me 35 vjet....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 21 Mars, 10:09

    Sa e dëshironi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?



×

Lajmi i fundit

Rama iu lë ‘porosi’ socialistëve: Duhet të jemi të pamëshirshëm për çdo votë! Më 11 maj të triumfojmë, vetëm kështu mund t’i bëjmë presion politik BE për integrimin

Rama iu lë ‘porosi’ socialistëve: Duhet të jemi të pamëshirshëm për çdo votë! Më 11 maj të triumfojmë, vetëm kështu mund t’i bëjmë presion politik BE për integrimin