Policia e Lezhës ka gjetur makinën tjetër të përfshirë në vrasjen e çiftit Mujeci në Torovicë. “Audi A4” u gjet në një rrugë dytësore, në një arë pranë një kanali.
Pamjet tregojnë një kaskë motori dhe portofolë, ku veç disa kartëmonedhave, shihen edhe dokumente identifikimi që u përkasin autorëve të shpallur në kërkim. “Audi” është sekuestruar dhe do t’u nënshtrohet ekspertizave kriminalistike.
Sipas hetimeve paraprake, makina dyshohet se është përdorur nga bashkautorët me rol vëzhgues të lëvizjeve të viktimave.
Një ditë më parë, policia gjeti edhe makinën “Volkswagen Polo” me të cilën autorët qëlluan me breshëri drejt Kreshnik e Gentjana Mujecit. Mjeti ishte i marrë me qira nga motra e Florin Mhillajt dhe u gjet në banesën e 22-vjeçarit Besnik Kolndreu, i cili është shpallur në kërkim.
Në kërkim për vrasjen me motive gjakmarrjeje janë shpallur Florin, Renato dhe Adriano Mhillaj. Ata dyshohet se kanë vrarë çiftin Mujeci si hakmarrje për një ngjarje të ndodhur 10 vite më parë në malin e Jushit, ku u vra Genc Mhillaj.
Për ngjarjen e nje dekade më parë, viktima Kreshnik Mujeci ishte hetuar, por nuk u gjetën prova dhe ishte shpallur i pafajshëm nga gjykata.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente







