Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit (GJKKO) ka dënuar me 127 vite burg në total 5 nga të akuzuarit për vrasjen e biznesmenit 66-vjeçar Behar Sofisë më 25 shkurt të vitit 2021. Ashtu siç kishte kërkuar edhe SPAK gjykata ka dënuar me nga 30 vite burg për 4 të pandehurit: Bujar Leza, Leonard Xhixha, Skënder Vathi, Xhuljano Visha. Ndërsa për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Ernejt Shytin u dha dënimi  me 7 vite burg.

5 të akuzuarit u deklaruan fajtor për kryerjet e veprave penale “Vrasje me paramendim”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”

Ekzekutori, Ernejt Shyti u arrestua në Mal të Zi, 2 javë pas atentatit ku u vra Behar Sofia. Në dëshminë e dhënë në GJKKO, ai ka treguar me detaje rolin e të pandehurve të tjerë duke rrëfyer se do të paguhej me 5 milionë lekë. Ndërsa pas tij u arrestuan edhe bashkëpunëtorët e tjerë Xhuljano Visha, 28 vjeç, Leonard Xhixha, Bujar Leza dhe Skënder Vathi. Ky i fundit dyshohet si organizator i atentatit që i mori jetën Behar Sofisë.

Ndërsa personi që dyshohet se dha urdhrin për ekzekutimin e Behar Sofisë, Jemin Sheraj, është ende në kërkim dhe procedimi për të është ndare. 66 vjeçari Behar Sofia, i njohur si "padron droge", u ekzekutua mëngjesin 25 shkurtit afër Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë.

Autori pasi e ka ndjekur disa metra pranë shtëpisë së tij, i ka dalë para 66 vjeçarit dhe e ka qëlluar. I veshur sportiv, me kapele, syze e maskë anti-COVID pasi ka bërë atentatin ai është larguar dhe ka kaluar në këmbë urën e Lanës. Më pas ai ka marrë një biçikletë pranë kullave dhe është larguar drejt Kodrave të Liqenit.